Besa shpërdoron, Tirana merr një pikë në Kavajë
Leonard KarajBesa dhe Tirana ndanë nga një pikë në barazimin 1-1 në ndeshjen përmbyllëse të javës së 15-të, një takim i mbyllur me dhjetë lojtarë për bardheblutë, pas largimit me të kuq pas dy të verdhave të mbrojtësit Ditmar Bici. Një barazim që më shumë i shkoi për shtat Dinamos kryesuese (41 pikë), që tashmë e sheh veten me 14 pikë më shumë se Besa e vendit të dytë, 17 se Apolonia (vendi i tretë) dhe 18 se Tirana (vendi i katërt). Për tu theksuar ka qenë fakti se vendasit kanë thuajse dominuar këtë takim por nuk u treguan shumë të kujdesshëm në fund kur "miqtë" nga Tirana barazonin. Ndërsa ka pasur kontestime nga ana e verdhezinjve edhe për gjyqtarin e takimit, Erjon Dobi për momentin e golit bardheblu. Sipas kavajasve nuk ka pasur faull në dëm të tyre, në fund të takimit kur Ahmataj nga jashtë zone me një goditje dënimi dërgoi një parabël të paarritshme për portierin Orges Shehi. Pjesa e parë foli për vendasit të cilët rrezikuan me Mihanin, Xhafajn para se Dritan Babamusta të shënonte golin e avantazhit. Ndërsa te Tirana veç ndërrimit të detyruar për shkak dëmtimi të Andi Lilës me Tefik Osmanin nuk kishte thuajse asgjë për të shënuar. Në pjesën e dytë, Daniel Xhafaj i pati të gjitha mundësitë për të dyfishuar rezultatin, por topi i goditur nga vlonjati 32-vjeçar ngeci në baltovinën e zonës së vogël të portës së Tiranës, duke u shndërruar lluca në një "lojtar të 12-të" bardheblu. Kapiteni Orges Shehi priti gjuajtjet e Sefës, por jo atë goditje të lirë e të kalibruar të Jualian Ahmatajt në minutën e 88-të, një top i përfunduar në trekëndëshin e portës. Goli i dytë sezonal i elbasanasit Julian Ahmataj. Kavajasit protestuan në mënyrë normale ndaj vendimit të gjyqtarit durrsak Erion Dobi për dhënien e goditjes së lirë. Dy minuta më pas, mbrojtësi Ditmar Bici, një nga lojtarët më të mirë të Tiranës në këtë takim u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë e rrjedhimisht të kuq.