E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenderbeu kerkon historine

Skënderbeu është 90 minuta larg historisë. Kampionët e Shqipërisë do të zbresin sot në orën 20:30 në fushë për të tentuar kualifikimin në turin e tretë të Champions League. Misioni nuk është nga më të thjeshtet, pasi korçarët kanë përballë Debreçenin, ekipin që në vitet e fundit ka dominuar futbollin hungarez.

Gjithsesi, avantazhi i fitores 1-0 në sfidën e parë është mjaft I rëndësishëm dhe me pak kujdes e shumë sakrificë aim und të rezultojë vendimtar. Skënderbeu pritet të luajë sërish me skemën 4-4-2, ku aktivizimi i Bratiç në vend të Allmuçës mund të jetë ndryshimi i vetëm.

Por, stafi teknik po mendon edhe një skuadër të rreshtuar me forca të shumta në mesfushë, me skemën 4-5-1 për ti dhënë garanci mbrojtjes dhe shfrytëzuar hapësirat e Debreçenit me kundërsulme të shpejta. Nëse do të preferohet kjo mënyrë loje, në stol pritet të përfundojë sulmuesi Daniel Xhafaj.

Sido që të jenë variantet taktike, një gjë është e sigurt. Korçarët nuk i tremben kundërshtarëve dhe është konfirmuar nga Hungaria nga bosi i klubit, Agim Zeqo. “Debreçenin do ta mundim sërish si në Korçë. Ata janë një skuadër cilësore dhe me traditë, por ky Skënderbe nuk ka frikë”, janë fjalët e presidentit përpara ndeshjes.

Në anën tjetër, trajneri Stanislav Levi ka nënvijëzuar se ekipi nuk do të luajë vetëm për tu mbrojtur. “Kemi udhëtuar në Hungari me besimin se mund të shkruajmë historinë dhe se mund të bëjmë diçka të madhe për tu kualifikuar. Nuk luajmë në mbrojtje, edhe sepse kështu është e sigurt që pëson. Nuk duam të luajmë me fatin, por me aftësitë tona. Do të provojmë të sulmojmë dhe të shfrytëzojmë mundësitë që mund të na krijohen”, tha drejtuesi i stolit të Skënderbeut.

Sfida do të luhet në “Varosi Stadium” me kapacitet 16 mijë vende. Impianti pritet të jetë i mbushur me tifozë, ndërsa nuk kanë munguar as fansat që kanë udhëtuar nga Korça, por ka edhe shqiptarë që jetojnë në emigrim dhe që do të jenë në tribuna.

Gjyqtari i takimin do të jetë Kristo Tohver nga Estonia, ndërsa ekipi që kualifikohet do të luajë në turin e tretë me fituesin e çiftit Vardar-BATE Borisov.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›