E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, grup pune për evidentimin e familjeve në nevojë

Pas kalimit të emergjencës nga përmbytjet në veriperëndim të vendit, tri ministri, ajo e Punës, e Shëndetësisë dhe e Mjedisit kanë publikuar masat e reja që do të ndërmerren për normalizimin e situatës.
Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, ministri Petrit Vasili deklaroi se situata epidemiologjike në qarkun e Shkodrës është nën kontroll dhe se po vazhdojnë monitorimi shëndetësor në popullatë.
Në të njëjtën linjë ministri i Punës, Spiro Ksera, tha se ka nisur hartimi i listave për futjen e familjeve në skemën e ndihmës ekonomike. Kurse Ministria e Mjedisit në analizën mjedisore ka parashtruar dhe sfidat për rehabilitimin mjedisor të zonës.
Ministria e Punës
Në komisionin parlamentar ka raportuar dhe ministri i Punës, Spiro Ksera, i cili tha se në bashkëpunim dhe me pushtetin vendor, po hartohen listat për futjen e mijëra familjeve të dëmtuara në skemën e ndihmës ekonomike.
“Ky grup ka kontaktuar me përfaqësues të pushtetit vendor të zonës u ka kërkuar këtyre të fundit që përfshijnë në listat e të përmbyturve të zonës në skemën e ndihmës ekonomike të gjitha familjet e dëmtuara në këtë fatkeqësi natyrore. Flitet që së shpejti, ndoshta pasi të ketë mbaruar kjo fazë emergjence për fillimin e paraqitjes nga fermerët të dhënat e sakta të familjeve të dëmtuara, të cilat do t’i bashkëngjiten skemës aktuale të ndihmës ekonomike në qarkun e Shkodrës”, - u shpreh Ksera.
Ministria e Shëndetësisë
Ndërsa ministri Vasili është shprehur: “Vetëm në kujdesin shëndetësor parësor është ofruar shërbim mbi 370 mjekë, infermierë, mami dhe personel shëndetësor ndihmës. Rreth 110 mjekë dhe infermiere kanë mbuluar shërbimin shëndetësor 24 orë në zonat e prekura nga përmbytja, ndërkohë që janë kryer rreth 6000 vizita mjekësore”.
Ky dikaster gjithashtu ka siguruar të gjithë sasinë e barnave të nevojshme si antibiotikë, antihypertensivë, kardiakë, antidepresivë, antiinflamatorë, gastro intestinale etj. në sasi të bollshme. Barnat u janë shpërndarë në vend të gjithë pacientëve të zonave të përmbytura dhe atyre të evokuara. Për këtë Ministria e Shëndetësisë ka përgatitur dhe një plan konkret “Për shëndetësimin higjieno-sanitar të zonave te prekura”.
Instituti i Shëndetit Publik
Instituti i Shëndetit Publik ka kryer mbi 900 analiza për monitorimin e ujit të pijshëm. Sipas Vasilit, ky institucion ka bërë monitorimin e shkarkimeve të ujërave të zeza dhe sipërfaqësore në lidhje me nivelin e ndotjes mikrobiologjike, kimike, fizike, në bashkëpunim me Inspektoratin e Mjedisit dhe strukturat e pushtetit vendor.
Vasili deklaroi se gjatë këtyre ditëve ka pasur intensifikim të kontrolleve në subjektet tregtare me shumicë dhe pakicë për sigurinë e ushqimeve stok dhe kushtet e mbajtjes së tyre, sikurse është siguruar informim i vazhdueshëm i publikut për mospërdorim të ushqimeve të ndotura me ujin e vërshimeve.
“Gjithashtu, instituti ka bërë ndjekjen e përditshme të incidencës së sëmundjeve infektive, veçanërisht sëmundje gastro-intestinale dhe të lëkurës, intensifikim i raportimit sipas mekanizimit ALERT”, - deklaroi ministri Vasili.

Ministria, strategji mjedisore në Shkodër

Ministria e Mjedisit nëpërmjet një grupi të posaçëm pune ka hartuar një strategji për zhvillimin mjedisor të verilindjes së vendit, pas përmbytjeve të ndodhura gjatë tri javëve të fundit. Duke informuar dje shoqatat mjedisore në vend për marrjen e masave për rehabilitimin mjedisor të zonës së Shkodrës dhe Lezhës, drejtori i Politikave të Mbrojtjes së Natyrës në Ministrinë e Mjedisit, Saimir Hoxha, parashtroi rekomandimet e ministrisë.
Ai tha: “Është i domosdoshëm një monitorim i vazhdueshëm i gjendjes mjedisore, veçanërisht i ujit të pijshëm, i puseve, i lumenjve. Përcaktimi i parametrave mjedisorë është një ndër rekomandimet e grupit të punës së ngritur nga MMPAU, pas analizimit të situatës”. Sipas tij, “dezinfektimi me klor është masa e menjëhershme që po ndërmerret dhe duhet të vazhdojë deri në sigurimin e cilësisë së ujit”.
Ndër rekomandimet e grupit të punës së MMPAU-së është monitorimi i tokës dhe i lagunave për përmbajtjen e kripërave dhe elementëve ndotës, për të vlerësuar masat konkrete ndërhyrëse. Gjithashtu, ky grup ka kërkuar edhe përmirësimin e rrjetit të kullimit të tokave bujqësore, për të bërë të mundur largimin e ujit dhe kullimin e tokave në ato vende ku vazhdon prania e ujërave.
Drejtori Hoxha ka deklaruar se në rekomandimet e grupit të punës janë përfshirë “riparimi dhe përforcimi i brigjeve dhe argjinaturave të lumenjve dhe disiplinimi i rrjedhjes tyre, në mënyrë të veçantë në zonat e dëmtuara dhe pranë zonave të banuara të tyre”.
Për të shmangur erozionin dhe prurjet e ngurta në lumin Drin dhe në basenin e Liqenit të Shkodrës, Hoxha theksoi: “Rekomandohet riparimi i pritave malore ekzistuese dhe ndërtimi i pritave malore të reja mbrojtëse të shoqëruara me pyllëzime me drurë pyjore, si pisha mesdhetare, pishë e zezë dhe lloje të tjera drunore të zonës”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›