Tiranë, klasa me 30 nxënës, vetëm në 2011
Në planin strategjik katërvejçar të bashkisë së kryeqytetit përcaktohen investimet që do të kryhen për këtë objektiv
Në shkollat kryeqytetase objektivi për të pasur klasa me 30 nxënës sipas standarteve ndërkombëtare duket se do të realizohet jo më parë se sa viti 2011. Bashkia e Tiranës ka hartuar një plan strategjik 4-vjeçar 2007-2011, i cili synon që brenda një periudhe katërvjeçare të kryhen një seri investimesh, që do të realizojnë standarte të reja në lidhje me numrin e nxënësve për çdo klasë, nga 49 që është aktualisht në 30-32. Po kështu, si pjesë e këtyre investimeve është planifikuar të jetë edhe pajisja e shkollave me mjetet e nevojshme, sipas standardeve bashkëkohore dhe arritjen e të gjitha parametrave të mësimdhënies, por dhe atyre urbane.
Gjithashtu, në kuadrin e investimeve që Bashkia e Tiranës do të kryejë në shkollat kryeqytetase në buxhetin e këtij viti është parashikuar që të realizohen edhe disa ndërhyrje për ndërtimin dhe rikonstruksionin e objekteve të reja shkollore dhe parashkollore, pajisjen dhe kompletimin e tyre me bazë materiale, si dhe mirëmbajtjen e vazhdueshme.
Për vitin 2010 ky program do të financohet në shumën prej 1.479.847.197 lekë ose 19.62 për qind të totalit të shpenzimeve. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës ky program për arsimin parauniversitar dhe edukimin për vitin 2010 ka pësuar një rritje prej 44 për qind.
Këtë vit pritet që Bashkia e Tiranës të pilotojë për herë të parë sistemet e eficencës së energjisë në kopështin nr. 35 dhe në shkollën 9-vjeçare “Dora Distria”.
Po kështu, ndër produktet e parashikuara për këtë projekt të vitit 2010, vendorët kryeqytetas premtojnë se institucionet arsimore që do të rikonstruktohen do pajisen me palestra, terrene sportive, laboratorë. Ndërsa shtojnë se do të realizohet edhe një standard i ri për krijimine lehtësirave për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla.
Programi parashikon edhe organizimin e shkollave verore për zonat informale apo fëmijët në familje me probleme sociale. Mendohet të krijohen klasa të integruara për fëmijët e rrugët e të atyre jashtë sistemit arsimor.
Nxënësit me rezultate të shkëlqyera do të vazhdojnë të mbështeten nga bashkia e Tiranës nëpërmjetstimulit financiar mujor të nxënësve me dhjeta, për të nxitur më tej rritjen e kapaciteteve të brezit të ri.
Në programin bashkiak të arsimit parauniversitar dhe edukimit mendohet të realizohen edhe aktivitete kulturore e artistike për nxënësit dhe nga vetë nxënësit.
Bashkia e Tiranës administron aktualisht 42 kopshte, 59 shkolla 9-vjeçare, 15 shkolla të mesme të përgjithshme, si dhe 6 konvikte të shkollave të mesme profesionale.
Arsimi parashkollor e para-universitar është një funksion i përbashkët i Njësive të qeverisjes vendore në rastin konkret Bashkisë së Tiranës, si dhe pushtetit qendror, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
#