E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni del nga spitali, blindohen të gjitha rrugët që të çojnë te vila e tij

 Kryeministri italian, Silvio Berluskoni ka dalë dje në mëngjes nga spitali duke u drejtuar për në shtëpinë e tij në Arkore, ku jashtë e prisnin me duartrokitje një grup simpatizantësh. Atje mbërriti rreth orës katër pasdite, me një fashë të madhe në fytyrë që i mbulonte gjurmët e dëmtimit në hundë dhe gojë. Para se të hipte në makinë ai ka përshëndetur gazetarët. Kryeministri italian, 73 vjeç ka lënë edhe një mesazh për masën e gjerë. “Nuk do të triumfojnë as dhuna dhe as gurët, madje as fjala më e keqe. Do të shkojmë para me më shumë forcë dhe vendosmëri drejt rrugës së lirisë”, shkruante ai. Më pas iu drejtua opozitës, “Në këto ditë kam ndjerë afër edhe disa liderë politikë të opozitës. Nëse qëndrimi i tyre për politikën tonë ndryshon, atëherë dhimbja ime nuk ka qenë e kotë”. Mediat italiane e komentojnë Berluskonin të qeshur. Mjeku personal i kryeministrit, Alberto Zangrillo, i kontaktuar nga media italiane ka deklaruar se Berluskoni kishte kaluar një natë të qetë dhe me më pak dhimbje në krahasim me ditët e mëparshme. Të gjitha rrugët që të çojnë në hyrje të vilës së kryeministrit janë blinduar nga forcat e policisë dhe nuk lejohen as gazetarët që të afrohen në një distancë prej 100 metrash. Berluskoni u shtrua në spital pas sulmit që pësoi të dielën në sheshin “Duomo” të Milanos në një tubim politik, nga një 42-vjeçar me probleme mendore, Massimo Tartaglia, i cili e qëlloi në fytyrë me një statujë të vogël.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›