Greqia në krizë, klasa politike gati për më të keqen
Greqia është mbërthyer nga protestat kundër policisë, të cilat hynë në ditën e tyre të tretë, duke e vendosur Kryeministrin grek, Kostas Karamanlis përballë sfidës më të vështirë të karrierës së tij politike. Protestat e nxitura nga vrasja e një 15 vjeçari nga policia greke, janë marrë në dorë nga grupe anarkiste ekstreme dhe nuk kanë të reshtur, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë Karamanlis. Shkatërrimi ka ‘pushuar’ qytetet kryesore të Greqisë, ku protestuesit kanë thyer mbi 40 dyqane, qindra makina, dhjetëra banka e biznese të tjera. Kryeministri ka premtuar kompensime për të gjitha bizneset e dëmtuara nga protestat. Karamanlis ka dalë në televizionin shtetëror sërish dje dhe ka bërë thirrje për qetësi. Thirrjet e tij janë shoqëruar me protesta dhe shkatërrime të tjera të dhunshme në Athinë, Selanik, Trikala e Korfuz. Karamanlis i bëri thirrje vendit për qetësi, unitet dhe një sens solidariteti me familjen e djalit të vrarë ditën e shtunë. Por sërish nxënësit e shkollave dolën në rrugë për të protestuar ndaj vrasjes së të riut. 15-vjeçari tani konsiderohet si dëshmor i gjeneratës së tyre. Të rinjtë i bënë qëndresë policisë jashtë Parlamentit dhe morën kontrollin e një rajoni policie në Pire. Ata u bashkuan me studentët e Selanikut, që hodhën gurë dhe shishe me benzinë mbi policinë. Demonstrata të tjera janë parashikuar në qytetet e tjera të rëndësishme të Greqisë dhe autoritetet po përgatiten për më të keqen. Deri tani janë plagosur gjashtë protestues dhe 16 oficerë policie, sipas agjencisë “Athens Press”. Këto shënojnë protestat më të dhunshme në dekadat e fundit në Greqi. Analistët parashikojnë se këto protesta mund të bëhen shkak edhe për zgjedhje të reja në këtë vend. Protestat janë kthyer në një betejë të vërtetë. Më shumë se 20 persona janë arrestuar në kryeqytetin grek. Dëmi llogaritet në disa miliona euro dhe lidhur me ngjarjen ka reaguar e gjithë klasa politike greke. Kryetari i Bashkisë së Athinës pezulloi të gjitha aktivitetet për festat e fundvitit dhe në qendër të Athinës pritet që manifestimet të vazhdojnë. Presidenti i Republikës, Karolos Papulias, në telegramin e tij të ngushëllimit drejtuar familjes së viktimës bënte fjalë për “traumë në funksionimin e shtetit të së drejtës”. Ministri i Brendshëm ka premtuar zbardhje të ngjarjes dhe dënimin shembullor të dy policëve të akuzuar.