E Diel, 1 Nëntor 2026

Besart Berisha, tani kthehet në një çështje

Dy golat e “çmendur” që shënoi në ndeshjen e debutimit me fanellën e Rozenborgut të dielën, e kanë shndërruar Besart Berishën tashmë në një çështje jo vetëm te klubi i Bërnleit, por edhe në përfaqësuesen shqiptare. 

Jetmir Halilaj

Trajnerit të Bërnleit, Ouen Koil, i është dashur të japë shpjegime para mediave dhe tifozëve për huazimin deri në dhjetor të shqiptarit te Rozenborgu, ndërsa trajneri i përfaqësueses shqiptare, që e ka lënë jashtë futbollistin për miqësoren kundër Lihtenshtejnit, më 20 gusht, po reflekton mbi këtë pikë dhe ka shumë gjasa që Han të ndryshojë mendje në lidhje me 23-vjeçarin. Klubi anglez vendosi pak ditë më parë ta huazonte Berishën te norvegjezët e Rozenborgut, duke menduar se aty lojtari do të mund të riaftësohej plotësisht pas dëmtimit të gjatë që kaloi, por ai ka shënuar që në ndeshjen e tij të parë dy gola. Mirëpo pas dygolëshit të shqiptarit, tekniku i Bërnleit, Ouen Koil, ka dhënë një intervistë për shtyp, ku ka sqaruar situatën për Berishën. “Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe askush nuk e vë në dyshim këtë. Por meqenëse kishte një vit pa luajtur, isha unë ai që i propozova të transferohej në një ekip ku do të kishte më tepër hapësira, sepse këtu nuk mund të konkurronte dot me rivalët e tij Paterson, Bllëk dhe Igëll, pasi vinte pas një dëmtimi të gjatë. Pa diskutim, që dy golat e tij janë befasues, por ju siguroj se Berisha në muajin janar do të jetë sërish pjesë e Bërnleit dhe do të japë një kontribut të çmuar për ekipin. Ne i dimë shumë mirë vlerat e tij. Besarti është pjesë e projektit të kësaj skuadre dhe nuk ka se si të mos bëjë pjesë në planet e mia”, tha Koil, duke u shfajësuar në një farë mënyre para tifozëve, të cilët në forumet e tyre e kanë kritikuar ashpër trajnerin dhe stafin drejtues për largimin e Berishës. Trajneri i Kombëtares shqiptare nuk e ka përfshirë Besart Berishën në listën e lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen miqësore me Lihtenshtejnin, më datë 20 gusht. Duke menduar se ai nuk është rikuperuar ende plotësisht nga dëmtimi i rëndë që e mbajti jashtë fushave për një vit, Han vendosi të mos e merrte Berishën, mirëpo pas dy golave që realizoi biondi të dielën, tekniku ka vendosur të mos e bëjë publike listën, pasi ende është në dilemë nëse duhet ta thërrasë lojtarin apo jo. Berisha cilësohet si një nga të rinjtë me të ardhme të madhe në përfaqësuesen shqiptare dhe vlerësohet shumë për faktin që arrin të mbulojë disa role në fushë. Ai mund të luajë mesfushor krahu si në të djathtë, ashtu edhe në të majtë, por mund të luajë edhe si sulmues i dytë, duke qenë një alternativë e mirë për kuqezinjtë. Burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se Berisha nuk ka qenë në planet e Hanit as për ndeshjen e parë kualifikuese, atë ndaj Suedisë, më 6 shtator, e cila do të zhvillohet në Tiranë.

Sulmuesi: Kisha 1 vit që e prisja

Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare është shprehur i kënaqur për debutimin fantastik që ka bërë të dielën me skuadrën e tij të re, Rozenborgun. “Jam i lumtur për golat që shënova dhe gëzimin nuk mund ta shpreh dot me fjalë, pasi kam pritur një vit deri sa të vinte ky moment. Jam i lumtur gjithashtu për fitoren e Rozenborgut dhe shpresoj që kjo skuadër te ecë sa më lart këtë sezon. Personalisht, ndihem shumë mirë dhe mendoj se jam rikthyer sërish i fortë. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola këtë sezon”, u shpreh për mediat norvegjeze sulmuesi i Kombëtares shqiptare. Berisha u huazua te Rozenborgu deri në muajin janar dhe më pas do të rikthehet sërish te ekipi i tij, Bërnlei. Golin e dytë kundër Moldes, ai e ka shënuar nga një distancë prej 16 metrash, pasi ka kapur në befasi dy mbrojtës dhe portierin.

Sadrijaj
Sulmuesi kosovar, Bajram Sadrijaj, që në ndeshjen e tij të parë zyrtare me Borusian e Dortmundit ka thyer një rekord botëror. Sadrijaj, tani e tutje, do të njihet si futbollisti që është ndëshkuar me të kuqe 12 sekonda, pasi ka hyrë në fushë. Në ndeshjen ndaj Esenit, për Kupën e Gjermanisë, ka marrë karton të kuq 12 sekonda pasi zbriti në fushë. Ai theu rekordin e serbit Kezhman që mori karton të kuq 37 sekonda pasi hyri në lojë.

