Zhvendosen te godina e re, Krimet e Rënda
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet të zhvendoset këtë javë në zyrat e reja, të cilat ndodhen në të njëjtën godinë me Gjykatën e Krimeve të Rënda. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre gjatë kësaj jave nis transferimi i prokurorisë së Krimeve të Rënda në zyrat e reja të ndërtuara me ndihmën e Komisionit Evropian në rrugën “Jordan Misja” në Tiranë. Projekti modern i godinës së financuar nga KE, mori parasysh projekte të suksesshme në perëndim për vendosjen e gjykatës dhe prokurorisë brenda të njëjtës godinë. Në këtë mënyrë, në godinën e re me kushte bashkëkohore, veç zyrave të gjyqtarëve të Krimeve të Rënda, sallave të proceseve, tunelit për lidhjen me burgun dhe një sërë ambientesh të reja, u ndërtuan edhe zyrat e prokurorëve të krimeve të rënda. Godina përfundoi së ndërtuari rreth dy vjet më parë por prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk u transferua në këtë godinë për shkak se Ministria e Drejtësisë tentoi disa muaj më parë, ndryshimin e destinacionit të zyrave duke programuar vendosjen e Gjykatës Administrative në hapësirat e parashikuara për prokurorinë. Kjo çështje tashmë duket se është zgjidhur ndërsa këtë javë, zyrat e prokurorisë së krimeve të rënda zhvendosen nga zona e 9-katësheve në Tiranë për në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Sipas projektit, do të mundësojë lëvizjen e prokurorëve brenda godinës në rastet e pjesëmarrjes në seanca si dhe mbajtjen e dokumenteve të dosjeve penale brenda një ndërtese edhe në momentin kur procedimi penal përfundon se hetuari dhe dërgohet në Gjykatë. Që nga krijimi i saj në janar 2004, Zyra e prokurorisë së Krimeve të Rënda u vendos në ambientet ku më parë ka qenë Prokuroria Ushtarake e Tiranës. Kjo e fundit liroi ambientet duke u vendosur në Prokurorinë e Tiranës. Tashmë më godinën që pritet të lirohet nga Krimet e Rënda, do të vendoset administrata e Prokurorisë së Apelit të Tiranës.