E Diel, 1 Nëntor 2026

Rock Demers: Si më ndaluan 3 herë të vija në Shqipëri

 

Alma Mile

Provoi të vinte për herë të parë në Shqipëri kur ishte 20 e ca vjeç, por nuk mundi.Provoi sërish e sërish. Rregullat ishin të forta në shtetin e vogël socialist. Të huajt nga vende imperialiste nuk mund të hynin. Në prag të 75-vjetorit (11 dhjetor) vjen në Tiranë, në një vizitë fare të shkurtër. Në Kanada, Rock Demers njihet si babai i filmave për fëmijë. Ka krijuar të parin festival për fëmijë atje, më tej u mor me shpërndarjen e këtij filmi, deri sa nisi të krijojë vetë të tillë. Në Tiranë erdhi për të takuar miqtë e tij, kineastin Namik Ajazi dhe bashkëshorten e tij Majlindën, por me shpresën për t’u rikthyer së shpejti, pse jo me një projekt të përbashkët kinematografik, kushtuar fëmijëve.
Si nisët të merreni me filmin?
Kam lindur në një fshat të vogël në Kebek, prindërit e mi ishin fermerë, por marrëdhëniet e tyre ishin të mrekullueshme dhe ishte klima e duhur për mua. Pavarësisht se nisja ime ishte modeste, pas studimeve si mësues, fitova një bursë për të ardhur në Paris, për të shfrytëzuar median vizive dhe kinemanë në mësimdhënie, për ta bërë më interesante. Pas një viti studimi në Paris, në xhep më mbetën vetëm paratë për të blerë biletën e kthimit për në Kanada. Teksa shkoja për të blerë biletën mendova se si me to mund të udhëtoja deri në Tokio. Do të më duhej të jetoja vetëm me një dollar dita. Një miku im më thotë se po bënin një tur. Paratë e bursës sime i përdora për të bërë një udhëtim nëpër vendet socialiste, sepse imagjinoni, për ne të Amerikës së Veriut në vitet ’50, ajo çka ndodhte në këto vende ngjallte kuriozitet. Kur isha në Pragë, në një restorant takoj rastësisht dikë që merrej me filmin. Na kuptoi nga gjuha që ishim të huaj dhe na kërkoi të shihnim një film të tijin, për t’i dhënë një ide. Ai film, vendosi përgjithnjë karrierën time. Nuk kisha parë, deri atëherë një film për fëmijë. Më tej, udhëtova në shumë vende të botës për të parë të tjerë filma, që nga Japonia, në ish-Jugosllavi, Greqi... Kur u ktheva në Kanada bashkë me një grup miqsh realizuam të parin festival për fëmijë. U prit shumë mirë dhe prindërit, që i shoqëronin na pyesnin përse ky festival zhvillohej vetëm një herë në vit dhe më dhanë idenë e krijimit të një shoqërie për të blerë të drejtat e këtyre prodhimeve dhe t’i shpërndaja në Kanada. Nisi si hobi, por më vonë, shpërndarja e këtyre filmave u kthye në punën time kryesore.
Kur vendosët të krijoni vetë filma për fëmijë?
Në vitin 1983 isha 50 vjeç, kur lexova në një gazetë për një fëmijë 13 apo 14 vjeç që kishte vrarë veten. Mësova se përqindja më e madhe e vetëvrasjeve ishte tek të rinjtë. Duhej bërë diçka. Në të gjithë filmat e mi unë tregoj se jeta nuk është e lehtë, por ia vlen ta jetosh. Diku filmat janë më realistë, diku më fantazistë, por kudo është ky humanizëm filozofik, jo moralist, që do të thotë se gjithnjë vjen një moment i mrekullueshëm dhe përpara kësaj të gjitha vuajtjet zhduken. Deri më sot kam prodhuar 24 të tillë. Personazhet e mi, përgjithësisht kanë moshën 12-13 vjeç dhe historitë që tregoj u drejtohen të rriturve.
Ç’lloj “magjie” përdorni për të tërhequr këtë grupmoshë?
Të gjitha historitë që kam treguar janë bashkëkohore, pa efekte speciale. Nuk ka dhunë edhe pse në to thuhet qartë që jeta është e vështirë. Personazhet e mi janë herë djem e herë vajza dhe gjithnjë kam dashur të jap një mesazh të rëndësishëm për jetën. Të jap një mësim për marrëdhëniet mes vajzave dhe djemve që do bëhen burra e gra të nesërmen. Natyra zë gjithnjë një rol të rëndësishëm, shiu, bora, era..., sepse marrëdhënia me natyrën është shumë e rëndësishme për njeriun. Skenarët asnjëherë nuk janë të ndërtuar mbi luftën mes të mirës dhe të keqes, sepse nga eksperienca ime e jetës, apo nga udhëtimet që kam bërë, askund nuk kam takuar një njeri që është ose i mirë ose i keq. Nëse i ofrojmë këto subjekte fëmijëve, atëherë ata përgatiten me paragjykime. Kështu që doja të sillja diçka të re dhe sipas konceptit tim, të gjitha subjektet nuk janë adaptime, por krijime të reja.
Tani është e kuptueshme pse ju quajnë “njeriu me një mision”...
Ndryshe nga ajo çka ofron kinematografia amerikane, që tregon për jetë luksoze, automobila, anije, unë them se jeta e vërtetë nuk është kjo. Njeriu duhet të kalojë përmes vështirësish, por pavarësisht të gjithave, ka shpresë se diçka shumë e mirë do të vijë. Dhe vjen gjithnjë.
Thatë që keni udhëtuar në gjithë kampin socialist, po në Shqipëri, pse jo?
E kam provuar të vij në Shqipëri, plot tri herë në vitet, ’50, ’60, ’70, por asnjëherë nuk më kanë lejuar për të hyrë. Ishte shumë e vështirë për të marrë leje. Madje, kam ardhur edhe në aeroport, më është dashur të pres me orë, pa mundur të shkoj më tej. Më ka tërhequr gjithnjë kurioziteti drejt vendit tuaj. Aso kohe kisha dëgjuar shumë të flitej për të.
Cila ishte arsyeja që nuk ju lejuan të vinit?
Me sa kujtoj nuk kishte një arsye reale për moslejimin tim në këtë vend. Ishte thjesht çështje burokracie. Një herë kam provuar të vi nga Beogradi dhe një herë tjetër nga Italia. Mesa di nuk kishte shumë të huaj, që vinin në Shqipëri atëherë, apo jo...?
Sot largoheni nga Tirana, ç’projekt ju pret nesër?
Nesër do të jem në Paris, ku do të mbyll një projekt, me të cilin mendoj të mbyll karrierën time. Kam vite që punoj për të dhe shpresoj që përpjekjet e mia të mbyllen me sukses. Është një film që bazohet mbi legjendën e Gilgameshit, eposi i parë i shkruar në historinë e njerëzimit, por i parë nga këndvështrimi i një fëmije.
Po Shqipërinë e shihni si një terren të mundshëm bashkëpunimi?
Mbrëmë pata mundësinë të lexoja një skenar për fëmijë dhe po e mendoj mundësinë e një bashkëpunimi. Pse jo?
Përmendët pak më parë kinemanë amerikane, mendoni që Hollywood-i vazhdon të mbetet qendra botërore e kinemasë?
Është e vërtetë që në Hollywood prodhohen filma me buxhete të mëdhenj, miliona dollarë, që mund të jenë shumë më pak të rëndësishëm, se filma që krijohen në vende të tjera të botës, në Evropë, Japoni, etj. Ajo që më pëlqen është fakti që ka filluar të forcohet kinematografia kombëtare. Në shumë vende të botës, kërkohen më shumë filmat vendas se ata amerikanë. Duhet thënë që Hollywood-i është më shumë një superfuqi ekonomike, sesa njerëzore dhe mendore.