Cana-Bogdani
Media franceze bën të ditur se vazhdon interesimi i Arsenalit për Lorik Canën, por drejtuesit e Marsejës janë në mëdyshje për largimin e lojtarit, pasi trajneri Erik Gerets ka kërkuar që mesfushori shqiptar të luajë të paktën edhe një sezon në Marsejë. Duket gjithnjë e më afër transferimi i Erjon Bogdanit te skuadra Bolonjës, e cila është hedhur fuqishëm në sulm për të marrë shërbimet e bomberit shqiptar.

Ari Han
Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Ari Han prej disa ditësh ndodhet në Kinë dhe i ka humbur kontaktet me Federatën Shqiptare të Futbollit. Këta të fundit presin përgjigjen e tij për të shpallur ose jo listën e lojtarëve që do të grumbullohen për miqësoren me Lihtenshtejnin, por nuk arrijnë të komunikojnë dot me teknikun, i cili është përqendruar totalisht te ekipi olimpik i Holandës.

OLIMPIADA

Qitje/Medalje për indianin Bindra
India ka fituar medaljen e parë të artë për këtë edicion të Lojërave Olimpike. Abhinav Bindra ka fituar medaljen e artë në qitje në karabinë 10 m. Pasi ka fituar në finale i renditur i treti me pikët (596), Bindra me dhjetë gjuajtjet e fundit ka arritur rezultatin 104,5 të cilat i dhanë menjëherë përparësi. Medalja e argjendtë i ka shkuar kinezit Quinan Zhu, ndërsa e bronzta është fituar nga finlandezi Hakinen, i cili ka arritur të shënoj 598 pikë në kualifikime.

Peshëngritje/Ari për Xiangxiang
Kinezi Zhang Xiangxiang ka arritur të fitojë medaljen e artë në peshëngritje. Peshëngritësi ka rezultuar i suksesshëm në kategorinë 62 kilogramë; medalja e argjendtë është fituar nga peshëngritësi kolumbian Diego Salazar, ndërsa e bronzta është fituar nga indoneziani Triatno. Zhang Xiangxiang ka arritur të ngrejë 319 kile kundër 305 të kolumbianit dhe 298 të peshëngritësit indonezian.

Xhudo/ Fiton Azerbajxhani
Azerbajxhani ka fituar medaljen e parë të artë në Olimpiadë. Sportisti Elnur Mammadli është klasifikuar i pari në kategorinë 73 kg në xhudo. Ai ka arritur të fitojë dhe të mundi në finale sportistin koreano-jugor Wang Ki-Chun. Numrit një në botë i kanë mjaftuar vetëm 13 sekonda për të qenë në avantazh kundrejt kundërshtarit të tij nga Korea e Jugut. Ndërkaq dy medalje bronzi kanë shkuar për Rasul Boqijev dhe për brazilianin Leandro Guilheiro.

Zhytje/Medalje e artë për kinezët
Kinezët Lin Yue dhe Huo Liang kanë fituar medaljen e artë në zhytje në platformën e dhjetë metrave. Bëhet fjalë për medaljen e dytë të artë në zhytje në dy ditët e fundit: të dielën Jingjing Guo dhe Minxia Vu kanë fituar medaljen e artë për femra. Në debutimin e tyre olimpik Lin Yue dhe Huo Liang kanë fituar duke i ruajtur qetësinë edhe përballë turmës së fansave të shtëpisë. Me rezultatin final 468,18 zhytësit kinezë kanë fituar ndaj rezultatit 450,42 të gjermanëve Patrik Hojsding dhe Sasha Klein.
 
Qitje në ajër, fiton Makela-Nummela
Finlandezja Satu Makela-Nummela ka fituar medaljen e artë në qitje në ajër me rezultatin 91 pjata. Në finale ajo kishte arritur të shënonte të njëjtin rezultat me të sllovakes Stefeçekova, 70 pjata secila, por në 25 gjuajtjet finale ajo ka përfunduar me një rezultat të shkëlqyer duke fituar 21 prej tyre. Sllovakja ka fituar medaljen e argjendtë duke arritur të gjuante 19 pjata, ndërsa medalja e bronztë i ka shkuar amerikanes Kori Kogdell.

Skermë/ Vexeli, ari i tretë
Mbretëresha është Valentina. Skerma gjithnjë e më shumë po tregohen se është mbreti i sporteve për Italinë e Olimpiadave falë Valentina Vexalit, e cila pas Sidneit dhe Athinës fiton medaljen e artë edhe në Pekin. Një finale e madhe ajo e fituar nga Vexali kundër koreanes Nam Hiunhe me rezultatin 6-5. “Nuk më duket ende e vërtetë, është e vështirë të fitosh sërish, por është akoma më e vështirë të rikonfirmohesh”, ka thënë Vexali.

Doping/Çiklistja Moreno pozitive
Çiklistja spanjolle Maria Isabel Moreno ka rezultuar pozitive pas një kontrolli antidoping në Pekin. Spanjollja është e para që rezulton pozitive në Olimpiadat e Pekinit. Një zëdhënës i CIO-s ka bërë të ditur se çiklistja ka rezultuar pozitive ndaj Epo-s pas një kontrolli të bërë në Fshatin Olimpik më 31 korrik. Menjëherë pas kësaj ajo është larguar nga Pekini duke mas marrë pjesë në asnjë garë. Akreditimi i saj është eliminuar menjëherë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›