E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarandë/ Rrafshohen 16 ndërtime në zonën turistike

SARANDE – Fadromat e inspektoratit të ndërtimit në komunën Aliko në Sarandë, rrafshuan dje 16 objekte të ndërtuara pa leje. 

Ato ngriheshin në territorin e fshatit Berdenesh, sipërfaqe për të cilat ka studim urbanistik për vendosjen e fshatit Janjar. Pronësia e ndërtimeve të paligjshme të ngritura muajt e fundit, nuk është pranuar prej askujt. Burime nga komuna thanë se kanë bërë çdo përpjekje për t’i njoftuar këta pronarë, konkretisht anonimë për prishjen që do të bëhej, por askush nuk është vetidentifikuar. Pas ndërmarrjes së aksionit të ndërtimorëve, të mbështetur edhe nga forca të Policisë së Rendit, vetëm Kadri Rapaj, 53 vjeç, banor i fshatit Berdenesh, ka reaguar. Ai ka qëlluar me gurë drejt fadromës së ndërtimorëve, por menjëherë është shoqëruar nga uniformat blu për në komisariatin e Sarandës. Për çdo objekt ku u krye ndërhyrja ishte i vendosur një numër identifikues, kjo në pamundësi të identifikimit të personave që i kishin ngritur. Sipas kryetarit të komunës Aliko, Ilia Thanasi: “Janë ndërtime të bëra prej banorëve të bllokut nr. 2 në fshatin Berdenesh këto dy-tre muajt e fundit. Por komuna e Alikos nuk do të lejojë më ndërtime të paligjshme, kudo qofshin ato”, pohoi Aliko. Ai u shpreh gjithashtu se kjo është një dukuri që haset vetëm në Berdenesh, në gjithë territorin që mbulon komuna e Alikos. Ndërsa inxhinieri i zyrës së urbanistikës në këtë komunë, Petraq Kote, tha se ka studim urban për këto troje, ku një pjesë e mirë e sipërfaqes është e destinuar për shpërnguljen e fshatit Janjar, të përmbytur nga liqeni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›