Nuk është vonë të mësosh mbi kinemanë

Ajo as që e ka idenë se kush janë ata, megjithatë përpiqet t’i shqiptojë si duhet. Për të krijuar ambient kinemaje, ha edhe kokoshka. Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër i edicionit të gjashtë të “Tirana International Film Festival”, u shpall filmi, “My mother learns Cinema” (“Mamaja ime mëson mbi kinemanë”), i regjisorit turk Nesimi Yetik. Në katër minuta film, regjisori Yetik ka sjellë në shtëpinë e mamasë së tij të vjetër, emrat më të mëdhenj të kinematografisë botërore. Ndërkohë, çmimi i medias shkoi për filmin “Deep Transition” (Tranzicion i thellë), një bashkëpunim italo-shqiptar, i regjisorëve Gabriele Pedone dhe Elvis Eshja. Një tjetër çmim i dhënë në TIFF, ishte edhe ai i filmit më të mirë eksperimental, ku trofeun e këtij çmimi e mori filmi “Carlos Catani”, i regjisorit Mercos Meconi. Si filmi më i mirë dokumentar i vitit 2008, në edicionin e gjashtë të TIFF, u cilësua “Left Behind” (I harruar), një prodhim gjerman, me regjisorët Andreas Grafenstein dhe Fabian Daub. Një tjetër çmim i këtij festivali ishte dhe ai për filmin më të mirë të animuar, i cili iu dha filmit “The Bear’s hand”. Ndarja e çmimeve vijoi edhe me filmin më të mirë të vlerësuar nga publiku, i cili shkoi për filmin prej 11 minutash “Yours Truly”, (I yti përgjithmonë), i regjisorit Osbert Parker.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›