E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria pushon akuzën për mësuesin

TIRANE – Prokuroria pushon akuzën e ngritur ndaj një mësuesi 74-vjeçar nga Lapraka, i cili u arrestua në janar të këtij viti, i dyshuar se kishte kryer abuzime seksuale me një të mitur. 

Përmes një dokumenti prej tre faqesh, të titulluar “Vendim mbi pushimin e hetimit për çështjen penale nr.265”, Prokuroria e Tiranës është shprehur se nuk ekziston asnjë provë, apo fakt për fajësimin e mësuesit nga Lapraka, Kadri Sadriaj. Ai është arrestuar nga policia e Tiranës në janar 2008, pas deklarimeve të dhëna aty nga një e mitur, e cila strehohej në një qendër sociale rehabilitimi në rrugën “Don Bosko”. Gjatë deklarimeve në polici ajo kishte pretenduar se ishte ngacmuar seksualisht, por pas pyetjes së përsëritur të saj në Prokurori edhe në prani të psikologëve, vajza ka mohuar çdo abuzim seksual ndaj saj. Në ndihmë të këtyre deklarimeve kanë shkuar edhe rezultatet e ekspertizës së Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Ato kanë konfirmuar se vajza e mitur nuk ka pasur kontakte seksuale. Në këtë mënyrë, Prokuroria ka arritur që në mënyrë shkencore të provojë se arrestimi i Kadri Sardiajt, 74-vjeç ka qenë veçse një blof dhe një nxitim i policisë. Menjëherë pasi vajza me disa persona të tjerë ishte paraqitur në polici dhe kishte pretenduar se ishte abuzuar seksualisht, forcat e rendit kanë ndërmarrë arrestimin e 74-vjeçarit pa bërë verifikimet e duhura rreth dëshmisë së vajzës. Kjo e fundit, është pyetur në Prokurori, në prani të psikologëve, pasi është e mitur dhe ka mohuar të jetë abuzuar seksualisht. Madje, ajo ka pohuar se gjithçka kishte përshkruar gjatë thënieve të saj në polici kur akuzoi 74-vjeçarin nuk kishin qenë aspak të vërteta, por gjëra që vajza i kishte parë në televizor. Në këtë mënyrë, ndodhur në kushtet e mungesës së veprës penale, të provave dhe dëshmive si dhe të pasojave të pretenduara të veprës penale, Prokuroria e Tiranës ka firmosur pushimin e hetimeve. Një vendim ky i cili mban firmën e prokurorit të çështjes Qemal Dragoshi si dhe të zv/prokurorit të rrethit Genci Qana. Duke pushuar hetimet për këtë dosje, Prokuroria ka urdhëruar menjëherë lirimin e të arrestuarit padrejtësisht nga policia. Ai është lënë i lirë menjëherë pas pushimit të hetimeve me vendim të datës 14 prill 2008. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›