E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendet vakante, gjyqtarët braktisin qytetet e vogla

 

Fatos Mahmutaj

Togat e zeza braktisin rrethet e vogla. Lajmi pohohet nga burime të KLD-së sipas të cilave janë qindra kërkesa të gjyqtarëve të Faktit dhe Apelit për t’u transferuar në Tiranë apo rrethet e tjera të mëdha, ndërsa askush nuk ka paraqitur kërkesë për t’u transferuar nëpër gjykata të rretheve të vogla. Një shembull konkret për këtë është Gjykata e Përmetit, për të cilën pak ditë më parë Presidenti i Republikës dekretoi se do funksionojë me katër gjyqtarë, njëri prej të cilëve do të mbajë postin e kryetarit. Po kështu sipas të njëjtave burime, kërkesat e gjykatësve për transferime janë të drejtuara të gjitha për Gjykatën e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Kavajës, ndërsa janë shumë të pakta kërkesat për transferime të togave të zeza nëpër gjykata Fakti të rretheve të mëdha në Jug apo Veri. Kurse për rrethet e vogla, nuk ka asnjë kërkesë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pak ditë më parë nënkryetari i KLD-së në një prononcim për mediat pohoi se janë rreth 100 gjykatës të dy Shkallëve të Para të gjyqësorit që do të transferohen nëpër gjykata të ndryshme, në fillim në plotësim të numrit të nevojshëm të togave të zeza sipas dekretit të Presidentit Topi, ndërsa më pas do të merren masa për transferimin e atyre gjykatësve që për shkak të qëndrimit të gjatë nëpër gjykata të rretheve të vogla janë familjarizuar me qytetarët. Mbledhja e radhës e KLD-së pritet të zhvillohet në ditët e para të muajit nëntor kur anëtarët e KLD-së do të propozojnë në mënyrë të argumentuar transferimin e gjykatësve nëpër gjykata Fakti të rretheve të ndryshme, ndërsa procedurat do të përfundojnë me votimin nga anëtarët e Këshillit. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili mban për shkak të detyrës edhe postin e Kryetarit të KLD-së, dekretoi më datë 16 shtator të këtij viti numrin e togave të zeza për gjykatat e Faktit dhe Apeleve në vend, duke rihapur edhe gjykakat të rretheve të vogla, të cilat u mbyllën si jo efeciente para dy vitesh. Ngarkesa e punës në këto institucione u transferua nëpër gjykata të rretheve të tjera më afërta, apo nëpër gjykatat më të mëdha të distrikteve të Apelit, ku dhe u transferua pjesa dërmuese e togave të zeza, të cilëve iu suprimuan vendet e punës. Por tashmë, mospërballimi i punës nëpër gjykatat e mëdha, si dhe shtimi i numrit të çështjeve nëpër këto rrethe u bë shkak që të rihapeshin gjykatat nëpër këto rrethe të vogla. Sipas dekretit të kreut të shtetit në territorin e Republikës së Shqipërisë ushtrojnë veprimtarinë 23 Gjykata të Shkallës së Parë dhe 7 Gjykata Apeli. Sipas këtij dekreti në total numri i togave të zeza në Gjykatat e Faktit duhet të jetë 299, ndërsa në Apel 75. Ky numër duhet të plotësohet nga KLD-ja brenda këtij viti, ndërsa në vitet e ardhshme pritet të rritet, pasi do të shtohet numri i gjyqtarëve në Gjykatën e Tiranës, për vetë ngarkesën e punës që ka ky institucion. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›