E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Centrali bërthamor do 15 vite të ndërtohet"

INTERVISTA
Përgjegjësi i Qendrës së Fizikës Bërthamore, Niko Civici, shpjegon përfitimet dhe rreziqet që mund të vijnë nga ndërtimi i një centrali: Problemi kryesor, mungesa e ekspertëve

Niko Civici është përgjegjësi i Qendrës së Fizikës Bërthamore të zbatuar, një qendër e cila zhvillon aktivitetin e saj pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore. Fizikani, në intervistën e mëposhtme shpjegon cilat janë arsyet pro dhe kundër ndërtimit të një centrali bërthamor në Shqipëri

Çfarë do të thotë për Shqipërinë ndërtimi i një centrali bërthamor?

Ndërtimi i një centrali të tillë është një aktivitet i gjerë dhe i rëndësishëm. Çdo vend që synon të hyjë në këtë fushë, niset nga konsideratat e tij ekonomike dhe kryesisht perspektivat e zhvillimit të vendit. Dhe cilado qeveri që ndërmerr këtë hap duhet ta vlerësojë në mënyrë të qartë këtë perspektivë.

Shumë vende evropiane kanë planifikuar të ndërtojnë centrale bërthamore për të përballuar nevojat e tyre energjetike. Vendimi për të hyrë në këtë fushë, natyrisht që është një vendim ekonomik, një vendim që merr në konsideratë vështirësitë ose gjendjen e tregut të energjisë në rajon, dhe në të njëjtën kohë është një vendim politik.

A i plotëson qeveria kushtet për të ndërtuar një central bërthamor? Kemi një Gërdec, një përmbytje të vendit, situata që tregojnë se niveli i sigurisë në vend nuk është shumë i madh. Centrali bërthamor mund të jetë një bombë me sahat?

Centrali bërthamor nuk është një bombë me sahat. Natyrisht që kemi pasur gjithë këto vështirësi, disa mund të jenë natyrore, disa mund të jenë gabime njerëzore. Unë nuk jam në gjendje të vlerësoj këtë, por nuk e shoh me pesimizëm këtë punë.

Në qoftë se qeveria është e vendosur për të hyrë në këtë fushë, atëherë ka mundësi, që gjatë periudhës që duhet për të ndërtuar një central bërthamor, të krijojë gjithë infrastrukturën e nevojshme për ta përballuar.

Por, gjithmonë duhet të bëjë një vlerësim të nevojave dhe të përfitimeve që dalin nga centrali bërthamor me koston e ngritjes së këtij centrali bërthamor. Dua të theksoj, se nëse do të hyjmë në këtë fushë atëherë duhet të mbledhim mendjen për të punuar siç duhet, sepse kjo është një fushë sa fitimprurëse, po aq edhe e rrezikshme.

Ju mendoni se vendi ynë me një popullsi rreth 3 milionë banorë e ka të nevojshëm ndërtimin e një centrali të tillë për të plotësuar nevojat energjetike?

Ne kemi jetuar gjatë gjithë këtyre viteve me problemin e mungesës së energjisë elektrike.

Fakti që Shqipëria ka nevojë për energji nuk diskutohet nga askush. Pyetja që shtrohet është, a duhet ky burim energjie apo një tjetër? Unë nuk jam në gjendje që në këtë moment të vlerësoj se nëse duhet ky burim dhe nuk duhet një tjetër, sepse nuk e kam gjithë informacionin e nevojshëm, mbi të cilin qeveria ka bërë këtë zgjedhje.

Me aq informacion sa disponoj qeveria nuk ka thënë nëse do të ndërtojë një central bërthamor, por ka thënë që është e hapur për vlerësimin e mundësisë e përdorimit të energjisë bërthamore për energji elektrike. Agjencia Kombëtare Bërthamore në fazën e parë të punës së saj (një periudhë 2-3 vjçare), duhet të plotësojë këtë detyrë.

T'i parashtrojë qeverisë një plan të përgjithshëm mbi mundësitë e ndërtimit të një centrali d.m.th., të prodhimit të energjisë elektrike nga energjia bërthamore.

Sa është kostoja e ndërtimit të një centrali të tillë? A do e justifikojë kjo kosto atë që do të përfitojnë shqiptarët në brezat e ardhshëm?

