E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besë cinike, fiton kupën me përmbysje



Leonard Karaj

Një gol i Arapit në minutat e fundit të pjesës së dytë dhe një i Dhëmbit në pjesën e parë të shtesës i dhanë Besës së Kavajës trofeun e Kupës së Shqipërisë. Një Besë kërkuese që nga fillimi i lojës dhe deri në fund përballë një Vllaznie e cila tregoi vlerat e saj vetëm në momente të caktuara të lojës. Veç kësaj edhe një sfidë e fituar nga trajneri Shpëtim Duro përkundrejt Edi Martinit. Ky i fundit, koshient se luante gjithçka në këtë ndeshje vendosi të hedhë në fushë një skuadër më shumë mbrojtëse e luftarake sesa me fantazi duke lënë përpara vetëm Bekim Balën. Zgjedhja e tij nuk i dha të drejtë, kjo edhe për faktin se në pjesën e parë Vllaznia nuk arriti të gjuajë asnjëherë në portën e kavajasve. Ndërsa në pjesën e dytë loja e kuqebluve u bë më e gjallë por kjo edhe për shkak të nervozizmit të verdhezinjëve të Duros. Goli i avantazhit shënuar nga Bala, më shumë se një veprim i mirë i sulmuesit ishte një pakujdesi e mbrojtjes kavajase dhe sidomos e Dragushës i cili as e markoi dhe as nuk u zhvendos sikundër linja e mbrojtjes, para se ta nxjerrë jashtë loje talentin shkodran. Ndërkohë që me futjen në lojë të serbit Haxhibuliç pasi Besa kishte barazuar, loja e Vllaznisë u gjallërua edhe më shumë. Madje sulmuesi rrezikoi dy herë seriozisht portën e Shehit.
Tjetër gjë për Besën e cila sulmoi që nga minuta e parë e takimit duke kërkuar me ngulm golin. Por një Grimë në superformë i mohoi për të paktën tri raste në pjesën e parë golin e avantazhit. Duro hodhi në fushë një skuadër sulmuese dhe me shumë fantazi, me Sinain, Xhafën, Mancakun Poçin dhe Shkëmbin, që të gjithë këta lojtarë që dini të godasin mirë portën. Nga këmbët e tyre erdhën edhe rastet më të mira për Besën por që në fakt golat u shënuan nga një mbrojtës, Arapi dhe nga një zëvendësues, Dhëmbi. Ky i fundit ndëshkoi ish-skuadrën e tij me të cilën luante sezonin e kaluar. Pas 120 minutash loje dhe 5 minutash të tjera shtesë nga arbitri slloven Darko Ceferin, Besa fitoi Kupën e Shqipërisë, të dytin trofe në historinë e klubit pas atij të 2007-ës (3-2) ndaj Teutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›