Besa mund Teutën dhe entuziazmon Maganin
Kavajasit kanë fituar me një gol të Krasniqit ndaj durrsakëve, por më shumë stafi është kënaqur nga paraqitja e mirë e grupit
Besa Teuta 1-0
Shënues: Krasniqi 19
Besa: Mançevski, Fejzullahu, Hoxha, Krasniqi, Perja, Frashëri, Duka, Poçi, Mihani, Ziambo, Roshi. U aktivizuan edhe Guma, Tragaj, Çelhaka, Dushku, Hasa, Tosuni, Dedej, Mehmeti.
Trajner: G.Magani.
Teuta: Rizvani, Stafa, Jakupi, Osmani, Sheta, Mancaku, Bakiasi, Veliaj, A.Hoxha, Dosti, Çota. U aktivizuan edhe Hoxha, Da Silva, Pepa, Deliallisi, Rugova, Tahiri, Delibashiç. Tranjer: H.Lika.
Gjyqtarë: Xh.Rada, R.Mersinasi, F.Ibrahimi (Durrës)
Kartonë të verdhë: Bakiasi, Krasniqi
Besa ka matur dje forcat me një tjetër skuadër superlige dhe pikërisht me Teutën kryesuese. Kavajasit kanë fituar 1-0 në këtë miqësore, por ajo që e ka ngrohur më shumë stafin teknik ka qenë loja e grupit dhe jo rezultati. Ka qenë një sinjal i qartë që tregon se Besa ka ndryshuar për mirë dhe në fazën e dytë të kampionatit do të jetë patjetër protagoniste.
Trajnerët Gugash Magani dhe Hasan Lika e kanë nisur këtë miqësore me formacionet më të mira dhe loja ka qenë me raste në të dyja portat. Goli i vetëm i ndeshjes është shënuar në minutën e 19-të nga Krasniqi, i cili ka devijuar me kokë një top të ardhur nga Mihani pas një goditjeje dënimi. Edhe në vazhdim skuadra kavajase ka pasur raste shënimi, sidomos në pjesën e dytë, me protagonistë Ziambon dhe Hasën, ky i fundit nuk ka shënuar përballë portierit Rizvani.
E keqja e kësaj ndeshjeje miqësore ka qenë dëmtimi i Dushkut dhe Rroshit, që e shqetësojnë jo pak trajnerin Gugash Magani, pavarësisht se loja e të tijve ka qenë në nivelin e kërkuar. Kavajasit kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore me kundërshtarë nga superliga, ku stafi teknik ka parë ecurinë e përgatitjeve dimërore. Me kthimin e qendërmbrojtësit Fezullahu, formacioni i Besës duket i kompletuar për fazën e dytë. Në ndeshjet e fundit miqësore ka munguar Paulin Dhëmbi për shkak të një dëmtimi.
Trajnerët
Gugash Magani, trajner i Besës: Jam i kënaqur nga kjo Besë, pasi arritëm të fitojmë ndaj skuadrës që kryeson superligën. Për këtë dua ti falënderoj futbollistët, sepse dhanë më të mirën në fushë. Të njëjtën gjë bënë edhe futbollistët e stolit dhe ky është një sinjal pozitiv.
Hasan Lika, trajneri i Teutës: Edhe pse miqësore, donim ta fitonim këtë takim me Besën. Teuta nuk bëri lojën që ne kërkuam dhe ky rezultat shpresoj që të mos ndikojë në kampionat.
