E Diel, 1 Nëntor 2026

Grafika ime shprehje e dhimbjes njerëzore

11/04/2005  Abaz Hado

Vetëm pak ditë më parë, Abaz Hado u prezantua para artdashësve kryeqytetas me një ekspozitë personale, në ambientet e galerisë private "Te&Gi". Hado solli 20 grafika, një cikël i ri mbi aktualitetin shoqëror në Shqipëri dhe një cikël homazh mbi ngjarjet e 11 shtatorit në SHBA. Një ekspozitë e përbashkët me piktorin Ziso Kamberaj, i cili u prezantua më një 20 piktura në akrilik

Hado risjell një cikël të ri grafikash me temë sociale, pas asaj të familjes shqiptare. Një cikël që përfshin edhe një reflektim homazh të autorit mbi ngjarjet e dhimbëshme të 11 shtatorit në SHBA. Në planin social tërheq vëmendjen interesi i autorit mbi individët në nevojë, të cilët përballen me indiferencën jo vetëm të shërbimeve sociale, por edhe të individit. Në të gjitha krijimet e tij ndjen dhimbje, trishtim, por edhe fshikullim ndaj të tjerëve, të "fortëve" fizikisht, që kalojnë pa kthyer kokën, në indiferencë të plotë. Duke folur për "Metropol", Hado shpjegon se vjen përsëri në grafikë, pasi ky zhanër e lehtëson së tepërmi në përcjelljen e mesazheve të tij. "Grafika është gjinia që godet më ashpër, më shpejt, më drejtpërdrejt. Historikisht grafika e ka luajtur këtë rol në të gjithë zhvillimin e saj. Eshtë një nga preferencat e mia", shprehet Hado, ndërsa në lidhje me tematikën nënvizon se dhimbja "në një farë mënyre është bërë pjesë e jetës sim. Jam një njeri që e vuan faktin se dikush është në nevojë, nuk mund të jem indiferent ndaj një fenemoni të tillë. Eshtë një ndenjë e cila ka ardhur vetvetiu, si rezultat i ambienteve që frekuentoj në jetën e përditëshme...".

Shumë gri dhe dhimbje në veprën tuaj…

Eshtë e vërtetë dhe në një farë mënyre është bërë pjesë e jetës sime. Jam një njeri që e vuan faktin se dikush është në nevojë, nuk mund të jem indiferent ndaj një fenemoni të tillë. Eshtë një ndenjë e cila ka ardhur vetvetiu, si rezultat i ambienteve që frekuentoj në jetën e përditëshme, ku nga njëra ana shikon njerëz që vuajnë, me probleme të mëdha dhe nga ana tjetër, njerëz që kanë arritur të sigurojnë një nivel jete të kënaqshëm, pa vështirësi, kryesisht financiare. Duke u përballuar me këto dy aspekte të një shoqërie në zhvillim, mendoj se duhet krijuar një ekuilibër midis këtyre ekstremeve. Sigurisht që detyra e artistit është të evidentojë fenomenet dhe jo t’i zgjidhë ato. Por është e nevojshme, sipas mendimit tim, që ai duhet të jetë i ndjeshëm ndaj realitetit që e rrethon dhe mbresat e tij, t’i përcjellë në veprën e tij.

Në disa nga garfikat tuaja ndjehet edhe një “fshikullim” i indiferencës shoqërore, ndaj këtyre njerëzve në nevojë…

Jam përpjekur t’i shpreh gjërat në dimensionet e tyre reale. Njëri prej personazheve është real dhe quhet Bujar. Unë e kam ndeshur shpesh atë në plazh, duke shtrirë dorën dhe askush nuk i jep diçka. Në të vërtetë ai nuk është një lypës që e bën këtë gjë me dëshirë. Ai është një njeri në nevojë, pasi nuk ka mënyrë tjetër për të siguruar të ardhura për të përballuar jetën, pra në rast se në aspektin social nuk i jepet ndihma e duhur, besoj se individualisht mund ta ndihmojmë. Kam thënë pak kohë më parë në një intervistë tjetër se, kur një njeri gjendet në nevojë është shumë e rëndësishme të ketë dikë që e ndihmon në momentin e duhur. Braktisja apo vetmia janë fenomene shumë shkatërruese për këdo, edhe kur individi nuk kufizime fizike, aq më tepër te individët që janë të pamundur fizikisht, e për më tepër për t’u përballur me një shoqërie shumë “agresive”: dikush lufton për të siguruar miliona lekë, dikush nuk ka as për të ngrënë. Nuk kam as një problem me rastin e parë ku dikush lufton për të siguruar një jetë sa më të mirë, edhe unë vetë përpiqem të bëj të njëjtën gjë, por duhet të jemi të gjithë më të ndjeshëm dhe të përpiqemi të ndihmojmë njerëzit që realisht kanë nevojë për ndihmën tonë, qoftë edhe moralisht.

