Besarta ndryshon dëshminë, fajin e hedh te Arian Lluka

Besarta Kastrati ka mohuar para Gjykatës Themelore në Pejë që ta ketë vrarë Fidan Shabin. Kjo shtyu drejtësinë që të procedojë rastin në shqyrtim kryesor. Besartës i është vazhduar paraburgimi deri në korrik të këtij viti, derisa Arian Lluka i është lejuar mbrojtja në liri për dyshimet se ka bashkëpunuar në krim. Express sjell detaje nga dosja e rastit.
E bija e tregtarit të ndjerë të metaleve të çmuara, Salih Kastrati, do të mbetet prapa grilave edhe për dy muaj të tjerë.
Gjykata Themelore e Pejës ia ka vazhduar paraburgimin Besarta Kastratit, e cila akuzohet për vrasjen e Fidan Shabit nga Peja, deri më 25 korrik të këtij viti.
Ky vendim u mor pasi Besarta në shqyrtimin fillestar të rastit deklaroi se nuk ndihet fajtore për vrasjen e Fidanit dhe se ka vendosur të deklarohet për të mbrojtur vetën.
Express ka siguruar dosjen e lëndës në lidhje me këtë rast, përfshirë edhe vendimin e gjykatës për vazhdimin e paraburgimit.
Aty gazeta ka mësuar se Arian Lluka është liruar nga paraburgimi ku ka qëndruar që nga maji i vitit të kaluar, për t’u mbrojtur në liri për dyshimin se ka bashkëpunuar për vrasjen e Fidanit.
“Për shkak se në kohën kur është kryer vepra i pandehuri ka qenë i mitur”, thuhet në arsyetimin e vendimit të gjykatës.
Në shkresat e lëndës, gazeta po ashtu ka mësuar se Besarta Kastrati pretendon që vrasjen ta ketë kryer dikush tjetër dhe se fajin për këtë në deklaratën e saj të parë të dhënë në Prokurori ta ketë marrë për shkak të kërcënimeve nga Arian Lluka.
Një burim i gazetës brenda Prokurorisë, ndërkaq, ka bërë të ditur për gazetën se pas kësaj deklarate të Kastratit, hetuesia është konfuze në lidhje me identiteti e personit që e ka vrarë Fidan Shabin.
“Tash ka dyshime se Besarta të jetë futur në kurth për të shkuar në banesën e saj në natën kritike dhe se është kërcënuar nga Arian Lluka pas vrasjes për të mos treguar të vërtetën, madje ka dyshime se vrasja as që është kryer në banesën e të akuzuarës, por krejt diku tjetër. Krejt këto jemi duke i hetuar”, tha burimi i gazetës.
Ndryshimi i deklaratës së Besartës ka shtyrë edhe mbrojtësit e saj që të kërkojnë hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj saj të ngritur në fund të vitit të kaluar.
Sipas avokatit të saj, Nuhi Paçarizi, nuk ka asnjë provë materiale që vërteton se Besarta e ka kryer veprën penale pas kësaj.
“Mendojmë se s’ka bazë për të akuzuar Besartën meqë ajo thotë se deklaratën e parë në Prokuroria e ka dhënë nën presion dhe nën kërcënimet e Arian Llukës”, tha Paçarizi për Express.
Në ankesën e deponuar nga mbrojtja e Kastratit në janar të këtij viti, kopjen e së cilës e posedon gazeta, pretendohet se Besarta e ka kuptuar tek pas aktit se Fidani ishte i vdekur dhe gjendej në banesën e saj.
“E mbrojtura jonë ka deklaruar se atë deklaratë, e në të cilën kishte pranuar fajësinë, e ka dhënë nën presion psikologjik, nën kërcënimin dhe kanosjen që i ishte bërë nga Arian Lluka i cili i kishte treguar se i ndjeri Fidan gjendet në banesën tënde dhe nëse tregon për kufomën e cila gjendet në banesën tënde do të vritet familja, vëllai, vajza etj”, thuhet në kërkesën e mbrojtjes për hedhjen poshtë të aktakuzës së ngritur ndaj Besarta Kastratit.
Mbrojtja kishte hedhur dyshime edhe mbi dëshminë e K. SH (i njohur për gazetën) që ishte përdorur si provë kundër Besartës.
Ky dëshmitar kishte deklaruar se nuk ka qenë prezent në vendin e ngjarjes ku është vrarë Shabi por se ka qenë në dijeni se i ndjeri ka për tu takuar me një femër natën kritike (vrasjes), se ajo femër ka ardhur nga jashtë dhe se është duke e thirr në telefon për një javë rresht, se është duke shkëmbyer mesazhe me të.
Dihet që Besarta Kastrati kishte ardhë nga SHBA’të ku jetonte me burrin dhe vajzën pesë vjeçare, tri javë pasi i ati i saj ishte sulmuar me bombë në dyqanin e tij.
“Natën kritike i ndjeri ka kërkuar nga dëshmitari K. SH që t’ia sigurojë një shkop apo një thikë dhe i kishte treguar se nëse ndodh diçka dije se është njeri i Sali Kastratit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë drejtuar Gjykatës Themelore në lidhje me ankesën e mbrojtjes. Pavarësisht kësaj në të njëjtën shkresë nuk thuhet me siguri se femra të cilën e përmend dëshmitari është Besarta Kastrati.
Fidan Shabi ishte gjendur i vdekur në tavanin e banesës së Besarta Kastratit në rrugën “Papa Klementi” nr “95 në Pejë, më 2 maj të vitit të kaluar.
Prokuroria akuzon Besartën se e ka joshur të ndjerin duke i ofruar seks, për ta vrarë atë pastaj me revole në banesën e saj. Motivi i vrasjes thuhet të jetë hakmarrja, ngase Prokuroria beson se Besarta ka menduar se Fidan Shabi ishte njëri nga personat që kishte hedhur bombën në dyqanin e të atit të saj të ndjerë Salih Kastrati në prill të atij viti. Salih Kastrati kishte vdekur pikërisht nga plagët e marra nga shpërthimi në dyqanin e tij.
Por, në deklaratën e saj të parë të dhënë në Prokurori, Besarta pati thënë se e kishte vrarë Shabin në shenjë hakmarrjeje për gjoja dhunimin që ia kishte bërë ai një vit më parë. Këtë e quajti gënjeshtër ëma e Shabit, Florija.
Ajo pati deklaruar për media se djali i saj Fidani ishte kontaktuar nga Besarta dhe Arian Lluka për të vënë një bombë në qendër të Pejës duke ia premtuar për këtë dhjetë mijë euro shpërblim.
Gjykimi për këtë rast është duke vazhduar në Gjykatën Themelore në Pejë./Indeksonline/