E Diel, 1 Nëntor 2026

“Socialistëve nuk ka kush t’u shkruajë”

Eno Bozdo

Letra e hapur e z. Rama drejtuar z. Berisha tërhoqi në mënyrë të natyrshme vëmendjen, duke u botuar e plotë dhe e komentuar gjerësisht në median e shkruar dhe vizive. Përshtypja e përgjithshme ishte që z. Rama kishte zgjedhur këtë mënyrë komunikimi, që më shumë se sa për të komunikuar me z. Berisha, i jepte mundësinë atij të rendiste publikisht mendimet e tij dhe qëndrimeve të partisë që ai drejton.
Ndonëse nuk ishte praktika e “letrës së hapur” në vetvete që tërhoqi vëmendjen, sepse kjo tashmë është kthyer në një ngjarje të shpeshtë në shtypin shqiptar, fakti që z. Rama shkruante personalisht një letër të hapur, në vigjilje të zhvillimeve të rëndësishme për Shqipërinë, si vizita e Komisionerit për Zgjerimin, Fule dhe vizita e delegacionit të PE, për çështjen e liberalizimit të vizave, ishte domethënës.
Në këtë kontekst, pritshmëria për një letër “interesante”, inovative dhe konkrete ishte e lartë. Por mbeti vetëm një pritshmëri, për sa kohë z. Rama, me një gjuhë thuajse patetike dhe në emër të “së mirës së Kombit” apo “të kompromisit historik”, renditi të njëjtat argumente, të konsumuar muaj me radhë. çuditërisht bashkë me argumentet, në letër servireshin si të vërteta edhe disa qëndrime apo «argumente shtesë» të socialistëve, nën pretendimin se e vërteta përfundimtare i takonte z. Rama dhe ekspertëve të partisë së tij.
Letra analizon argumentimin juridik të hapjes së kutive, duke kërkuar miratimin e një ligji që i jep të drejtën Parlamentit të hetojë përgjithmonë zgjedhjet në Shqipëri, kurdoherë që ai e mendon të arsyeshme. Por në letër nuk shpjegohej fakti nëse një argumentim i tillë shkon ndesh me principet kushtetuese, dhe se çfarë ndikimi mund të ketë fakti i një Parlamenti që ngrihet sa herë t‘i teket mbi institucionet kushtetuese.
Letra i cilësonte zgjedhjet si të njollosura nga «..skandale të papranueshme për standardet e vendeve të NATO-s dhe OSBE-së..», por letërshkruesi, në asnjë rresht nuk tregonte se mbi bazën e cilave të dhëna ishte ngritur ky pretendim. Po në vijim të këtij argumenti, letra «zbulonte» ekzistencën e «..zgjedhësve që votojnë më shumë se një herë..», «.dokumenteve të falsifikuar të identitetit..» si dhe «..paudhësi me fletët e votimit..”, por përsëri asnjë argument logjik, se gjetjet e kujt raporti ishin këto pretendime. Në dijeninë e të gjithë organizatave ndërkombëtare që monitoruan zgjedhjet, të mediave shqiptare apo të opinionit publik, nuk pati as edhe një rast te vetëm të verifikimit të dokumenteve të falsifikuar të identitetit apo të shtetasve që votojnë më shumë se një herë. Gjithashtu, ankesat e komisionerëve të të dyja palëve, mbi cilësinë e procesit të votimit dhe të numërimit ishin tejet të limituara, ndërsa z. Rama e përmend faktin e “paudhësisë me fletët e votimit” si një argument dominues i zgjedhjeve në Shqipëri.
Letra përmend argumentin e procesit të votimit ne “Ruzhdie” si një ngjarje e cila është replikuar kudo, aq sa çdo kuti votimi e Republikës ka brenda elemente të Ruzhdies. Por letra fsheh shpjegimin se pikërisht në Ruzhdie u vërtetua se sistemi funksionon, se “fenomeni i Ruzhdies” u iniciua nga braktisja e procesit të votimit nga përfaqësuesit socialistë, akt ky po aq i dënueshëm sa edhe manipulimi i votimit. Gjithashtu nuk jepen shpjegime në letër se kur kjo kuti u shpall e pavlefshme nga Kolegji Zgjedhor, dhe si e tillë nuk llogaritet në rezultatin e zgjedhjeve në Qarkun e Fierit, duke i marrë Partisë Demokratike një deputet dhe duke ia transferuar atë Partisë Socialistë.
