E Diel, 1 Nëntor 2026

“Besëlidhja”, 5 mijë burra i thonë “ndal” gjakmarrjes

11/04/2005  Ideja e përpunuar ndër vite, bëhet realitet

SHKODER – Rreth 5 mijë burra, kanë lidhur dje besën, për t’i thënë “ndal” fenomenit të gjakmarrjes. Kuvendi i madh, është zhvilluar në Kushe të komunës Hot të Malësisë së Madhe, dhe në të merrnin pjesë burra të kësaj malësie si dhe të tjerë që jetojnë në trojet shqiptare brenda dhe jashtë kufijve, si dhe përfaqësues të feve.

Ky kuvend i madh, që kishte për qëllim krijimin e normave dhe rregullave për parandalimin e gjakmarrjes dhe të vetëgjyqësisë, kishte zgjedhur këtë ditë, si ditën përkujtimore të 94 vjetorit të ngritjes së flamurit kombëtar në vitin 1911 në malin Deçiç të komunës shqiptare të Tuzit, sot pjesë e Malit të Zi.

Rreth 5 mijë burra të trevave shqiptare ishin mbledhur për të dëgjuar burrat e zgjedhur të fiseve më me emër të malësive, të cilët ishim mbledhur nën idenë se “vetëm i fajshmi duhej të dënohej”, duke përjashtuar gjakmarrjen te të afërmit e tjerë.

Kjo ide që kishte ardhur nga vetë situata që po kalojnë banorët e zonave malore, kishte si synim që të realizonte pafuqinë e shtetit për të zbatuar ligjin.

Në fund, nga kz Kuvend u bë thirrje që idetë e vendimet e tij, të kenë përkrahje dhe përhapje në të gjithë vendin, në mënyrë që të eliminohet plotësisht ky fenomen që është rikthyer sërish.

Fletë inisiatori dhe kryesuesi i kuvendit Pashko Toma

“Pjesëmarrja e madhe në kuvendim,tregon se asnjë nuk e do gjakmarrjen”

Lidhur me këtë tubim të madh, inisiatori dhe kryesuesi i tij Pashko Toma, ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Metropol”, idetë dhe vendimet e tij. Midis të tjerave, Toma ka shpjeguar se pikënisja e këtij kuvendi, daton disa vite më parë, kur burrat e Tuzit, u mblodhën për të parandaluar gjakmarrjen.

Si ju lindi ideja e këtij Kuvendi të Madh?

Ideja nuk ishte thjesht e jona. Ajo kishte vite që përflitej, por nuk po merrte rrugën përfundimtare. Ne e kishim një model, atë të bashkatdhetarëve tanë jashtë kufijve në shtetin fqinj, Mali i Zi. Këtë e përpunuam duke marrë edhe mendimet dhe eksperiencën e tyre, por edhe të shqiptarëve që jetojnë në SHBA, të cilët njihen për bashkëpunimin dhe atdhetarizmin që kanë treguar për dekada me rradhë.

Pse tani ky kuvend?

Mbledhja e këtij Kuvendi tani, në një farë mënyre ishte e detyrueshme, pasi rastet e gjakmarrjes nuk po zhduken, kjo edhe për paaftësi të shtetit, me të cilin jemi plotësisht dakort në pikën e dënimit të fajtorëve.

A mendoni se banorët e malësive do të jenë dakort me vendimet e këtij Kuvendi?

Ky kuvend është një beslidhje e madhe që ka qenë traditë e shqiptarëve. Për të arritur deri këtu ne kemi shpërndarë pikat e marrëveshjes në të gjithë krerët e familjeve më të mëdha dhe më me emër, nga ku janë marrë firmat e rënies dakort të të gjithë atyre që ndodheshin në Shqipëri dhe janë jo pak, por përbëjnë rreth 87 për qind të familjeve. Edhe vetë fakti i kësaj pjesëmarrjeje të madhe, tregon se jo vetëm që janë dakort, por mezi kanë pritur që burrat të mblidheshin dhe të organizoheshin për një qëllim të përbashkët, siç është ai i zhdukjes njëherë e përgjithmonë të fenomenit të gjakmarrjes.

Vendimet e kuvendit

Ndalohet, përveç autorit të krimit të vrasjes, t’i kërkohet burrave të tjerë të familjes apo të farefisit që të ngujohen

Ndalohet t’i jepet ndihmë vrasësit, në rast të kundërt, do të ketë ndëshkime morale nga pleqësia që do të krijohet në çdo zonë, po ashtu edhe nga feja

Banorët janë të detyruar që t’i binden vendimeve të pleqësisë, duke filluar që nga zgjidhja e konflikteve të vogla dhe deri te më të mëdhatë

Pleqësia duhet të organizojë punën për mbledhjen e armëve, apo të ndikojë në dorëzimin vullnetar të tyre

Të gjithë duhet t’i binden rregullave dhe vendimeve të pleqësisë, përndryshe do të “leçitet” për 10 vjet, si një person i padëshirueshëm, të cilit nuk do ti shkohet në asnjë rast familjar, qoftë ky gëzimi apo hidhërimi

Si shembull, mori marrëveshjen në Tuz të vitit 1970

Emin Spahia, ideatori i Kuvendit

Idetë e këtij kuvendi, si fillim janë hartuar nga pajtuesi i gjaqeve, Emin Spahia, i vrarë pak kohë më parë. Vetë Spahia kishte nisur përpunimin e kësaj ideje, duke u bazuar te marrëveshja e vitit 1970, që ishte bërë nga shqiptarët e malësisë së Tuzit në Mal të Zi, marrëveshje kjo që kishte pasur shumë sukses.

Rreth 15 për qind e familjeve të prekura, braktisin vendin

Edhe fëmijët, viktima të gjakmarrjes

Në tre rrethet e prefekturës së Shkodrës (Shkodër, Pukë dhe Malësi e Madhe) janë të ngujuar 136 fëmijë të pafajshëm, të cilët janë të detyruar të vuajnë pasojat e fenomenit të gjakmarrjes për shkak të vrasjeve që kanë kryer prindërit apo të afërmit e tyre. Rreth 15 për qind e familjeve të prekura nga gjakmarrja, janë detyruar të marrin rrugën e emigrimit jashtë vendit.

Sipas kryetarit të Misionit të Pajtimit Mbarëkombëtar, Mustafë Daia, mësohet se, “këta fëmijë i përkasin moshës 6 - 22 vjeç, por ka raste kur janë detyruar të ndërpresin mësimin edhe studentë”.

Daia, e quan këtë dukuri një “dramë që duhet ndaluar”.

Në rrethin e Shkodrës janë të ngujuar mbi 78 fëmijë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›