E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i dritave, kompensim 640 lekë në muaj



Kompensim 640 lekë në muaj për shtresat në nevojë që preken nga rritja e çmimit të energjisë elektrike. Efektet financiare të vendimit, që pritet të miratohet shumë shpejt nga Këshilli i Ministrave, do të nisin që nga 1 janari. Kategoritë që do të përfitojnë janë familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, personat e paaftë për punë, të shpallur të tillë nga komisionet (KPCAP), punonjësit me pagë nën 35 mijë lekë, pensionistët e vetëm apo që kanë në ngarkim persona të tjerë. Gjithçka e bëri me dije dje Ministri i Punës dhe çështjeve Sociale, Spiro Ksera, gjatë mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar të Punës. “Do kemi një kompensim 640 lekë për kategoritë që ju tashmë jeni njoftuar. Janë kategoritë e atyre që kanë paga të ulëta, të gjithë skemës ekonomike, të qytetarëve me aftësi të kufizuar dhe të invalidëve të punës”, theksoi ministri Ksera. Por kreu i konfederatës së sindikatave, Kol Nikolla e cilësoi këtë një vendim të vonuar të Qeverisë. Sipas tij, nuk po gjykohet në aspektin social por atë propagandistik. Nga ana e tij, Ministri i Punës theksoi se Qeveria shqiptare është e vendosur të hartojë dhe zbatojë politika për mbrojtjen e kategorive në nevojë. “Kjo Qeveri do të kompensojë çdo rritje të çmimit të energjisë për këto kategori në masën 100%, si ka bërë deri tani”, tha Ksera. Këshilli Kombëtar i Punës miratoi gjatë mbledhjes së djeshme planin Social të Veprimit për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për çështjet Sociale, në kuadrin e Traktatit për Komunitetin e Energjisë. Në bazë të Planit Social të Veprimit qëndrojnë veprimtaritë për arritjen e qëllimeve të vendosura në Memorandum, të cilat garantojnë mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, sidomos atyre në nevojë, në përputhje me krijimin e një tregu të qëndrueshëm energjetik rajonal, vendosjen dhe zhvillimin e mekanizmave efektive të informimit dhe konsultimit të partnerëve socialë në sektorin e energjisë, promovimin e zhvillimit të punësimit. Dje ishte mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar të Punës (KKP) pas konstituimit të saj. KKP është struktura më e lartë konsultative tripalëshe në vend. KKP ka 27 anëtarë, nga të cilët shtatë përfaqësues të Qeverisë, dhjetë përfaqësues të organizatave të punëdhënësve dhe dhjetë të punëmarrësve. Ky këshill mblidhet jo më pak se tri herë në vit dhe në të konsultohen çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik të vendit, marrëdhëniet e punës, dialogun social. Ministri i Punës është Kryetar i Këshillit dhe asistohet nga dy nënkryetarë, një përfaqësues i organizatave të punëdhënësve dhe një i organizatave të punëmarrësve.

Kush përfiton

Familjet me ndihmë ekonomike, Personat e paaftë për punë, Punonjësit me pagë nën 350 mijë lekë, Pensionistët e vetëm Pensionistët që kanë në ngarkim persona të tjerë Personat me aftësi të kufizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›