E Diel, 1 Nëntor 2026

“Besa”

Elsa Ballauri

Norman H. Gershman erdhi disa herë në Shqipëri për t’u frymëzuar e më pas për të përfunduar albumin e tij me fotografi dhe me histori të shkurtra të familjeve shqiptare që strehuan, ndihmuan dhe mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Libri është nisur nga filozofia magjike e Besës, e këtij ndërtimi shpirtëror të veçantë, me të cilin ne shqiptarët kemi aleancë të vjetër, akoma mburremi e akoma dyshojmë…
Gershman shpreh respekt, shumë mirënjohje dhe mjafton të dëgjosh zërin e tij kur flet për shqiptarët heroikë në videon përkatëse, të kuptosh se ai zë gjeneron dashurinë e madhe e të sinqertë të një hebreu mirënjohës.
Historia e miqësisë dhe ndihmës të shqiptarëve me hebrenjtë është nga më të rrallat gjatë luftës që i la botës trashëgim mekanizmin e çnjerëzor të holokaustit: është historia se si disa njerëz mund të shpëtojnë disa të tjerë edhe nën riskun e vdekjes. Kur lexon njëra pas tjetrës historitë e njerëzve dhe familjeve që jetuan me rrezikun vetëm për të shpëtuar hebrenjtë e ndjekur nga nazistët, jeton padashje në disa mikrobotë të brishta dhe të ëmbla, pavarësisht dhimbjes dhe ankthit. ëmbëlsia vjen nga përpjekja për të mbajtur aq bukur të fortë dhe të plotë kujtesën. Mënyra se si historitë janë trashëguar me hollësi delikate nga njëri brez në tjetrin, nga vjehrri te nusja, nga gjyshi te nipi, krijon një botë të harruar njerëzish të mirë, të devotshëm, nga ata që tani do të thoshim me plot gojën se “sa keq që nuk i gjejmë dot më…”
Emrat e tyre duken të njohura, dhe nëpër fotot mjeshtërore të German-it fytyrat e tyre, kryesisht të plakura, kanë një dritë që sot, rrallë ja shohim njëri-tjetrit. Duket sikur këta njerëz, jetojnë më mirë dhe më në paqe me kujtimet e bukura të të parëve të tyre të mençur dhe bujarë dhe sikur mezi presin t’i kujtojnë e të flasin për ta.
Albumi ta përçon një ndjenjë të tillë malli që endet në ajër, që edhe nëse nuk ja gjen dot emrin, bën mirë që të viziton. Mënyra koncize e fjalive të shkruara, është shumë më goditëse sepse është aq sa duhet e mjaftueshme për të dhënë përfytyrimin e plotë të ngjarjeve. Janë 57 familje shqiptare, banorë të Shqipërisë dhe Kosovës, njerëz të përzgjedhur për gjestin e tyre human, që u vunë në fokusin e aparatit të fotografit të njohur Norman Gershman.
Librin ma dhuroi përpara disa muajve miku im i vjetër amerikan Theodore Orlin, i cili e njeh shumë mirë Shqipërinë, i njeh shumë mirë shqiptarët dhe për këtë nuk harroi sjelljen xhentile hebreje për të falënderuar: “Unë dhe të tjerët (hebrenjtë), ne nuk mund ta harrojmë atë që shqiptarët kanë bërë me mikpritjen dhe kurajon e tyre”,
“Ne, shqiptarët i respektojmë të huajt, madje më shumë sesa respektojmë njëri-tjetrin dhe i nderojmë miqtë në nevojë”. Kjo është një shprehje që përmban një filozofi të tërë, thënë nga familja Koca, një nga familjet që mbrojtën dhe strehuan hebrenjtë gjatë luftës. Kjo shprehje është në themelin e asaj vepre që vetëm shqiptarëve dhe danezëve iu nderua pas Luftës së Dytë.
Sa e përdorëm ne këtë nder? Sa ditëm ta shfrytëzonim për ta përkujtuar mes nesh, apo për diplomaci politike?
