Mësime që mund të nxjerrim nga krizat
Ermal Frashëri Katërvjeçari i ardhshëm elektoral mund të rezultojë fare mirë në një kohë të vlefshme për zhvillimin e vendit, por njëkohësisht ka edhe potencialin për t’u kthyer në një kohë stagniacioni. Nga do të luhatet peshorja? Në këtë shkrim dua të hedh dritë mbi disa argumente, ndaj të cilave mendoj së ekzekutivi duhet të procedojë me kujdes për të bërë të mundur një zhvillim të qëndrueshëm të vendit, zhvillim ky që në fund të fundit përmban brenda përfitime politike, të cilat normalisht duhet të përbëjnë edhe incentiva për ekzekutivin.Në shumicën e debateve mbi zhvillimin social ekonomik pas viteve ‘90, pjesëmarrësit nxjerrin argumentet e turizmit dhe krahut të lirë të punës si shkaqe që sjellin zhvillimin e vendit. Pa u mënjanuar besimi në këto mite, është e vështirë të punohet për një zhvillim të qëndrueshëm. Nëse e kapim nga kjo lidhje e fundit, shkak pasojë midis krahut të lirë të punës dhe zhvillimit, atëherë ekzekutivi duhet të jetë rehat edhe nëse nuk merr asnjë masë, sepse edhe sikur përpjetë të hidhemi ne të gjithë për të gjetur argumente tërheqës, bazuar në këtë lidhje për investorët e huaj, nuk ka asnjë shans që argumenti i krahut të lirë Shqiptar të punës të konkurrojë me krahun e lirë të punës që gjendet në vendet aziatike. Madje edhe ajo që mund të quhet avantazh për sa i përket vendosjes gjeografike të Shqipërisë në Evropë, në ditët e sotme nuk përbën më ndonjë avantazh që mund të ndryshojë raportin e kostos dhe si rrjedhojë lëvizjes së mundshme të industrive që bazohen në punën intensive, labor intensive industries, nga Azia për në Shqipëri. Ka dhjetëra vite që transporti detar është aq i fuqishëm saqë largësia nuk përbën më problem për të arritur dhe penetruar çdo treg të botës me produkte që dalin nga vendet aziatike. Lidhja tjetër shkak pasojë midis turizmit dhe zhvillimit është ndoshta edhe paradoksi, apo ajo që në anglisht quhet fallacy, më e madhe e këtyre 20 viteve të diskursit shqiptar mbi zhvillimin. Asnjë teori ekonomike mbi zhvillimin nuk është bazuar dhe nuk bazohet mbi këtë lidhje. Boshësia e argumentit se turizmi është zgjidhje e problemeve të vendit del në pah me disa pyetje dhe argumente të thjeshtë. Le të marrim për shembull se në 3 milionë e pak njerëz në vend (sipas statistikës së INSTAT për 1 janar 2008), ku afro 800,000 prej të cilëve jetojnë në Tiranë, e cila nuk ka as dalje në det e as në ndonjë liqen të lezetçëm, madje edhe ai mali i Dajtit është ca i vogël për të qenë burim serioz turizmi, sa për qind e tyre do të përfitojnë të ardhura, punësim apo kualifikime nga turizmi? Mund të pretendohet të thuhet si kundërargument se turizmi mund të krijojë ato që Myrdal i quan lidhje të passhme dhe të përparme, nëpërmjet të cilave bëhet një shpërndarje e të ardhurave dhe në sektorë të tjerë, por në këtë vend tonin të dashur nuk është se ka ndonjë industri të konsiderueshme në këmbë që të krijohen këto lloj lidhjesh që edhe në rastin më të mirë do të funksiononin vetëm gjatë 2 ose maksimumi 4 muajve të sezonit turistik. Madje, mbetet për t’u parë se edhe sa nga ata qytetarë të zonave bregdetare arrijnë në fakt të përfitojnë nga të ardhurat që sjellin turistët dhe punësohen në atë sektor. Këtu nuk është se bëhet një rishpërndarje e mbivlerës që krijohet nga ajo që njihet gjerësisht, si zhvatje që i bëhet turistëve në vendin tonë, situata është se mbivlera në Shqipëri përvetësohet tërësisht nga pronarët e hoteleve apo restoranteve, të cilat janë në shumicën e rasteve biznese familjare. Lind pyetja, ata afro 90,000 vlonjatë, afro 250,000 durrsakë, apo afro 50,000 sarandiotë, si do të arrijnë të jetojnë, dhe pretendohet që ato qytete të kenë progres, kur i bie të punohet vetëm për një pjesë të vogël të vitit dhe nga një pakicë e njerëzve? Si mund të pretendohet të bëhemi një vend i zhvilluar, kur për 8 muaj të vitit këta njerëz dredhin zinxhirin, se nuk është se bëhet ndonjë gjë tjetër në qytetet bregdetare gjatë