Malindi: “Golat, dhurata ime për presidentin Albert Xhani”

Albania-Sport - Enco Malindi, i mbiquajturi "Ibrahimovici" shqiptar, u shndërrua në një "killer" të pamëshërshëm të kampioneve në fuqi, Elbasanit, pikërisht në stadiumin "Ruzhdi Bizhuta", ku talenti 19-vjecar ia shpërbleu në mënyrën më madhështore besimin që patën ndaj tij presidenti i FK Partizani, Albert Xhani, dhe trajneri Hasan Lika.
Malindi, i cili të martën, më 6 shkurt 2007, do të luajë në Athinë kundër Greqisë U-21, me dy golat e tij brenda fraksionit të katër minutave (67' dhe 71'), shkatërroi shpresat e Elbasanit për mbrojtjen e titullit, por dhe humbjën e pamenduar në premierën e trajnerit të ri të Elbasanit, Edmond Gëzdari.
Një fitore më shumë vlera për të kuqtë në ballafaqimin e 110 me verdhbeblutë, teksa Partizani regjistroi fitoren e 66 përkundrejt 17 të Elbasanit (27 barazime).
"Golat e mi ia dedikoj presidentit të Partizanit, Albert Xhani, i cili tregoi besim të vlerat e mia si futbollist i ri. Nuk dua të lë pa përmendur trajnerin Hasan Lika, por dhe familjen time dhe të gjithë median shqiptare, që më kanë trajtuar më vemendje. Ndeshja e Shpresave në Athinë? Një gol atje do të ishte e jashtëzakonshme. Presidenti Xhani ndodhet tani rrugës për në Athinë dhe më përgëzoi përmes telefonit për për golat".
Enco Malindi bëhet kështu "dhuruesi" i fitores së katërt jashtë fushe të Partizanit, por ajo që e bën dyfish të rëndësishme tripikëshin e marrë në fushën e vështirë të kampionevë, është fakti se u fitua ndaj një ekipi si Elbasani, që zhvilloi një merkato të fuqishëm me emra të tillë si Merkoci e Patushi, ndërkohë që Partizani pati disa rrjedhje: Dorian Bylykbashi e Henri Ndreka.
Partizani u ngjit në kuotën e 30 pikëve, po aq sa Vllaznia me të cilën ndajnë vendin e tretë, ndërsa Elbasni mbeti në kuotën e 26 pikëve, tashmë në luftë vetëm për Kupën Intertoto.