E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrok Mirdita, 17 vjet për "Një Shqipëri me Zotin"

 Kur u shugurua Ipeshkëv, përpara tij ngrihej një sfidë e madhe. Të kthente në shtëpinë e Zotit, djalin plangprishës. Një vend për 40 vjet ateist, që iu mohua besimi, madje që i injektuan urrejtjen për Zotin e për fenë. "Për një Shqipëri me Zotin- përsiatjet e një bariu shpirtëror", kështu titullohet libri në tre vëllime i Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkv në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës, i cili u prezantua mbrëmë. Ky promovim u organizua nga Forumi për Aleancën e Qytetërimeve në bashkëpunim me Arqipeshkvinë Tiranë - Durrës. Nën moderimin e Besnik Mustafaj, personalitete në fushën fetare dhe akademike, si Peshkop Andon Merdani nga Kisha Orthodokse, Don Marian Paloka, kurues i vëllimeve, Z. Ermir Gjinishi nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, Rafaela Marteta, pedagoge në UT, etj., folën jo vetëm mbi këtë libër voluminoz, por edhe për veprimtarinë e imzot Rrok Mirditës. Sipas Mustafajt, botimi si libër i predikimit dhe shkrimeve të një ipeshkvi është një shërbim shumë i dobishëm për Kishën, dhe për shumë arsye. Për arsye didaktike, historike dhe baritore. "çfarë do të kishim ditur për situatën e Kishës në shekullin e dytë, për shembull, po të mos kishim shkrimet e ipeshkvinjve si shën Injaci i Antiokisë ose shën Irenei? Ipeshkvi është gjithmonë dëshmitar i gjallë i jetës së Kishës vendase në një periudhë të caktuar të historisë së Kishës". Libri është një përmbledhje e fjalimeve që ipeshkvi ka mbajtur me rastin e festave të mëdha fetare, si për krishtlindje, apo Pashkë, por edhe në takime me të rinj. Nuk mungojnë edhe lutjet e përshpirtshme në momente kyçe të historisë së Shqipërisë. Janë ato në vitin e vështirë 1997, kur vendi u përfshi nga shkatërrimi, për të vijuar me lutjet drejtuar Zotit në vitin 1999, kur qindra mijëra kosovarë u detyruan të braktisin vendin e tyre për shkak të luftës së përgjakshme në Kosovë. Të gjithë referuesit nuk mund të ndaleshin në punën e vështirë, që iu desh të bënte ipeshkvi në një vend të shkatërruar nga diktatura. "Pas vitit '90 Shqipëria ishte e pasur me martirë, por e varfër në klerikë", u shpreh ndër të tjera pedagogia Gentiana Skura. Dhe ishte pikërisht kjo detyra e këtij bariu shpirtëror, që të mblidhte sërish grigjën e tij, të mbështeste klerikët e mbijetuar nga diktatura, të ringjallte besimin tek shqiptarët e të ringrinte sërish objektet e kultit, të cilat gjatë viteve të diktaturës u shkatërruan. "Të ndieja plagët, si të ishin të miat", thotë në librin e tij Mirdita. Pedagogia Skura e më tej Peshkop Andon Merdani e përfaqësuesi i komunitetit mysliman Ermir Gjinishi, kujtuan vitin e tmerrshëm 1967, kur Shqipëria u shpall vendi i vetëm ateist në botë, u mbyllën të gjitha objektet e kultit, kisha e xhamia e shumë syresh u kthyen në magazina e stalla kafshësh. Kjo ishte Shqipëria në dekadën e fundit të mijëvjeçarit të dytë e cila duhej të ringjallej. Ky rrugëtim 17-vjeçar është përmbledhur në veprën "Për një Shqipëri me Zotin", i përgatitur nën kujdesin e Marian Palokës, Marjan Lumçit dhe Gjergj Metës, duke e vendosur Imzot Rrok Mirditën në traditën e shquar të klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›