Vrasja e inxhinierit,25 vjet Mile Çamit
FIER - Ka marrë fund seanca përfundimtare në ngarkim të të pandehurve Fatmir Emini, i njohur me nofkën "Milja" dhe Bledar Yzeiri. Të akuzuarit për vrasje dhe armëmbajtje pa leje janë dënuar me nga 25 vjet heqje lirie. Këta dy persona akuzohen se kanë organizuar vrasjen më 12 korrik të vitit 2000 të Gjergji Halos, inxhinier ndërtimi dhe fqinj me Fatmir Eminin. Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes ka rezultuar se ngjarja ka ardhur pas një konflikti për një truall toke. Halo, banor i lagjes "29 nëntori", pasi ka ndërtuar një pallat 9-katësh ku banonte edhe familja e tij ka blerë një truall për të ndërtuar një tjetër godinë, përbri pallatit të Fatmir Eminit. Pas blerjes së truallit, Gjergji Halo ka rrethuar vendin dhe ka nisur piketimin për objektin që do të ndërtohej, por me nisjen e punimeve ka pasur kontradikta sistematike dhe kërcënime të tërthorta nga ana e Fatmir Eminit. Sipas gjykatës, Emini ka menduar se ndërtimi i pallatit të Halos do të dëmtonte rrugën para pallatit të tij. Gjatë kësaj periudhe Emini ka pasur shoqëri dhe miqësi me Yzeirajt, të cilët kishin ikur nga fshati Rërëz i Beratit për shkak të armiqësisë që kishin me çalajt. Bazuar te vendimi mësohet se ka qenë Mile çami, ai i cili ka organizuar vrasjen e Halos, nëpërmjet dorës së Bledar Yzeirit. Halo u qëllua me silenciator mbrëmjen e 12 korrikut nga Yzeiri që u largua me shpejësi me motor. Ndonëse avokatët kërkuan pafajësi, trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë për dënimin me 25 vjet burg. m.r