E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trukimet, UEFA gati masat drastike

Platini premton tolerancë zero, të rrezikuara edhe Tirana e Vllaznia
Kthetrat e trukimeve rrezikojnë futbollin. Skandali i shpërthyer në muajin nëntor, ku ishin të përfshira dhe dy ekipet shqiptare, Tirana dhe Vllaznia, nën hetim për fiksim rezultati në impenjimet përkatëse të tyre në Kupat e Europës, ka shërbyer si kambanë alarmi për UEFA-n, e cila tashmë po përgatit masat drastike si kundërpërgjigje. Organizmi më i lartë i futbollit në Kontinentin e Vjetër dhe presidenti i saj, Mishel Platini, kanë nënvizuar të hënën politikën e tolerancës kundrejt korrupsionit në futbollin europian. Platini ka theksuar synimet e UEFA-s gjatë mbledhjes së fundit të Komitetit Ekzekutiv, të zhvilluar në La Valeta, Maltë.
Problemi real - Numri një i qeverisë së futbollit europian, ka insistuar se do t’i shpallë luftë çdolloj trukimi si në kompeticionet europiane ashtu edhe në ato kombëtare. “Do të përdorim të gjithë forcën tonë për të luftuar të korruptuarit në futboll, deklaroi Platini. Në qoftë se dikush, qoftë edhe gazetarët, e dinë rezultatin e një ndeshjeje para se ajo të luhet, një gjë e tillë vret interesin dhe futbollin. Sinqerisht, ky është një problem serioz”.
Tema serioze – Ndërkohë, presidenti i UEFA-s nuk ka nguruar të bëjë të njohura edhe masat e ashpra që do të merren në dëm të të implikuarve në trukimin e një ndeshjeje futbolli. “Cilido lojtar që do të vërtetohet se është pjesë e një trukimi të mundshëm, nuk do të luajë më kurrë futboll, kërcënon Platini. Cilido gjyqtar i korruptuar, nuk do të mund të arbitrojë më kurrë. Cilido president apo trajner i implikuar në trukim nuk do të drejtojë më ose nuk do të stërvisë më asnjë klub. Ky është vullneti i presidentit dhe i Komitetit Ekzekutiv. Nuk mundet t’i trajtojmë këto tema në një mënyrë sipërfaqësore”.
Sistemi i zbulimit - UEFA ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për një futboll pa trukime. Në këtë drejtim janë investuar shuma të mëdha në ngritjen e Sistemit të Zbulimit të Trukimeve lidhur me bastet ilegale (BFDS). Po ashtu, UEFA ka premtuar se do të mbajë nën kontroll të gjitha ndeshjet e kompeticioneve të saj, Europa League, Champions League, ashtu sikurse edhe të gjitha ndeshjeve të kampionateve kombëtare të Kategorive I e II dhe të kupave kombëtare. Gjithashtu, UEFA është duke siguruar ndihmë për hetuesit gjermanë që po hetojnë një skandal bastesh-futbolli në nivelin europian dhe që po hetojnë rreth 50 ndeshje në kompeticionet europiane.
Plaga shqiptare – Më 25 nëntor, UEFA bëri publik skandalin më të madh të trukimeve, kur dhe u vunë nën hetim shtatë ndeshje të Champions League dhe Europa League, ku bënin pjesë edhe dy klubet shqiptare, Tirana e Vllaznia. Ndeshja e kthimit Stabaek-Tirana (4-0), është ndeshja e vetme nën hetim nga edicioni i Champions League 2009. Ndërsa në gjashtë ndeshjet e tjera, të vlefshme për turin e dytë eliminator të Europa League 2009, dy i përkasin përballjes së Vllaznisë në sfidën e dyfishtë me Rapidin e Vjenës: humbja 5-0 në Austri dhe ajo 0-3 në kthim në Shkodër. Masat drastike të cituara nga Platini qëndrojnë si “Shpata e Demokleut” mbi kokat e dy klubeve shqiptare, të cilat, nëse rezultojnë të implikuara në fund të hetimit në vazhdim të UEFA-s, rrezikojnë jashtëzakonisht shumë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›