E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulliqi: Edhe emri im te Mustafa

Shpejtim Bulliqi, nënkryetar i degës së LDK-së në Podujevë, ka demantuar lajmin se Kryesia e Degës se LDK-së në Podujevë i ka propozuar Kryesisë së LDK-së në qendër, Agim Veliun, kandidat të vetëm për kryetar të Komunës së Podujevës.

Bulliqi tha për Indeksonline se në kryesinë qendrore ka shkuar edhe emri i tij për kryetar.

“Nuk është e vërtetë se Veliu ka marr pëlqimin e degës për kryetar. Nga ana e Podujevës, në kryesin qendrore kanë shkuar dy propozime, jo vetëm Veliu. Ka shkuar emri i Shpejtim Bulliqi dhe i Agim Veliut. Kryesia ende nuk ka vendosur për kandidatin. Tash nuk është mirë që Agim Veliu t’a shfrytëzojë situatën, deri sa kryetari Mustafa nuk është në Prishtinë dhe të del me propaganda të tilla. Fjalën e fundit do ta thotë kryesia qendrore në Prishtinë, jo Agim Veliu”, tha Bulliqi.

Ai thotë se, Agim Veliu nuk e meriton që edhe më tutje të vazhdojë të udhëheq më LDK-në në Podujevë, ngase sipas tij, ai i ka kaluar të gjithë kufijtë me menaxhim të keq, me komunën dhe partinë.

“Ai faktikisht e ka privatizuar degën e LDK-së në Podujevë, kur dëshiron thërret mbledhje, vendosë vetë për të gjitha”, tha nënkryetari Bulliqi.

Indeksonline nuk ka marr përgjigje nga LDK-ja në qendër se sa emra u kanë shkuar për kryetarë të Podujevës nga dega.

“Kryesia qendrore brenda pak ditësh do të bëjë publike emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave”, tha Fidan Jupolli, zëdhënës i LDK-së

Ndryshe, në një emali për media të lëshuar nga dega e LDK-së për Podujevën thuhet se: “Fundjavën e kaluar, Dega e LDK-së e Podujevës, e përmbylli diskutimin me strukturat e saj për orientimet politike të Kryesisë dhe të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Në vlerësimin real e në vazhdimësi të angazhimeve e sukseseve, të kredibilitetit dhe integritetit të provuar por, edhe të sigurisë e të besimit të shumicës absolute të anëtarësisë e të strukturave të degës, me shumicë votash (vetëm me dy vota kundër), Kryesia e Degës i propozoi Kryesisë së LDK-së, Agim Veliu, kandidat të sajin për kryetar të Komunës së Podujevës”. /M.B /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›