Patos, 2 Këshilla Bashkiakë miratojnë ndihmën ekonomike
PATOS/ MAJLINDA RAMA
Miratohet pas 3 muajsh projektvendimi për ndihmat eko-nomike dhe paaftësinë nga Këshilli Bashkiak i Patosit. Në të vërtetë ishin dy grupe të ndara, të cilat bënë miratimin e kësaj pike, në dy ambiente të ndryshme.
Grupi i parë i drejtuar nga kryetari i zgjedhur prej 17 këshilltarëve të djathtë, Leonard Behaj dhe pjesa tjetër prej 16 anëtarësh me kryetarin e mëparshëm të krahut të majtë, Maksi Goga. Mospranimi i kryetarëve nga njëri grup apo tjetri ka bërë që Këshilli Bashkiak i Patosit të jetë i përçarë prej mbi 4 muaj. Ditën e djeshme, të djathtët janë mbledhur në një prej zyrave të godinës për të zhvilluar mbledhjen, ndërsa të majtët e drejtuar nga Maksi Goga, kryetari i mëparshëm i këshillit, janë futur në sallën e Këshillit Bashkiak. Mbledhjet kanë pasur të njëjtin rend dite, si për kryetarin Behaj, i njohur si legjitim nga prefektura, ashtu dhe për Gogën, i cili njihet si kryetar Këshilli Bashkiak nga kryebashkiaku i Patosit, Bardh Meli. Ky i fundit mbron tezën se ende gjykata nuk e ka dhënë verdiktin e saj, pasi çështja ka kaluar në Apel. Për hir të së vërtetës ndarja e këshilltarëve në dy grupe dhe prezenca e shtuar e Policisë Bashkiake, paralajmëruan qysh në fillim një jonormalitet të mbledhjes së radhës. Kryetari Leonard Behaj tregon se me një përfaqësi të këshilltarëve të djathtë negocioi për më shumë se një orë me kryetarin e bashkisë për çtensionimin e situatës dhe zhvillimin e mbledhjes sipas rendit të ditës. "Gjithçka ishte e kotë. Negociatat tona dështuan. Kryetari i bashkisë, Meli, vuri si kusht që mbledhja të drejtohej nga ish-kryetari i shkarkuar me vota, Maksim Goga. Ai nuk mund të shkëputet nga lidhjet e errëta", akuzoi Behaj. "Në axhendën e Këshillit Bashkiak ishte miratimi i paketës fiskale, planbuxheti i vitit 2010 dhe struktura organike. Qysh pa filluar mbledhja ne u përballëm me situatën e tre muajve më pare, presionin dhe bllokimin e sallës, nga punonjësit e komunales dhe ndërmarrjes së pastrimit. Dikush i ka keqinformuar se do të shkurtojmë numrin e punonjësve dhe ata na paragjykojnë. Në të tilla kushte ne miratuam vetëm fondet e shtresave në nevojë dhe do të ndjekim të gjitha rrugët institucionale, duke denoncuar veprimet e papërgjegjshme dhe primitive", pohoi kryetari i mbështetur nga forcat e djathta. Sipas Behajt, kryesia e re e Këshillit Bashkiak të Patosit është njohur nga institucioni i prefektit, nga Gjykata e Faktit dhe të gjitha institucionet. Ndërkohë në sallën e Këshillit Bashkiak, kryetari i rrëzuar me kartonët e pjesës tjetër në këshill, Maksi Goga sqaroi se mbledhja mund të zhvillohej normalisht nëse PD, LSI dhe PDI me anëtarët e tyre në këtë strukturë kanë vullnet për një gjë të tillë. Në fund të mbledhjeve, të dy grupet kanë marrë vendime të njëjta, duke kaluar për miratim ndihmën ekonomike, ndërsa këto vendime do t'i kalojnë prefekturës për firmosje.
Vlorë, Apeli lë në krye të këshillit përfaqësuesin e PS
VLORE - Gjykata e Apelit në Vlorë rrëzoi dje vendimin e shkallës së parë për kreun e Këshillit Bashkiak të këtij qyteti. Kështu, vendimi i formës së prerë "emëroi" Kujtim Sulçen e PS-së në krye të këtij këshilli. Pas seancës së djeshme, Sulçe, që është edhe kryetar i grupit socialist në Këshillin Bashkiak të Vlorës, u shpreh se kishte fituar drejtësia. "Ne kemi besim te ligjet dhe respekt për to. është shkarkuar kryetari dhe u votua për kryetarin e ri. Në këto kushte ne kemi insistuar dhe në shkallën e parë, që nuk është në kompetencën e prefekturës, që ta gjykojë atë. Ky është një akt me karakter nominal dhe duke qenë i tillë, ky nuk shkon për miratim në prefekturë. Në prefekturë shkojnë aktet me karakter normativ. Me 71 vota formohet qeveria dhe rrëzohet po qeveria. Edhe kjo është çështje e numrave, ai që ka numrat formon dhe rrëzon kryetar", u shpreh ai. Kryetari aktual i Këshillit Bashkiak, Arben Sinani, u shpreh se nuk kishte dijeni për këtë çështje. Pas konflikteve të vazhdueshme në Këshill, Gjykata e Vlorës vendosi të linte në krye të saj përfaqësuesin e LSI-së, Arben Sinani, ndërsa Apeli e rrëzoi dje këtë vendim. q.b