Letra akuzon shumicën parlamentare se ajo “..nuk pranoi hapjen e kutive nëpërmjet shumicës që kishte ne KQZ, dhe se presioni i saj bëri gjithashtu që edhe Kolegji Zgjedhor të mos pranonte hapjen e kutive”. Ky është një pohim shumë i rëndë (ndoshta më i rëndi në të gjithë tekstin e letrës), por në letër mungonte të renditej faktin se Kolegji Zgjedhor përbëhej nga gjyqtarë të zgjedhur me konsensus të plotë nga të dyja palët, dhe se ai e mori këtë vendim në unanimitet të plotë dhe në kushtet e mungesës absolute të argumenteve nga ana e Partisë Socialiste, për parregullsi në procesin e numërimit dhe të votimit. Gjithashtu, letra nuk vendos paralele mbi faktin se po i njëjti Kolegj Zgjedhor, nëpërmjet shpalljes së pavlefshme të rezultatit të kutisë së Ruzhdies, i hoqi një mandat Partisë Socialiste dhe se duke vepruar në këtë mënyrë, ky Kolegj paska vepruar në konformitet të plotë me ligjin.
Letra ngre argumentin e “..të drejtës së plotë të pakicës për hapjen e kutive..”, por dështon të shpjegojë rrethanat se kur kjo e drejtë aktivizohet. Kjo e drejtë, sipas interpretimit të Gjykatës (i cili është interpretimi i fundit), aktivizohet vetëm kur për procesin ka ankimim të dokumentuar, pra e thënë më thjeshtë, sikur komisionerët e pakicës të kishin shënuar të paktën një parregullsi numërimi në procesverbalet e kutive respektive, kutitë do të hapeshin dhe rinumëroheshin. Ky është interpretimi që Gjykata Supreme bën dhe këtu nuk ka më asnjë diskutim apo argument jashtëligjor që mund të dominojë.
Dhe së fundi, letra rendit argumentin kryesor në princip të socialistëve: vullneti politik “versus” të zbatimit të ligjshmërisë. Me pak fjalë, socialistët dhe personalisht z. Rama ka artikuluar jo pak herë argumentin se po të këtë vullnet politik, kutitë hapen dhe se kjo çështje nuk i takon Gjyqësorit. Ky argument shumë i çuditshëm, minimalisht nuk merr fare parasysh pretendimin e palës tjetër se kjo çështje nuk ka të bëjë me vullnetin politik, por me faktin që konflikton me Kushtetutën dhe vendimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese.
Z. Rama hartoi një letër të hapur për z. Berisha, për opinionin publik, për ndërkombëtarët, por kjo letër mungonte t‘i drejtohej atyre që kishin me shumë nevojë të sqaroheshin në këtë moment: popullit socialist. Letra e hapur është një përpjekje (në vazhdën e përpjekjeve të vazhdueshme të z. Rama) për të kapërcyer faktin e humbjes së zgjedhjeve dhe për t‘iu shmangur llogaridhënies me elektoratin socialist. Letra, qëllimisht nuk përmend edhe divergjencat e brendshme brenda Partisë Socialistë, për sa i përket kushtetutshmërisë së kërkesës për hapjen e kutive. Duke ngritur një “kauzë” të tillë patetike mbështetur nga argumentet e letrës së hapur, anashkalohet procesi i analizës së humbjes së zgjedhjeve brenda strukturave partiake, anashkalohet fakti i fushatës problematike, i programit 1000 faqesh që nuk ekzistonte, i divizës hemafrodite “përtej së djathtës dhe të majtës”, i emrave të panjohur në listën e deputetëve, i klanit të biznesit ndërtues që po alienizon Partinë Socialistë, duke e kthyer në një trust ekonomik, si dhe arsye të tjera të cilat socialistët e thjeshtë i përmendin nën zë çdo ditë, si shkaqet që makina e tyre elektorale doli e humbur nga zgjedhjet.
Z. Rama nuk pranon të shkruajë për këto të vërteta, edhe pse populli socialist e di mirë që rruga që z. Rama ka vendosur të ndjekë mund të vonojë liberalizimin e vizave, por nuk e shmang dot atë, mund të krijohet një situatë problematike për statusin e vendit kandidat, por nuk e pengon dot pafundësisht. Ata ë dinë gjithashtu që Partia Socialiste po transformohet dita ditës, po humbet ngjyrën dhe thelbin e saj, duke u shndërruar më shumë në një organizëm në funksion të kryetarit dhe të karrierës së tij politike personale, por jo në funksion të interesave të socialistëve të thjeshtë, të cilët e duan Shqipërinë po aq sa të gjithë të tjerët, dëshirojnë liberalizimin e vizave si çdo shqiptar i arsyeshëm, duan stabilitet politik po aq sa edhe çdo banor tjetër i këtij vendi.
Socialistëve askush nuk u shkruan, ata janë të harruarit e mëdhenj të kësaj historie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›