Gjimnazistët kundërshtojnë reformën, bojkotojnë mësimin
Gjirokastër
Nxënësit e shkollave të mesme në qytetin e Gjirokastrës vazhdojnë të shikojnë si të vetmen rrugëzgjidhje të problematikave me të cilat ata përballen bojkotin e orëve të mësimit. Pas grevës së organizuar nga nxënësit e gjimnazit “Siri Shapllo” ditën e mërkurë, kanë qenë bashkëmoshatarët e tyre në shkollën e mesme “Asim Zeneli” të cilët kanë bojkotuar sërish procesin mësimor. Ditën e enjte, rreth 200 nxënës të klasave të 10-ta të gjimnazit “Asim Zeneli” nuk kanë hyrë në klasat e mësimit në shenjë proteste karshi kutikulave mësimore të përcaktuar nga ministria e Arsimit. Greva është organizuar nga qeveria e nxënësve dhe ka pasur si pikësynim sensibilizimin e institucioneve arsimore lokale dhe qendrore në lidhje me ndryshimet e reja në shkollat e mesme. “Ne nuk jemi dakord me mënyrën e përcaktimit të vlerësimit nëpërmjet pikëkrediteve apo raportin mes mungesave të arsyeshme dhe të paarsyeshme që duhet të këtë një nxënës për të ndjekur normalisht mësimin”, thonë nxënësit e shkollës së mesme “Asim Zeneli”. Madje sipas tyre megjithëse këto risi në programet e shkollave të mesme janë përcaktuar qysh në muajin shtator me nisjen e shkollës, ata janë vënë në dijeni vetëm në këto ditë të para të vitit 2010. Vetë nxënësit gjirokastritë kërkojnë nga organizmat arsimorë marrjen parasysh të sugjerimeve të tyre në këtë drejtim duke “kërcënuar” se në rast të kundërt ata do të përshkallëzojnë protestën e tyre. Një ditë më parë rreth 500 nxënës të gjimnazit “Siri Shapllo” në Gjirokastër bojkotuan mësimin duke kërkuar ndërhyrjen e pushtetit vendor për zbatimin e projekteve në lidhje me mirëmbajtjen e shkollës, ndërtimin e ambienteve sportivë.
#