Tritol banesës së gazetarit të “Fiksit”, dyshime për presion
SHKODER - Tritol në banesën e gazetarit. Një kallëp eksplozivi u gjet mëngjesin e djeshëm në pragun e apartamentit të Ervin Dushit, në lagjen "Skënderbeg" të qytetit të Shkodrës. Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë të radhës nuk e kanë ndezur fitilin e lëndës plasëse, çka dyshohet se ky akt ka qenë paralajmërues. Dushi është gazetar i emisionit "Fiks Fare", por ndonëse prej pak vitesh ishte shpërngulur me banim në Tiranë, ai kthehej herë pas here në Shkodër. Ditën e djeshme, nuk ka pasur njeri në shtëpinë e tij dhe kanë qenë fqinjët që pikasën kallëpin me tritol e lajmëruan me shpejtësi policinë. Banorët kanë dalë me shpejtësi jashtë, duke pasur frikën e një shpërthimi të mundshëm. Brenda 5 minutash kanë mbërritur dhe uniformat blu, së bashku me specialistët përkatës. Grupi i eksperteve pasi ka konstatuar lëndën plasëse ka përcaktuar se në këtë pallat ishte vendosur një sasi prej 100 gramë lëndë plasëse, tritol me fitila zjarrpërcjellës të pandezur. Sipas grupit hetimor dy janë dyshimet e ngritura pse nuk ka ndodhur shpërthimi i tritolit: e para se lënda plasëse mund të jetë vendosur nga persona joprofesionistë, të cilët nuk kanë bërë ndezjen e plotë, ndërsa e dyta, pistës që po i mëshohet më shumë, asaj të ndonjë shenje presioni dhe paralajmërimi për shkak të detyrës së gazetarit. Hetimet bëjnë të ditur se tritoli është vendosur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, mes orës 02:00-04:00 të mëngjesit, kur nuk ka pasur lëvizje në pallat. Drejtoria e Policisë së Shkodrës shoqëroi rreth 30 persona, mes tyre dhe komshinj, duke dashur të evidentojë lëvizjet e ndodhura në këtë zonë gjatë kohës kur mund të jetë vendosur tritoli. Janë marrë provat në vendngjarje, prej të cilave shpresohet që të mund të gjenden autorët. I pyetur për këtë ngjarje, vetë Ervin Dushi, është shprehur se ngjarja ka lidhje direkt me profesionin e tij si gazetar investigativ. Madje Dushi ka pohuar se kohët e fundit ka pasur disa telefonata kërcënuese, por pa arritur të sqarojë më tej se me çfarë rasti konkret kishin të bënin këto kërcënime ndaj tij. Dushi ka pohuar dhe për policinë se prindërit jetonin në Tiranë, ndërsa ai vetë vinte shpesh vetë Ervini. Ky fakt lë të kuptohet edhe më shumë se objektivi i vendosjes së këtij tritoli ka qenë vetë gazetari.