Besa, synon famë ndërkombëtare

Gjenevë, janar – Këngëtarja Besa Krasniqi është lindur në qytetin Granna të Suedisë, nga prindër shqiptarë. Ajo është një këngëtare që po e pasuron dita-ditës karrierën e saj muzikore. Ka realizuar dy albume shqip dhe tani ka filluar t’i kushtohet karrierës ndërkombëtare dhe është duke punuar në albumin e ri, i cili do të editohet së shpejti. Në këtë album, Besa tregon se po punon me producentë ndërkombëtarë.
Rozë: Kush është Besa Krasniqi?
Besa: Është një vajzë, e cila ka lindur në Suedi, në qytetin Gränna, më 5 mars 1993. Prindërit e mi janë nga Trimori i Vushtrrisë. Aktualisht jetoj në Suedi bashkë me familjen.
Rozë: Kur keni filluar të merreni me muzikë?
Besa: Me muzike kam filluar të merrem kur isha e vogël. Si fillim kam pasur përkrahje nga babai im. Si trivjeçare kam marrë pjesë në shfaqje artistike, ku këndoja nëpër gara të ndryshme. Tani me duhet të shtoj se muzikën, pos që e mësoj në shkollë, atë dhe e kam trashëgim nga gjyshi, xhaxhallarët. E gjithë familja kanë luajtur në instrumente të ndryshme muzikore.
Rozë: Cilat janë sukseset më të mëdha deri tani? Ndonjë garë, festival...?
Besa: Sukseset për moshën që kam janë të shumta. Kam fituar më shumë se 12 çmime të para të dyta dhe të treta. Si e vogël kam realizuar dy albume në gjuhën shqipe për fëmijë: “Hëna e di lojën” dhe “Fluturat në erë”. Njeri album ka pasur tetë këngë, tjetri 10. Pastaj nëpër media kam pasur tri reportazhe nëpër TV. Kam kënduar nëpër TV edhe në Suedi, ku prezent ishin edhe autoritete të kulturës, si ministresha e Kulturës së Suedisë, Lena Halengren. Pastaj kam fituar disa festivale. Një ishte shumë i popullarizuar dhe vetëm unë kam qenë nga të huajt pjesëmarrëse. Ka zgjatur më tepër se katër jave, e fitova dhe finalen në festivalin Sportlight. Aty i rashë në sy kompanisë “Pammareicords”, të cilët me ftuan dhe ma bën “Singlen” me dy këngë në anglisht: “Hej DJ” dhe “Yes, I’m Sure”. Ky singel u shit në gjithë Evropën. Edhe pranimi në shkollën e muzikës, ku pranohen çdo vit vetëm 33 nxënëse. Pas një prove goxha të vështirë, tri orëshe, juria mori vendim. Më pranuan me poena maksimale. Këto ishin disa nga sukseset.
Rozë: Në çfarë gjuhësh këndon Besa, dhe a keni plane për suksese ndërkombëtare?
Besa: Këndoj ma shumë në anglisht, sepse janë rrethanat e tilla. Kam plane dhe do mundohem t’i realizoj me punë dhe të behëm këngëtare me famë ndërkombëtare. Kënga ime do jetë një zë në arenën ndërkombëtare edhe për popullin tim.
Rozë: Me kë bashkëpunoni në realizimin e këngëve tuaja, producent lokal apo ndërkombëtar?
Besa: Kam shumë bashkëpunëtorë. Nga ata lokalë kam bashkëpunuar me Alfred Kaçinarin. Tash po bashkëpunoj me vëllanë tim. Edhe ai është student në Fakultetin e Muzikës, producent dhe teknik i muzikës në Växjö. Pastaj me Fredrik Jansson, Maxe Akselsson dhe Thomas Johansson si dhe vetë i shkruaj tekstet. Tani jam duke studiuar edhe kompozimin.
Rozë: A pritet së shpejti ndonjë album i yti muzikor dhe nëse po, kur?
Besa: Po. Së shpejti pritet të dalë albumi në shqip dhe në anglisht. Në të dy gjuhët kam dhe ndihma nga të tjerët, por shumicën i bëj vetë tekstet. Më ndihmon babai nga pak, por dhe miq profesionistë. Po ashtu, edhe vëllau si teknik zëri, më ndihmon rreth kompozimeve.