Përkujtohet 90-vjetori i Kongresit të Lushnjës
Aktiviteti
Me rastin e përvjetorit jubilar, të vitit të ‘90 të mbajtjes së Kongresit të Lushnjës në qytet u mbajtën disa aktivitete të rëndësishme. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, duke përshëndetur në emër të qeverisë dhe të Kryeministrit, tha se: “Kongresi i Lushnjës filloi ekzistencën de facto të shtetit shqiptar, pasi pas pavarësisë të shpallur në vitin 1912 pasuan luftërat ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore. Homazhi ynë është për ata burra të vendit, që 90 vite më parë, me një kurajë atdhetare dhe qytetare, kapërcyen rreziqet dhe rivendosën integritetin e vendit. 90 vjet më vonë, situatat janë shumë më të ndryshme, pasi sot Shqipëria, ndryshe nga atëherë, është anëtare e NATO-s dhe kandidate e BE-së, por njëlloj si atëherë ideali i një Shqipërie të zhvilluar, me njerëz që nuk vuajnë nga vobektësia, në një shoqëri që ecën përpara, është i njëjtë edhe sot”.
Sipas Pollos, për fat të mirë është në kuadrin e integrimit europian, diçka që e mbështetin të gjithë dhe të gjitha forcat politike.
Gjatë aktivitetit u nënvizua evokimi i Kongresit të Lushnjës dhe është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli të bëjnë gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend. Në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë, sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë, edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920. “Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin, të debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë”, tha Pollo gjatë aktivitetit të mbajtur dje në Lushnjë me rastin e përvjetorit.
#