E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një film për “Çetën e profetëve”



Tanimë edhe një film për një prej patriarkëve të letërsisë shqipe. Pritet të dalë së shpejti filmi dokumentar, “çeta e Profetëve”, kushtuar shkrimtarit më të shquar të letërsisë se hershme shqipe Pjetër Bogdanit. I konsideruar si një figurë e papërsëritshme dhe e jashtëzakonshme, e mesjetës shqiptare, Pjetër Bogdani ka tërhequr vëmendjen e grupit realizues të filmit. Producenti Dom Nikë Ukgjini, autor i gjashtë filmave dokumentarë për figurat e ndryshme letrare, para do kohe, iu rrek punës për ekranizimin e jetës dhe veprës së këtij kolosit të letrave shqipe. Skenarin e këtij dokumentari e ka shkruar Stefan çapaliku, ndërsa regjia i është besuar të riut Jozef Shiroka. Filmi dokumentar me titullin “çeta e Profetëve”, përveç frymës dokumentare të filmuar në arkivat e ndryshme, ka edhe një linjë të rindërtuar me aktorë si, Simon Shkreli në rolin e Bogdanit dhe figurantë të ndryshëm. Ndërkohë që një punë të vështirë ka grimisti Tonin Gega, i cili po transformon pamjen e aktorëve dhe po i çon pas në kohë. Grupi xhirues, duke ecur gjurmëve të Bogdanit, deri tani ka arritur të përfundojë xhirimet jo vetëm në Shqipëri,por edhe jashtë vendi, ku Pjetër Bogdani është shkolluar, si në Itali, në Loreto dhe Romë, në Venedik dhe Padova, ku është përgatitur dhe botuar libri “çeta e Profetëve”, në Kroaci, Dubrovnik dhe Split, ku Bogdani është strehuar dhe ka bërë udhëtimet e tij drejt Italisë. Gjithashtu është xhiruar edhe në Greqi, në Athinë dhe Selanik, nga ka ndërmarrë ca udhëtime për t’u kthyer në Shkup dhe Prishtinë dhe vendet përreth.
Mësohet se grupi xhirues, këto ditë, pritet të finalizojë punën e tij, duke u zhvendosur në Kosovë, pikërisht në Prizren dhe Prishtinë, ku Bogdani si kryeipeshkv i Shkupit, kishte kaluar pjesën tjetër të jetës deri në vdekjen e tij. Sipas producentit të filmit, Dom Nik Ukgjini, filmi dokumentar për shkak të mungesës se fondeve përkatëse, është duke u realizuar mbi baza vullnetare. Po pavarësisht vështirësive, mendohet të përfundojë gjatë muajit qershor të këtij viti.
“Si klerik i lartë kishtar, është teologu më i madh i të gjitha kohërave të botës shqiptare. Puna e tij e palodhur shumëvjeçare, reflektoi një humanizëm të pashoq në letrat shqipe, por dhe evropiane. Vepra e tij “çeta e Profetëve” përben një nga mrekullitë më të mëdha dritëdhënëse të kulturës shqiptare. Bogdani, është një shkrimtar, poet, përkthyes, poliglot, atdhetar, i cili terë jetën e vet, si Ipeshkëv i Shkodrës dhe Administrator i Tivarit ( 1656- 1677) dhe më vonë i Shkupit (1677-1689) ia kushtoi Perëndisë dhe popullit të tij, të cilin aq shume e deshi deri në fund të jetës se tij”, Dom Nik Ukgjini, teksa shpjegon arsyet pse ndërmori iniciativën, për të realizuar një film mbi Pjetër Bogdanin. “Ai, si bari i shpirtrave, shkroi më tepër se treqind letra, drejtuar “Propaganda Fidës” në Romë, ku secila përmban sa vlera filologjike aq, historiografike. Vepra që pati vlera me përmasa evropiane dhe që e bëri Bogdanin figurë të papërsëritshme ishte “çeta e Profetëve”, botuar në Padova në vitin 1685", shton ai. Në të gjejmë të dhëna për teologjinë, historinë, kozmologjinë, antropologjinë, poezinë, stilistikën etj.. E veçantë e kësaj vepre padyshim është cikli unik i quajtur “Cikli i Sibilave” me anë të të cilit Bogdani, mjeshtërisht shprehu atdhedashurinë, duke hyrë kështu, në panteonin e poezisë shqipe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›