Lushnja humbet në Roza Haxhiu me Apoloninë
Ka vendosur një autogol i Allkanjarit, pasi më parë gjithçka ka qenë në barazpeshë. Verdhejeshilët kanë luajtur me portierin e katërt
Lushnja Apolonia 2-3
Shënues: Përnezha 14, Topi 35 / Gërço 20, Rama 40, Allkanjari 78 (autogol)
Verdhejeshilët kanë humbur në miqësore përballë Apolonisë, edhe pse kanë luajtur në fushën e tyre. Lushnja ka luajtur mirë dhe çdo gjë ka qenë në barazpeshë në këtë ndeshje jo shumë domethënëse sa i takon rezultatit, por, disa minuta para fundit, Allkanjari me kokë ka shënuar në portën e tij golin e tretë për fierakët.
Pjesa e parë ka qenë shumë e bukur për tu parë, edhe pse në stadiumin Roza Haxhiu nisi të binte diçka e përzierë mes shiut dhe dëborës. Kjo nuk e ndali aspak ritmin e lojës së futbollistëve të të dyja skluadrave. Kanë qenë lushnjarët, të cilët kanë kaluar në avantazh me anë të Përnezhës, i cili shënoi me kokë, duke përfituar edhe nga një dalje e gabuar e portierit Dervishi.
Do të kalonin vetëm disa minuta dhe fierakët do të barazonin me anë të Gërxhos, pikërisht në minutën e 20-të. Barazimi nuk u vjen për shtat lushnjarëve, që gjejnë sërish golin e avantazhit. Fatjon Topi shënon një eurogol, pasi shfrytëzon një asist të Fatjon Sesës. Ai lëshon një predhë të vërtetë drejt portës së Apolonisë dhe topi, pasi prek traversën, përfundon në rrjetë.
Por edhe ky avantazh është i përkohshëm, sepse në të 40-tën barazon Rama, për shkak të një gabimi të mbrojtjes lushnjare. Me këtë rezultat përfundon pjesa e parë dhe në fraksionin e dytë të dy trajnerët bëjnë zëvendësime të shumta. Rezultati është vulosur nga një autogol i Allkanjarit në minutën e 78-të, kur pas një harkimi në zonë të ferakëve, ai kalon portierin e ri Harremi, portieri i 4-t i Lushnjës.
Harremi është futbollisti ndoshta me më pak përvojë, por me më shumë përgjegjësi në skuadrën verdhejeshile. Tre portierët e tjerë, i pari Bejte, i dyti Antoniu dhe i treti Kaloshi, janë të dëmtuar, kështu që vetëm mrekullia e shpëton portën lushnjare në fazën e dytë të kampionatit. Harremi i ka treguar vlerat, por përsëri mbetet një portier i ri, pa përvojën e duhur për të përballuar një fazë të dytë shumë të fortë dhe të vështirë.
