E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, EULEX starton mes diskutimesh

 

Sot nis funksionimin misioni më i rëndësishëm në historinë e Bashkimit Evropian, ai i marrjes së kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara për të mbikëqyrur politikën, ekonominë dhe sigurinë në Kosovë. Pas disa muajsh vonese dhe protesta nga të dyja etnitë rivale në Kosovë, shqiptarëve dhe serbëve më në fund sot nisi zbarkimi i misionit të aprovuar edhe në Këshillin e Sigurimit. EULEX do të ketë mbi 2 000 nëpunës policie dhe drejtësie, që do të monitorojnë dhe këshillojnë punën e autoriteteve të Kosovës. “Kosova është pjesë e Evropës dhe unë mendoj se është detyra e BE-së të sigurojë këtë ndihmë dhe mbështetje për Kosovën”, tha kreu i EULEX, Yves de Kermabon për “Associated Press”. “Përmirësimi i rendit dhe ligjit është shumë i rëndësishëm për të gjithë Evropën”, tha De Kermabon. Misioni i BE-së do të jetë i lidhur ngushtë me 16 000 paqeruajtësit e NATO-s për sa i përket mbrojtjes. Zyrtarët e këtij misioni ndodhen në një situatë të vështirë pasi janë të padëshiruar si nga kosovarët ashtu edhe nga serbët në Kosovë. Misioni i BE-së supozohej se do të zbarkonte menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, por nuk ndodhi kështu për shkak të refuzimeve të Serbisë për të njohur shtetin e ri. Serbia dhe Kosova me shumë vështirësi kanë rënë dakord për të mbështetur këtë mision, muajin e kaluar. De Kermabon pranoi se misionit nuk do t’i duhej më shumë kohë për të zbarkuar në zonat serbe, për shkak të protestave të banorëve. Ndërkohë sot shënohet edhe dita e fundit e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nuk është paralajmëruar asnjë ceremoni e veçantë për nisjen e punës së EULEX-it, por tranzicioni në heshtje pritet t’i tregojë shenjat e veta në javët dhe muajt e ardhshëm në terren. Sipas shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zannier, “Duke filluar që sot, UNMIK-u do të jetë shumë ndryshe nga çka qenë deri më tani”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›