E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet "Kult 2005"

11/04/2005  Nata e12 artistëve më të mirë

Mes emocionesh të shumta që përshkuan spektatorët në sallën e Pallatit të Kongreseve, por edhe të mijëra teleshikuesve që ndoqën natën gala të çmimeve "Kult 2005", të zhvilluar të shtunën në mbrëmje dhe të transmetuar nga televizoni kombëtar Klan, u shpallën 12 artistët më të mirë të vitit 2004, një aktivitet i organizuar nga revista "Kult" dhe "Art Grup"

Ishin në realitet 48 fitues, pavarësisht se vetëm 12 prej tyre morën kupën "Kult". Ishin fitues, pasi thyen shumë paragjykime, lanë pas shumë mentalitete dhe u bënë protagonistët e të parit aktivitet të këtyre përmasave të zhvilluar në Shqipëri. Një mbrëmje që dhuroi shumë emocione, por që solli në skenë edhe shumë personalitete të artit dhe kulturës, përtej garës së artistëve të kandiduar për çmimet "Kult". "Falenderojmë organizatorët e këtij evenimenti, si edhe të gjithë anëtarët e jurive, të cilët na sollën besimin për krijimtarinë e vlerave", u shpreh Fatos Baxhaku, në momentin e marrjes së çmimit, si fitues në zhanrin e dokumentarit, një shprehje që pak a shumë, në forma të ndryshme, e thanë të gjithë artistët fitues. Por po kështu, do të tërhiqte vëmendjen gjesti bujar i këngëtarit fitues, Ardit Gjebrea, i cili shumën prej 300 mijë lekë, si fitues, ia dhuroi vajzës lezhiane që kishte nevojë të kurohej jashtë vendit. Në një ndërthurje organike të shpalljes së artistëve fitues dhe elementëve të spektaklit, për rreth 2 orë e 30 minuta, vëmendja e të gjithëve ishte fokusuar te emrat e artistëve që do të vlerësoheshin për kontributin e tyre gjatë vitit 2004. Një zinxhir jurish (me 36 anëtarë në total) si edhe votimi i publikut me sms, ishte sistemi kryesor mbi të cilin ishte bazuar shpallja e fituesve për çmimet "Kult 2005", që në vetvete janë çmime të mëdha të publikut dhe artdashësve në të gjithë vendin. Protagonistët, revista "Kult" dhe "Art Grup", e kaluan me sukses këtë provë të parë dhe, tashmë, përballen me atë ç'ka është me e vështira në aktivitete të këtyre përmasave, të sigurojnë vazhdimësinë dhe shndërrimin në një traditë, e cila të synojë vazhdimisht promovimin e artit të vlerave, promovim që vjen gjithmonë nga një përballje dhe shpirtit të garës. Ndoshta është kjo, e vetmja dilemë që mund të kenë ndjerë të gjithë, pas shuarjes së dritave dhe përfundimit të paradës së yjeve.

Nata e artit shqiptar

Një spektakël që dhuroi një surprizë të këndshme e tepër origjinale, kur përkrah prezantueses së njohur, Rudina Magjistari, u shfaq Edmond Tupja. Një gjetje tepër origjinale për rolin e show-man-it. Një dyshe e cila funksionoi majft mirë, jo vetëm midis tyre, por edhe në komunikimin me të ftuarit që u ngjitën në skenë. Një gjetje tepër e spikatur, pasi për të dorëzuar çmimet "Kult", ishin përzgjedhur personalitete të artit shqiptar, duke e shndërruar kështu këtë mbrëmje gala, në një natë të artit shqiptar. Një skenar i thjeshtë, por i gjetur, krijoi mundësinë që surprizat e të ftuarve, por edhe "shpërthimet" e Tupes, të tingëllonin organikisht. Emra të respektuar të fushave të ndryshme të artit, por edhe artistë të përmasve ndërkombëtare, si Tedi Papavrami, shpalosën qartë faktin se ky vend i vogël ka shumë vlera, që kërkojnë vetëm hapësirën e duhur për të shpërthyer. Interpretimi i Papavramit, i bëri të pranishmit të duartrokisnin gjatë, duke "rrezikuar" vazhdimin e spektaklit. Por, do të ishte edhe një e huaj që "vodhi" zemrat e të pranishmëve. Gianna Nannini herë si një vullkan shpërthyes, e herë si romantike e papërsëritshme, mori duartrokitje të pafund, duke treguar se thjeshtësia dhe natyraliteti, janë dy nga armët më të mira për të bërë publikun për vete.

Aktorja e vitit Yllka Mujo

Aktori i vitit Ndriçim Xhepa

Filmi më i vlerësuar "I dashur armik" me regjisor Gjergj Xhuvanin.

Dokumentari më i mirë

Fatos Baxhaku&Esat Mysliu

Libri i vitit

"Në vetmi" i Frederik Rreshpjes

Këngëtari lirik i vitit

Mariana Leka

Instrumentisti i vitit

Fatos Qerimi

Piktori i vitit

Gazmend Leka

Fotografi më i spikatur

Albes Fusha

Pjesa teatrale e vitit

Mehmet Xhelili

Balerini më i mirë

Enada&Gert Vaso

Albumi muzikor i vitit

Ardit Gjebrea

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›