E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjaken rrugët, dy të vdekur e 5 të plagosur

Dy persona kanë vdekur dhe pesë të tjerë janë plagosur prej aksidenteve rrugore të ndodhura në vend gjatë 24 orëve të fundit. 

Tepelene/ Durres

Aksidentet që kanë përgjakur rrugët janë shënuar në Tepelenë, Durrës dhe Fushë-Krujë. Një 48-vjeçar ka gjetur vdekjen e menjëhershme, kur automjeti të cilin ai po drejtonte ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një greminë 150 metra të thellë në aksin rrugor Progonat-Tepelenë. Ndërsa një 22-vjeçar është përplasur për vdekje nga një automjet i paidentifikuar në superstradën Durrës-Tiranë. Ndërkohë, pesë pjesëtarë të një familjeje janë plagosur, dy prej të cilëve rëndë, kur automjeti i tyre u përplas me një kamion në hyrje të qytetit të Fushë-Krujës. Policia njoftoi se aksidenti ku humbi jetën Selami Qeli, nga fshati Progonat i Tepelenës, ndodhi mbrëmjen e së dielës. Trupin e viktimës e ka gjetur rastësisht një çoban në orën 20:00 të kësaj dite, i cili menjëherë ka lajmëruar sallën operative të policisë së Tepelenës. Sipas policisë, humbja e kontrollit të automjetit të viktimës tip “FIAT 131” me targa TP 0967 B, ka ardhur në momentin e mbërritjes në afërsi të Urës së Sakranit në dalje të fshatit Bënçë. Shpejtësia në momentin e ardhjes në dishezë e automjetit dhe prania e gurëve të shumtë në rrugën e amortizuar, kanë bërë që Qeli të humbasë tërësisht kontrollin dhe të përfundojë jashtë rrugës. Mësohet se viktima po shkonte në Tepelenë për punë, ku njihej si një prej mjeshtërve në shtrimin e pllakave. Policisë së Tepelenës i është dashur gjashtë orë për të nxjerrë trupin e viktimës nga humnera, për shkak të terrenit mjaft të thyer. Po mbrëmjen e së dielës, një 22-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor. Rreth orës 22:00 policia e Durrësit është njoftuar me anë të një telefonate për gjetjen e një të riu të vdekur në anë të rrugës, që lidh Sukthin me Manzën. Menjëherë policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin e viktimës. Burime zyrtare të policisë sqaruan se rreth orës 21:15 të së dielës është aksidentuar për vdekje nga një automjet ende i paidentifikuar Besmir Kreshpa, lindur në Dibër e banues në Sukth, Durrës. Sipas policisë, Kreshpa është përplasur, ndërsa drejtuesi i mjetit është larguar më pas nga vendi i ngjarjes, duke mos i dhënë ndihmën e parë viktimës. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore në vendngjarje, shërbimet e policisë nisën punën për identifikimin e autorit të kësaj ngjarje, mbi të cilin rëndojnë akuzat e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largimit nga vendi i aksidentit”. Ndërsa aksidenti ku u plagosën pesë anëtarët e së njëjtës familje ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në hyrje të Fushë-Krujës. Automjeti tip “Benz” i drejtuar nga Ali Stafuka, ku udhëtonte edhe familja e tij, po kthehej nga Kruja rreth orës 04:00, kur pak para së të futeshin në Fushë-Krujë është përplasur me një kamion të parkuar në anë të rrugës. Si pasojë e përplasjes janë plagosur të pestë udhëtarët, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Menjëherë ata janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Pas hetimeve paraprake në vendin e aksidentit si dhe pas dëshmive të marra nga të plagosurit, është arritur në përfundimin se shkak i aksidentit ka qenë pagjumësia e drejtuesit të automjetit. p.n/ r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›