Greqia nis hetimet, 7 anije me radioaktivë në detin Jon
Greqia ka vendosur të hetojë mbi dyshimet, se mbeturina toksike e radioaktive janë hedhur në thellësinë e detit Jon nga anëtarë të mafies italiane me famë ndërkombëtare, “Ndragheta”. Autoritetet greke vendosën të hedhin këtë hap pas deklaratave të një ish-anëtari të “Ndraghetës” në Itali, i cili tregoi se kishte qenë vetë i pranishëm në mbytjen e tri anijeve të tilla në brigjet e Kalabrisë. Por gjatë rrëfimit të tij, ka treguar se harta e territorit ku mund të jenë zhytur anijet është zgjeruar dhe ka prekur edhe Greqinë, mbase edhe Shqipërinë, që preken nga deti Jon. Dyshimet se anije toksike janë zhytur nën ujërat e Mesdheut nuk janë të reja. Në vitet 1990, prokurorët italianë nisën një seri hetimesh mbi anije të fundosura që transportonin mbeturina toksike në brigjet e Italisë, Greqisë, Maltës dhe Libisë. Këto hetime u mbyllën në atë kohë për shkak të mungesës së provave dhe mungesës së mbështetjes nga shteti italian. Sipas shoqatave ambientaliste në Itali, të cilët pretendojnë se kanë mbi dy dekada që përpiqen të zbulojnë këto dyshime, në çështje janë përfshirë jo vetëm anëtarë të mafies, por edhe presidentë të kompanive të fuqishme të ndryshme farmaceutike botërore dhe politikanë italianë. Sipas mediave greke, nga 30 mjete lundruese që janë zhytur në thellësi të ujërave mesdhetare gjatë dy dekadave të fundit, 7 janë fundosur pranë ishujve joniane Paksoi, Cefalonia dhe Zakinthos.
Dëshmia
Një ish-anëtar i mafies, gjatë dëshmisë së tij disa javë më parë, vërtetoi atë që ambientalistët në Itali kishin mbi dy dekada që e dyshonin. Francesco Fonti, një ish-anëtar i organizatës italiane të krimit ndërkombëtar, “Ndrangheta”, tha se në fund të lumit Jon janë fundosur nga kjo organizatë shumë anije tregtare që mbanin lëndë radioaktive dhe substanca helmuese. Në dëshminë e tij në polici, Fonti tha se ishte i përfshirë personalisht në fundosjen e tre anijeve që përmbanin mbeturina radioaktive në rajonin e Kalabrisë, dhe ka dijeni se së paku 30 anije të tjera janë mbytur në det gjatë 20 viteve të fundit, një nga të cilat është vendosur vetëm në brigjet e Toskanës. Sipas Fontit, anijet përmbanin mbetjet toksike nga kompanitë farmaceutike, që i kishin paguar anëtarët e mafies “Ndrangheta” “midis 1,5 dhe 15 milionë euro për anije, për t’i mbytur me dashje ato”. Më 12 shtator, autoritetet italiane zbuluan një nga këto anije rreth 17 milje larg bregut, pranë qytetit të Cetraro në Kalabri. Ditë më vonë, autoritetet rajonale dërguan zbulues robotikë në rreth 1.000 metra nën nivelin e detit, për të hetuar praninë e mbetjeve radioaktive apo toksike. Robotët zbuluan rreth 120 kontejnerë të izoluar dhe dy kafka njerëzish brenda anijes. Autoritetet italiane po hetojnë nëse 120 kontejnerët e gjetur përmbajnë mbetje toksike.