Votat në zonat e ankesave s’rinumërohen
Presidenti Fatmir Sejdiu dhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, kanë vizituar Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku kanë shprehur mbështetjen e tyre Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në procedimin e mëtejmë të numërimit. Por në zonat me probleme, numërimi është anuluar. Sipas KQZ-së dhe QNR-së numërimi i votave me kusht, për komunat ku kishte parregullsi, duhet të presë vendimet e KZAP-it. Ambasadori Dell ka theksuar se anulimi i nëntë vendvotimeve dhe parregullsitë e tjera, në përqindje janë një shifër shumë e ulët që të mund të konstatohet se procesi zgjedhor ka dështuar. “Të thuash se ka pasur probleme në më pak se 1 për qind të vendvotimeve, nuk mund të thuash se ka pasur mashtrim masiv, ose se kjo e zhvleftëson procesin, është thjesht një hiperbolizim”, vlerësoi Dell.