E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëplagoset ushtari në shërbim

Plagoset me armën e punës ushtari që kryente shërbimin e rojës në repartin 1100 në Kamëz. 

Trazhgim Sokolaj 

Ngjarja ndodhi mesnatën e të dielës kur ushtari që kryente shërbimin e rojës, A. Zeneli, rreth 20 vjeç, ka qëlluar veten në këmbën e majtë me armën e shërbimit tip Kallashnikov. Plagosja ka ndodhur në hyrje të objektit ushtarak, që njihet me emërtimin reparti 1100 në Kamëz. Sipas burimeve nga policia mësohet se i dëmtuari ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës nën kujdesin e mjekëve dhe ruajtjen e policisë, ndërsa nuk ka rrezik për jetën. Ai do të mbahet në ruajtje nga uniformat blu, derisa hetimet të arrijnë në një përfundim për masat që duhen marrë ndaj ushtarit. Menjëherë sapo ka ndodhur ngjarja, salla operative e policisë ka marrë njoftimin dhe ka dërguar grupin e gatshëm. Gjatë kësaj kohe, institucionet ushtarake kanë marrë masat për transportimin e të dëmtuarit në spital, si dhe zëvendësimin e tij me një ushtar tjetër në shërbimin e rojës pranë repartit. Sipas burimeve të policisë, grupi hetimor realizoi verifikimin e vendit të ngjarjes madje edhe pyetjen e vetë ushtarit të plagosur. Nga hetimet e para të policisë, mësohet se ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, për shkak se ushtari e kishte armën të mbushur dhe gjatë lëvizjes së saj ajo ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, duke e plagosur në këmbën e majtë. Grupi hetimor ka sekuestruar armën e shërbimit të 20-vjeçarit, ndërsa ka marrë në pyetje dëshmitarët e tjerë si dhe ka bërë verifikime rreth të plagosurit për aktivitetin e tij të mëparshëm. Deri më tani ngjarja është konsideruar aksidentale, bazuar në të dhënat dhe informacionet e mbledhura gjatë hetimeve paraprake në vendin e ngjarjes. Sipas burimeve zyrtare mësohet se hetimi i kësaj ngjarja po vazhdon në Prokurorinë e Tiranës, ku janë referuar materialet dhe raportet e para hetimore. Organi i akuzës ndërkaq, duket se është duke përgatitur një kërkesë për pezullim të ushtarit nga kryerja e shërbimit ushtarak. Sipas burimeve zyrtare të akuzës mësohet se, pezullimi i ushtarit do të kërkohet me argumentin se ai ka shkelur rregullat e shërbimit duke shkrepur armën në mënyrë të pavullnetshme, çka përbën mungesë kontrolli prej të dëmtuarit. Sipas burimeve nga organi i akuzës masat konkrete do të ndërmerren pas përfundimit të ekspertizës së vendit të ngjarjes dhe verifikimit tekniko-balistik të armës së ushtarit, e cila është bllokuar në cilësinë e provës materiale.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›