E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjinari dikur një zonë turistike, tani një “ish”... në pritje...

11/04/2005  Mungesa e rrugës mban peng zonën, por edhe ndërhyrjen e investimeve austriake

ELBASAN - Gjinari, një fshat i përcaktuar si një nga zonat turistike të Elbasanit me vendim qeverie, tashmë ka vetëm etiketimin si të tillë, dhe shpresën se ndonjëherë gjërat do të ndryshojnë edhe për banorët që jetojnë aty. Gjinari, njëkohësisht një qendër komune në rrethin e Elbasanit, 24 km larg qytetit dhe shpesh është hedhur ideja për ta shndërruar atë si një pikë turistike, ku Elbasanasit gjejnë prehjen duke u larguar nga ndotja, stresi dhe aktiviteti i zhurmshëm i një qyteti.

Turizmi peng i rrugës

Aksi rrugor që lidh Elbasanin me këtë zonë e cila shquhet si një nga perlat e natyrës së vendit tonë, është e vetmja shpresë dhe ndoshta i vetmi mall, që e mban të izoluar këtë zonë e cila përbën edhe një oaz të qetë, me një trashësi dëbore që mund të ndihmojë edhe skiatorët dhe, me një klimë të freskët në verë, që shumëkush do ta admironte. Dikur, kjo natyrë shijohej dhe frekuentohej nga vizitorë të shumtë, por prej vitesh banorët jetojnë me vetminë e tyre dhe kujtohen për frekuentimin vetëm kur shikojnë vizitorë të rrallë.

Dimri i këtij viti për shumë zona të thella malore, ka qenë më i ashpër dhe këtë e kanë ndjerë edhe vetë ata të cilët, dëborë të tillë nuk kishin parë prej shumë kohësh. Dy prej shtëpive në zonën e Lleshanit të Gjinarit prej vitesh nuk quhen të tilla, dhe pse ende shihet prej së largu tymi i oxhakut të tyre. Familjarët nuk mundohen të investojnë, pasi rruga që lidh këto zona me qytetin është një mision i pamundur.

Vetë kryetari i komunës Gani Hida, shprehet me optimizëm për shumë projekte për zhvillimin e Gjinarit.

“I kemi mundësitë shprehet ai, por na duhet rruga. Duket se diçka ka filluar të lëvizë dhe investitorët kanë dhënë shenjat e para për këtë zonë të lakmuar për klimën e saj të mrekullueshme”.

Austriakët presin rrugën...

Kanë qënë austriakët të parët që kanë kërkuar informacione për Gjinarin. Ata janë gati të shpenzojnë aty, por sapo janë nisur drejt Gjinarit, e kanë parë vështirësinë e ngjitjes drejt tij dhe kanë heshtur.

Ndërkohë kryekomunari Hida, bën të ditur se vetë komuna ka përgatitur një bazë të dhënash dhe gjithashtu, ka hapur një faqe interneti për Gjinarin.

Kjo zonë me pishat e larta dhe me lartësinë e Bukanikut, përbën një dëshirë më vete për ta frekuentuar. Liqenet e vogla, uji i bekuar dhe dëbora, përbëjnë më tepër se një zonë turistike. Kjo përbën edhe të fshehtën që tërheq turizimin, aq të dëshiruar për banorët, pasi kjo do të thotë pasurim dhe komoditet.

Dashamirësia e banorëve

Janë gjithsej 24 km që të çojnë në Gjinarin e halorëve dhe ujit të freskët. Shumë pak po të mendosh një rrugë normale, por pjesa më e madhe e segmentit është përfshirë nga gropat, kthesat e rrezikshme dhe një mirëmbatje në kufijtë inegezistentë. Kjo rrugë është bërë si një domosdoshmëri jete për banorët aq sa, të gjithë e kujtojnë dhe kur çdo vizitor mbërrin atje, përcjell edhe përshtypjen e një udhëtimi të vështirë. Dhe në të vërtetë, ata pyesin duke u ndjerë edhe pak fajtorë, “e kishit të vështirë, gropat e shkatërrojnë makinën”, apo edhe pyetjen “u lodhët nga rruga”.

Me shumë dashamirësi, ata të afrojnë në ato pak ambjente çlodhëse që kanë krijuar vetë. Kemi ndërtuar diçka, por shteti duhet të ndërhyjë të na bëjë rrugë, pasi për të tjerat mendojmë vetë.

Energjia elektrike 24 orë, një lluks

“Nuk mbajmë mend një ditë, që të mos kenë ikur dritat”

Energjia eltkrike pothuajse mungon në Gjinar. Në fakt një zonë turistike këtë problem nuk duhet t’a konsideronte, ndërsa banorët e 298 familjeve që jetojnë aty shprehen se, nuk kanë arritur të kenë një ditë pa ndërprerje të energjisë elektrike e cila duket si lluks.

Mbi 1000 banorë të fshatit Gjinar, për më se tre vjet me rradhë, vuajnë ndërprejen me orë të gjata të energjisë elektrike dhe kjo e bën edhe më të vështirë jetesën e tyre, dhe jo më praninë dhe frekuentimin e turistëve.

Teksa shëtit zonën mendon se njërëzit janë mësuar me faktin se dita do kalojë në heshtje dhe pa energji. Lëndët drusore e zëvëndësojnë ngrohjen dhe gatimin, por jo imazhin që i jep energjia një zone që duhet të mbajë dyert hapur për vizitorë e rrallë.

Ndërtimi i një rrjeti të ri sipas ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë ektrike, do t’i japë Gjinarit një mundësi për t’u furnizuar me më shumë energji, por kjo nuk do të thotë se ato do të jenë të priviligjeruar. Kufizimet do të vazhdojnë si në të gjitha fshatrat e tjera, ndoshta më shumë e ndërsa e përcaktuar si zonë turistike, Gjinari do të mbajë vetëm emrin në pritje të një shprese që e ka emrin investitor, për të ndryshuar një heshtje vrasëse të njerëzve të zhgënjyer prej vitesh nga harresa.

Vetëm një vit më parë, qeveria u kujtua t’i rikthejë emërtimin “zonë turistike”

Harresa për zonën turistike

Në qendrën e Gjinarit, shikon ato pak ndërtesa që më shumë se të vjetra, të japin përshtypjen e harresës dhe duket se banorët jetojnë me imazhin e shkuar, për të ndërtuar një të ardhme e cila mund të përcaktohet një motiv që i lejon banorëve të qëndrojnë aty. Projektet kanë vështirësuar, shpesh edhe justifikuar mungesën e investimeve, por e vërteta është se Gjinari është përcaktuar si zonë turistike vetëm një vit më parë nga qeveria, pavarësisht se të gjithë e dinë se mali që i qëndron në lindjen e diellit Elbasanit, ka qënë zonë e hershme e shlodhjes dhe turizmit.

Pistat e skive, liqenet e bukurua që përshkojnë malin e Bukanikut, pyllëzimi dhe dëbora që e rrethon majën deri në Maj, e bëjnë këtë zonë, një mundësi për të shijuar bukuritë e natyrës. Komuna e Gjinarit ka pregatitur projekte, gjithashtu, janë ofruar edhe investitorë, por komunikmi i vështirë me qytetin është cilësuar si një pengesë e pakapërcyeshme, që mban peng një zonë të tërë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›