Dede: Luftëtari do të ecë me të njëjtin ritëm
Trajneri Nevil Dede tregon arsyet pse erdhi në Gjirokastër, parimet e punës së tij dhe perspektivën e ekipit që drejton
Luftëtari drejtohet tashmë nga trajneri Nevil Dede, i cili zëvendësoi Mustafa Hysin. Ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Tiranës e ka marrë këtë detyrë me bindjen se ekipi gjirokastrit do të jetë në superligë sezonin e ardhshëm. Po kush është Nevil Dede? Ai ka lindur në Durrës, më 10 01.1975. Ka luajtur me Tiranën gjatë sezoneve
1992-1997, me Partizanin sezonin 1997-1998, përsëri me Tiranën dhe me Elbasanin në 2004-ën, për tu kthyer sërish te Tirana. Në vitin 2008 luajti në Kinë, me ekipin Shenjang Ginde (është i dyti nga Shqipëria, pas të madhit Loro Boriçit, që rreth 35 vite më parë bëhej trajner futbolli i kombëtares së atij populli të pamabarimtë). Në 2009-ën kthehet tek Elbasani, ku pas një dëmtimi mbyll karrierën si lojtar.
Dede ka qenë edhe pjesë e kombëtares kuqezi, me të cilën ka luajtur dhjetëra ndeshje si qendërmbrojtës serioz, racional, luftarak dhe pozicional. Që nga viti 2009 ka qenë për kohë jo të gjatë në stafe trajnerësh si ndihmëstrajner, te Tirana dhe te Skënderbeu, pastaj trajner te Tirana dhe fazën e parë të këtij sezoni trajner i Laçit. Në Gjirokastër, duke filluar nga sezoni 1999-2000, kanë ardhur 8 trajnerë të tjerë, përveç Dedes, kurse shumë më parë ishin 4-5 të tjerë.
Por vetëm njëri ndër ta ka bërë punë, që nuk do ta mbulojë pluhuri i harresës. Ai ka qenë i paharruari Bahri Ishka, i cili themeloi atë Luftëtar, që u bë i lavdishëm, veçanërisht në periudhën 1977-1991, me trajner Hito Hitajn. Le të shpresojmë se me Nevil Deden do të fillojë një cikël i ri, në kërkim të lavdisë. Për Sportin shqiptar, trajneri Dede iu përgjigj këtyre pyetjeve:
Luftëtari i 10 sezoneve të fundit vetëm 1 herë ka luajtur në superligë, por ka tradita dhe ka nxjerrë disa futbollistë të shquar. Ju pranuat të jeni trajner i tij të paktën për fazën e dytë. A ndieni përgjegjësi?
Çdo trajner dëshiron të ketë sukses. Normalisht, çdo klub ka historinë e vet, ashtu si dhe Luftëtari. Çdo njeri, si para dhe pas meje, është përpjekur dhe do të përpiqet ta respektojë dhe ta pasurojë historinë dhe ngjyrat e këtij klubi, jo për përgjegjësi, por për rritjen dhe motivacionin e duhur karshi punës dhe profesionit.
Cilat janë arsyet e ardhjes suaj te Luftëtari?
Nora dhe Devolli, si kolegë dhe miqtë e mi, investimet e Luftëtarit nëpërmjet kryebashkiakut Flamur Bime dhe donatorit Qazim Muho, si dhe ecuria pozitive e ekipit në fazën e parë, janë arsyet që më bindën. Të jem i sinqertë, nuk kam ardhur për lekë. Kam pasion dhe nuk dua të jem larg futbollit për asnjë çast. Ndonjëri mund të flasë për regres, duke qenë se isha trajner ekipesh superlige, si Tirana dhe Laçi, por unë mbështes një thënie të një mikut tim: Më mirë të punosh kot, se të rrish kot. Nuk mund të jetoj pa punë.
Cilat janë përshtypjet tuaja për Gjirokastrën dhe Luftëtarin?
Shkurt do të them se janë ndër më të mirat.
Kur erdhët, thatë se do të pinit një kafe me ish-trajnerin Hysi. A e bëtë këtë gjë?
E kam marrë në telefon, por ndoshta numri im është i panjohur për të.
Çfarë do të thoshit për Luftëtarin e fazës së dytë?
Luftëtari i fazës së dytë do të vazhdojë ecjen sportive me ritmin e fazës së parë, kur e drejtonte Hysi. Pra, në çdo ndeshje do të jetë agresiv në lojë dhe rezultat. E rëndësishme është ta kuptojnë të gjithë se jemi më të mirët. Gradualisht do të ndërtoj ekipin e superligës për sezonin e ardhshëm. Ky është parimi i punës sime, që përfshin perspektivën, pra frytet e punës do të merren edhe në vazhdim.
Cilët do të jenë faktorët e suksesit?
E rëndësishme është që futbollistët të manifestojnë karakter sportiv në çdo ndeshje. Kemi grup harmonik, kolektiv që shkon shumë mirë. Këto gjëra më bëjnë optimist për suksesin. Ne mendojmë, pretendojmë dhe punojmë për superligën.
Për merkaton e kryer, cili është mendimi juaj?
Hithi, Strati dhe Nino them se janë futbollistë me vlera, të cilat do ti shpalosin në ndeshjet e fazës së dytë.
Çfarë dini për ekipet e kategorisë së parë, kush do të jenë rivalët?
Njoh Lushnjën, Kukësin, Elbasanin, Besën dhe Skraparin, për ekipet e tjera nuk kam dijeni. Për rivalët do të flasim pas ndeshjeve të para të fazës së dytë.
Sipas jush, duhet luajtur së pari me Kukësin apo nuk ka rëndësi radha?
Janë të tjerë ata që merren me këtë problem. Them se nuk duhet ti zmadhojmë problemet e vogla. Ne duhet të punojmë për të kënaqur njerëzit në stadiume, duke luajtur fairplay dhe jo të mbjellim pakënaqësi dhe urrejtje. Duhet të punojmë për paqe, sepse futbolli ynë ka shumë nevojë për ndjenja paqeje.
Cili është hobi juaj?
Nuk kam ndonjë hob të veçantë. Në kohën e lirë merrem me familjen time, me shokët dhe miqtë e mi.
A keni ndonjë mesazh?
Kënaqësi të madhe do të ndiej, kur në stadiumin e Gjirokastrës do të vijnë sa më shumë njerëz për tu kënaqur me Luftëtarin.
9 tituj
Kampionë ka fituar në karrierën e tij si futbollist Nevil Dede. 8 tituj i ka marrë me fanellën e Tiranës dhe 1 me Elbasanin, duke qenë kështu edhe kampion kampionësh
6 kupa
të Shqipërisë ka në palmaresin e trajnerit aktual të ekipit gjirokastrit
3 superkupa
Janë trofetë që plotësojnë sukseset e Dedes
2 ekipe
ka drejtuar para Luftëtarit Nevil Dede Dede, Tiranën dhe Laçin
9 trajnerë
nga qytete të tjera e kanë drejtuar vitet e fundit ekipin gjirokastrit