Përse zgjodhët grafikën për të evidentuar mbresat tuaja dhe në një formë shprehëse tepër gjeometrike?

Pasi grafika është gjinia që godet më ashpër, më shpejt, më drejtpërdrejt. Historikisht grafika e ka luajtur këtë rol në të gjithë zhvillimin e saj. Eshtë një nga preferencat e mia. Kolvis dhe Moxarelli janë klasikët grafikës dhe unë kam patur një mbresë të hershme prej Kolvis në trajtimin tematik, sikundër edhe në një tjetër periudhë kur parapëlqeja Hokusain. Për sa i përket formës shprehëse kjo është diçka që ka evoluar brenda meje nga njëra fazë e krijimtarisë te tjetra. Në fillimet e mia më kanë preokupuar së tepërmi hapësirat urbane, si lagjet në qytete të ndryshme të vendit, në Durrës, Tiranë, Shijak etj., kisha e Beratit, e cila mbetet gjithmonë një pikë reference e shumë tërheqëse për këdo e shumë vende të tjera. Gradualisht fillon e kupton se mjeti yt shprehës duhet të ndryshojë. Ka qenë një periudhë ku jam influencuar nga grafika japoneze e Hokusait. Më vonë jam njohur edhe me grafikën kineze, që më kë impresionuar së tepërmi. Të gjithë këta elementë të bindin se angazhimi yt duhet të jetë më dinamik. Nuk mund të kesh një krijimtari të qetë, në të njëjtën kohë që bie ndesh me një problematikë të thellë rreth teje, ndaj së cilës nuk mund të jesh indiferent. Viti '97, përfundimisht, më bindi se duhet të jesh shumë aktiv mbi atë ç'ka ndodh në vend. Nisur nga këto ngjarje unë kam krijuar disa cikle grafike, ku do të veçoja "Familjen shqiptare". Një alegori që shkon gati në simbolikë, ku tregon se ndërsa kryetari i familjes merret me politikë, të gjithë anëtarët e saj vërtiten rreth një pjate me patate të zjera. Një ngjashmëri me veprën e Van Gogut, që ka trajtuar rastin e familjes së varfër. Personalisht nuk kam mundur të jem indifernt ndaj kësaj varfërie ekstreme apo edhe njerëzve që realisht janë në nevojë.

A keni plane për tu rikthyer në vaj?

Sigurisht që herë pas here unë e lëvroj këtë zhanër, ku mund të them se edhe në këtë moment po tentoj në disa tablo të artit abstrakt. Një krijimtari ku ngjyra më intereson më shumë si formë, si vëllim dhe jo si realitet. Disa herë edhe ndonjë peizash, të cilin më pëlqen ta ndërtoj të bazuar në një realitet, por të shpërfytyruar, në një lloj simbolike që është një tjetër përbërës i ndjesisë sime artistike.

Cili është opinioni juaj për artin bashkëkohor shqiptar?

Kam bindjen se në këto 5 vitet e fundit arti pamor shqiptar ka ecur mjaft mirë dhe ka krijuar edhe një vend të spikatur në artin bashkëkohor evropian. Ka disa emra artistësh shqiptarë që jo vetëm kanë spikatur me krijimtarinë e tyre, por janë në qendër të vëmendjes së shumë kuratorëve të mëdhenj, të cilët i ftojnë vazhdimisht në ekspozita apo aktivitete të ndryshme ndërkombëtare. Anri Sala, Sisley Xhafa, Adrian Paci, janë disa prej artistëve shqiptarë të cilët me talentin e tyre kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve, në të gjithë Evropën dhe jo vetëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›