Çantat klasike të frymëzuara nga ikonat e bukurisë
Kushtojnë sa një pasuri e tërë, por janë çantat klasike që nuk dalin kurrë nga moda. Nga Chanel 2.55 deri te Kelly e Hermes, ja cilat janë modelet historike që janë gjithmonë pjesë e modës dhe janë një investim i sigurt. Aksesorët, në ndryshim nga veshjet ju shoqërojnë gjithmonë. Nëse do të dish t’i zgjedhësh me kujdes dhe dashuri ato do t’i mbijetojnë modës kalimtare pavarësisht çmimit marramendës. Aksesori femëror më i vyer, pa dyshim është çanta, miku i pandashëm ku me kujdes të veçantë mban sendet e preferuara. ja cilat janë çantat klasike që bëjnë të dridhen nga dëshira për ta patur femrat e çdo moshe.
Chanel 2.55
Ky model është pjesë e historisë së markës së famshme “Mademoiselle Coco”. Është krijuar në shkurt të vitit 1955 dhe është i përbërë nga doreza e artë që mbahet në sup dhe nga një lëkurë perfekte. Chanel e ka krijuar këtë çantë duke menduar një femër moderne që ka nevojë për duar të lira, duke krijuar kështu rripin e gjatë që vihet në sup. Konsiderohet ende një nga aksesorët më të dashur nga femrat dhe me kalimin e viteve janë përsosur ngjyrat dhe përmasat. Çmimi i kësaj çante varion nga 1300 euro e sipër.
Kelly nga Hermès
Për të ditur historinë e kësaj çante të famshme duhet të kthehemi në fund të shekullit 19: lindi fillimisht si një mbajtëse ushqimi për kuajt dhe perfeksionohet duke përdorur lëkurën e kafshëve. Më e hershmja është ajo që ngjason me thesin e zakonshëm, ndërsa në vitet ’30 shndërrohet në çantë për zonja. E para që e përdori ishte e paharrueshmja Greis Keli (aktore amerikane, njëkohësisht princesha e Monakos). Çmimi bazë është 5 mijë euro.
Birkin nga Hermès
Birkin është vepër e stilistit Zhan-Louis Dumas. Gjatë një udhëtimi nga Parisi për në Londër, ai takoi aktoren franceze Zhan Birkin, e cila i tha se sa e vështirë ishte të gjente një çantë që i përshtatej, femërore por komode dhe e bollshme. Dumas realizoi atë që sot konsiderohet një model mitik. Çmimi? Fillon nga 5 mijë euro.
Jackie nga Guçi
Një tjetër çantë e frymëzuar nga një ikonë e shekullit të kaluar. Flasim për Zhaklin Bouvier, e njohur si Zonja Kenedi dhe më pas Onasis, e pagëzuar “Jackie O”. Me një material perfekt dhe fjongo jeshile e të kuqe, u bë për një periudhë të shkurtër kohe një nga çantat më të dashura të yjeve të spektaklit dhe vazhdon të jetë edhe sot. Në vitet ’90, Tom Ford e risolli më të bukur dhe moderne. Çmimi shkon deri në 2 mijë euro.
Speedy nga Louis Vuittin
Çanta baule është ikonë e modës franceze. Kjo çantë ishte tepër e dashur për aktoren Audrej Hepbërn dhe Sofia Loren. Lind në vitet ’20, por koha nuk arriti ta zbehte aspak. U bë edhe më e dashur kur u soll në versionin Graffiti nga Stephen Sprouse, si dhe modeli shumëngjyrësh i Takashi Murakami, i mbushur plot fantazi dhe ndërthurje materialesh. Çmimi shkon deri në 290 euro për versionin e vogël (15x10x7cm).
D Bag nga Tod’s
Personazhi kryesor këtë radhë është Lejdi Diana. Princesha e trishtuar, por tepër e dashur nga populli i dha emrin e saj aksesorit të viteve ’90. E qepur me plot kontraste të çuditshme, doreza të rrumbullakëta dhe detaje të tjera të mrekullueshme e shndërruan menjëherë në një mit. Pas një kohe të gjatë kjo çantë u risoll e modifikuar, por pa humbur vlerat e modelit origjinal, si një model klasik, i ndërthurur me modernen dhe tërheqësen. Çmimi i çantës shkon nga 1 mijë euro e sipër.
Chloè Paddington
Ka formën klasike të valixhes të mjekut në stilin retro edhe pse ka lindur në vitin 2005. Shumë shpejt u bë një nga modelet më të dashura të yjeve të Hollivudit. Dorezat janë të favorshme që kjo çantë të mbahet lehtësisht si në dorë ashtu edhe në sup. Çmimi varion nga 1 mijë euro e sipër. Një tjetër detaj interesant është se ky aksesor mban firmën “Made in Italy”.
8 Maj 2010