vjeshtës, dimrit dhe pranverës!? Për të mos thënë që në shumicën e qyteteve të Republikës, gjatë gjithë vitit kemi të bëjmë me një situatë të trishtuar papunësie, që përkohësisht është zgjidhur me nxitjen e emigracionit. Këtu po përdor kryesisht disa argumente ekonomike, pa ngritur argumente antropologjikë dhe sociologjikë për mungesën e traditës së turizmit dhe shërbimit në vend, mungesë e cila duket ditën me diell sa hyn në shumicën e restoranteve apo hoteleve të plazhit. Turizmi në rastin më të mirë mund të jetë një suplement për të rritur të ardhurat dhe sasinë e valutës së huaj, por nuk duhet të besohet se mund të kthehet ndonjëherë në burimin parësor të të ardhurave dhe të sjellë zhvillim të vendit. Nuk ka vend në botë që të jetë mbështetur te turizmi apo tek krahu i lirë i punës, si shkaqe që sjellin zhvillim. Përkundrazi, baza e zhvillimit historikisht dhe aktualisht si ndër vendet e zhvilluara edhe midis vendeve në zhvillim qëndron te zhvillimi i industrive me teknologji të lartë, industrive me teknologji të mesme dhe shërbimet. Vlen për të përmendur në lidhje me shërbimet, se edhe ekonomitë që sot bazohen te shërbimet si burimi kryesor i të ardhurave në shumicën e rasteve, hiq deri diku Singaporin, Hong Kongun dhe Zvicrën, mbështeten ose janë mbështetur tek industria me teknologji të lartë dhe të mesme. çfarë mund të shërbesh nëse nuk prodhon, apo nuk ke eksperiencën për të prodhuar diçka?! Për të mos folur pastaj që shërbimet kërkojnë njerëz të super kualifikuar. Duke pasur parasysh se kurba e mësimit për të kaluar nga një vend jo industrial në një vend industrial me teknologji të lartë kërkon kohën e saj të përvetësimit, nuk ka përse të mbetemi mbrapa dhe të mos shpenzojmë për të krijuar një bazë të shëndetshme të industrive të teknologjisë së mesme, rregullimin e infrastrukturës dhe rritjen e investimeve për kualifikimin e njerëzve. Në një situatë kur edhe konkurrenca dhe mundësitë për zhvillim në botë janë të kufizuara, rritja e shpenzimeve për të ngritur industri me teknologji të mesme, rregulluar infrastrukturën, rritjen e kualifikimeve të njerëzve, ngritjen dhe modernizimin e prodhimit bujqësor, duhet të përbëjë përparësi për këtë 4- vjeçar. Të tërë këto elementë janë të lidhur me njëri-tjetrin, p.sh. nga modernizimi i bujqësisë, duke mundësuar futjen e kapitalit në fshat dhe rregullimin e lidhjes prodhues-treg i jepet një nxitje sektorit të industrisë përpunuese dhe të bërjes dhe riparimit të makinerive. Rregullimi nga qeveria i lidhjes financues-prodhues sjell efekte direkte në rritjen e kapaciteteve industriale dhe rritjes së prodhimit vendas, i cili duhet të synojë të përdoret si brenda vendit por kryesisht edhe për eksport në tregjet e vendeve në zhvillim apo vendeve më pak të zhvilluara. Një përmirësim në situatën e prodhimit vendas i jep një shtytje edhe përmirësimit të sektorit të shërbimeve. Po të marrim sektorin bankar, ndonëse numri i bankave është shtuar në krahasim me vitet e kaluara, përsëri ai sektor është akoma fëmijë në krahasim me vendet e tjera të kontinentit, për të mos thënë gjë për efiçencën e transaksioneve. Për të ilustruar këtë pikë të fundit, nëse hyn në një bankë në Tiranë të del shpirti për bërë një gjë aq të thjeshtë, siç është thyerja e një çeku, si çek personal po ashtu edhe nga ata American Express. Nuk zgjidhet gjë pa kaluar të paktën 30 minuta dhe pa nxjerrë nja 2 dokumente identifikuese, dhe pas disa konsultave me shefat. Ky formalizëm dhe inefiçencë në kulm janë të patolerueshëm për çdo njeri që do të ketë një marrëdhënie serioze me bankën. Një shef stafi i Shtëpisë së Bardhë ka thënë dikur se nuk duhet të shpërdorohet një krizë. Duke qenë se bota, dhe në veçanti vendi, akoma ka për të mësuar nga kriza e fundit, atëherë edhe ky katër vjeçar që përkon me një qeveri të re duhet përdorur në maksimum për të inkurajuar ide dhe polítika që sjellin zhvillim me baza solide për vendin. *Jurist, kandidat për Doktor, Universiteti Harvard