Përpara disa vitesh kam takuar një punonjëse të OSBE-së me origjinë hebreje, ajo ishte e çuditur, madje e revoltuar që politikanët shqiptarë nuk shfrytëzonin në tavolinat e bisedimeve ndërkombëtare faktin që kishin ndihmuar hebrenjtë gjatë luftës. Më kujtohet se kur ma tha, edhe unë u ndodha në të njëjtën gjendje që mund ta kenë provuar shumë shqiptarë të tjerë në këto raste; u përpoqa t’i tregoj se ne e kemi pjesë të kulturës sonë këtë lloj sjelljeje ndaj miqve dhe të huajve, se nocioni i besës, sado i shprishur të jetë tani, ka një formë magjepsëse virtuale që ndriçon në një moment të duhur. Dhe, shtova se kjo për ne nuk është një “vlerë më shumë”, është thjesht një sjellje e zakonshme e njohur.
Ndërsa sa për përdorimin e këtij gjesti nëpër botën e ndjeshme ndaj veprimeve të tilla, kjo ishte një dobësi e politikës dhe diplomacisë shqiptare, që mendoj se tashmë është riparuar.
Gershman ka vënë një nëntitull në albumin e tij; “Myslimanët që mbrojtën hebrenjtë gjatë luftës së dytë botërore”.
Të dyja, si titulli, ashtu edhe nëntitulli, janë tema më vete të cilat kanë transmetuar mesazhin e tyre. Në njërën anë Besa është tipike shqiptare, është ai heroizmi i harruar, një ëndërr epike e një bote magjike që s’është më, por që jeton brenda në shpirtin e disa njerëzve të zakonshëm.
Nga ana tjetër kemi një komunitet mysliman, njerëz të një feje e cila transmeton besën si një vlerë të madhe. Pavarësisht se në grupin e familjeve që ka përshkruar Gershman, nuk ka vetëm familje myslimane (megjithëse pak, ka edhe të fesë kristiane), përsëri nëntitulli ka një mesazh të drejtpërdrejtë dhe kjo nuk është e rastësishme.
Ne si shqiptarë, duke shfletuar albumin, ndofta nuk ndjehemi mirë që ka një veçim në përcaktimin që bën Gershman: nuk ka një histori që të tregojë se myslimanët kanë qenë të vetmit që iu hapën dyert hebrenjve; feja është elementi më i parëndësishëm që mund t’iu ndikojë shqiptarëve në situata të tilla: shumë e kanë bërë, shumë e bëjnë: koncepti i besës nuk njeh fe. Prandaj në kontekstin shqiptar, libi mund të krijojë pyetje të pakëndshme…
Por është një gjë tjetër më e madhe që ka dashur të tregojë autori, sidomos në këtë situatë intolerance që ka bota: se si fetë, sidomos ajo hebraike dhe ajo myslimane qëndrojnë dhe duhet të qëndrojnë krahas, sepse ato janë nga e njëjta origjinë e besimeve Abrahamike. Gershman, sidomos, do të shfaqë sfidën e tij se intoleranca myslimano- hebraike që po cenon gjithmonë e më shumë Palestinën dhe Izraelin, është e pavlerë, se këto komunitete duhet të shohin te njëri-tjetri paqen dhe jo luftën.
Pasi lexoi këtë libër, ish-presidenti amerikan Jimmy Carter, ka thënë: “Unë shpresoj se këto foto dhe historitë e tyre do të bëhen të njohura në të gjithë botën. Ato ofrojnë shpresë për një të ardhme në të cilën myslimanët dhe hebrenjtë mund të kapërcejnë konfliktet dhe të shohin drejt të ardhmes së tyre”.
Gershman ka një qëllim shumë të madh, edhe atij përtej tregimit të bukurisë të disa njerëzve me zemër të madhe: qëllimi i tij është të bëjë thirrje për paqe, mirëkuptim dhe tolerancë atyre qenieve njerëzore që kanë ngritur shpatën mbi kokat e njëri-tjetrit. Ai bën thirrje për një dialog njerëzor dhe për ta realizuar këtë ka zgjedhur shqiptarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›