Kostoja është shumë e madhe. Por të jeni të bindur që do të përfitojnë. Një central bërthamor e ka jetën disa dhjetë vjçar, që nga krijimi e deri në hapjen e tij, duhen të paktën 15 vite.

Pas kostos fillestare të ndërtimit të tij prodhimi i energjisë është fare i lirë. Kjo do të thotë se ajo që rendon mbi koston e një centrali është pikërisht ndërtimi dhe funksionimi i tij, por pas kësaj kostoja e energjisë që prodhohet është e krahasueshme me koston e energjisë që prodhohet nga nafta.

Mjedisi, në të cilin ndërtohet një central bërthamor duhet të plotësojë disa kritere? A ka zona në vendin tonë që janë të përshtatshme për ndërtime të tilla?

Vendi ku ndërtohet një central bërthamor ka kushte teknike që duhen plotësuar. Për të caktuar vendin se ku do të ndërtohet një central bërthamor duhet të shihen kushtet gjeologjike, kushtet sizmike, kushtet e furnizimit me ujë dhe pastaj konsiderata të tjera që lidhjen më shpërndarjen e energjisë. Unë mendoj se është tepër herët për të diskutuar për një vend të caktuar.

Dy ditë më parë qeveria miratoi krijimin e Qendrës Kombëtare Bërthamore. Sa kohë do t'i duhet kësaj qeverie deri në konkretizimin e idesë për ndërtimin e një centrali bërthamor?

Nga të dhënat e literaturës dhe nga eksperienca e vendeve të tjera, mesatarisht duhet një periudhë prej 15 vitesh për të ndërtuar një central. Nga marrja e vendimit politik deri në lëshimin e parë të centralit bërthamor duhet një periudhë prej 15 vitesh.

Çfarë ndikimesh do të ketë në mjedisin përreth?

Gjatë punës normale të një centrali bërthamor, aktiviteti i tij nuk ka ndonjë ndikim në ambientin përreth. Por duhet të kemi parasysh që ky central bërthamor, ndryshe nga centralet me naftë ose me gaz, të cilat monitorohen por edhe nuk monitorohen, ambienti rreth këtij centrali do të jetë gjithmonë nën monitorim.

Do të jetë detyrë e strukturave të brendshme të vendit, dhe pastaj këto mund të raportojnë dhe në agjencitë përkatëse në Evropë.

Por nëse ndonjë nga këto struktura nuk funksionon çfarë ndodh?

Në këtë aktivitet nuk lejohet të prishet asnjë hallke e zinxhirit, nëse mendohet se mund të ndodh një gjë e tillë atëherë më mirë të mos e nisim këtë projekt. Kur hyn në një aktivitet të tillë ose duhet të jesh i qartë se nuk do të shuhen dritat në stadium, dhe nuk duhet të ecësh me supozimin se dritat nuk do të shuhen. Duhet të jesh shumë i sigurt se dritat nuk do të shuhen.

Siguria e këtij projekti do të jetë kompetencë e qeverisë apo e vetë agjencisë?

Siguria do të jetë kompetencë e trupës rregullatore që do të ngrihet brenda vendit. Ata do të merren me inspektimin e të gjitha hallkave të aktiviteteve në një central bërthamor, dhe ata do të japin certifikimin për punën. Hyrja në këtë aktivitet nuk bëhet pa zbatuar procedurat që kanë dalë nga eksperienca e mëparshme.

Supozojmë se centrali do të ndërtohet shumë shpejt. Cilat janë alternativat për eliminimin e mbetjeve toksike?

Për këtë problem ka dy mundësi. E para, depozitimi final i mbetjeve mund të behet brenda vendit.

Zakonisht depozitohen në miniera të vjetra të cilat nuk janë më në funksionim. Alternativa e dytë, është se nëpërmjet një kontrate me shitësin, në momentin që mbetjet bëhen të përshtatshme për tu transportuar, transportohen te prodhuesi i lëndës djegëse. Dhe është detyrë e prodhuesit të merret me depozitimin e tyre.

A ka vendi ynë specialistë në këtë fushë?

Ky është një problem shumë i rëndësishëm të cilin qeveria duhet ta marrë parasysh. Në vendin tonë nuk ka specialistë të mirëfilltë në këtë fushë. Specialistët më të mirë mund të konsiderohemi ne fizikantët, por që nuk e konsiderojmë veten si specialistë në këtë fushë. Ne jemi marrë me aplikime të metodave bërthamore, por jo me energjetikën bërthamore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›