E Diel, 1 Nëntor 2026

Besart Berisha kërkohet me ngulm nga Dinamo e Zagrebit

Nga ILIR CARA

Drejtuesit kroatë e ndjekin prej kohësh sulmuesin kosovar dhe shpresojnë ta bëjnë të vetin në merkaton e verës

Sulmuesi kosovar Besart Berisha, pas transferimit në Australi, ka rilindur, pasi është protagonisti kryesor i skuadrës Brisbane Roar. Në vitet e fundit Berisha bëri një paraqitje për tu harruar në futbollin gjerman, paraqitje e cila e distancoi edhe nga përfshirja në ekipin kombëtar. Por kalimi në Australi ka sjellë shpërthimin e Besart Berishës, pasi deri tani ka shënuar 18 gola me Brisbanen në kampionatin australian.

Kjo formë e mirë e sulmuesit kosovar e rritur interesin nga disa skuadra të ndryshme europiane, që kërkojnë ta bëjnë të sajin sulmuesin. Mësohet se kampionët kroatë të  Dinamos së Zagrebit janë duke e ndjekur nga afër Berishën me shpresën që ta bëjnë të vetin në merkaton e verës.

Sipas mediave kroate, drejtori sportiv i Dinamos, Zoran Mamiç, ka ndjekur nga afër tri ndeshje të Brisbanes dhe mësohet se i ka dhënë leje vëllait të tij të madh, Zdravko Mamiç, që është president i klubit, të nisë proceduart për transferimin e Besart Berishës nga Australia në Zagreb. Kështu që stafi i Dinamos po përgatit ofertën konkrete për Brisbanen, në mënyrë që Besart Berisha të bëhet pjesë skudrës sapo të hapet merkatoja verore.

Trajneri i Dinamos, Ante Çaçiç, ka kërkuar nga drejtuesit që të nisin punën për të gjetur sulmues të ri për sezonin tjetër, pasi pritet që në përfundim të këtij sezoni do të largohen dyshja sulmuese Rukavina-Beqiraj, të cilët kërkohen nga disa skuadra europiane. Pra, me shumë gjasa, Besart Berisha në do të zëvendësojë shqiptaro-malazezin Fatos Beqiraj tek Dinamo e Zagrebit.

Njëkohësisht trajneri Çaçiç pohon interesimin e Dinamos për sulmuesin shqiptar: Shpërthimin e Besart Berishës në Ligën A të Australisë po e ndjekim prej kohësh dhe kemi krijuar bindjen se ai do të ishte një përforcim i nevojshëm për skuadrën tonë.

Para disa kohësh, Besart Berisha e ka zgjatur kontratën me Brisbanen, kështu që kroatët duhet të bëjnë një ofertë konkrete tek australianët, nëse kërkojnë vërtet ta bëjnë të vetin sulmuesin kuqezi. Duke ditur se për Besart Berishën është rritur interesi që ai të kthehet në ekipin kombëtar shqiptar, transferimi në Kroaci do të ishte një lajm i mirë për drejtuesit kuqezi, sepse shkurtohet distanca.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›