E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha zbardh takimin: Çfarë i raportova Fatos Nanos në Vjenë

Kryeministri: “Edi Rama, mjeran, reciton Fan Nolin me sloganet e Haxhi Qamilit”

Eljona Ballhysa
Në një konferencë për shtyp, që ka zgjatur më shumë se një orë, kryeministri Berisha, i kthyer pas një udhëtimi maratonë nga Brukseli, bëri një panoramë të takimeve të zhvilluara atje, ndërsa u ndal gjatë në takimin që zhvilloi me ish-kryeministrin socialist, Fatos Nano. Berisha deklaroi se e ndiente të nevojshme që të informonte atë që ai e cilësoi liderin e së majtës shqiptare për takimet që zhvilloi në Bruksel për dorëzimin e përgjigjeve të Pyetësorit në BE. Kryeministri tha se Nano ka kontributin e tij në proceset integruese të vendit dhe për këtë qëllim ai e ftoi të konsumonin një darkë në Vjenë, ku biseda ka kaluar në një frymë të plotë mirëkuptimi. Por Berisha mohoi se mund të ketë pasur një marrëveshje mes tij dhe Nanos, ashtu sikurse është aluduar për takimin e zhvilluar 20 vjet më parë në Trieste. Gjatë fjalës së tij, Berisha e komentoi si mjeran fjalimin e kryetarit të PS-së, Edi Rama, në kongresin e PS-së dhe i cilësoi sloganet e tij të njëjta më të Haxhi Qamilit. Përsa i përket krizës politike, Berisha tha se maxhoranca ia ka krijuar të gjitha hapësirat ligjore opozitës për të bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve duke respektuar Kushtetutën. Ndërkaq, në fjalën hyrëse Berisha e cilësoi historik dorëzimin e librit prej 3854 faqesh që u përgjigjet gjithsej 2284 pyetjeve rreth zhvillimeve historike prej 20 vjetësh në Shqipëri. Berisha e cilësoi vizitën e tij në Bruksel të njëjtë si udhëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, të gjatë, të vështirë, por të suksesshëm.
Takimi
“Në Vjenë, në një moment historik për vendin tim, do ta ftoja liderin historik të së majtës shqiptare në një takim, i cili kishte disa arsye. Së pari, respekti im për kundërshtarin mbetet i pandryshuar, konstant, por dua të theksoj këtu se nuk mund ta anashkaloja zotin Fatos Nano pa e takuar në këtë moment historik për vendin. Lideri historik i së majtës shqiptare, pavarësisht se ku ndodhet, ka meritat e tij, të cilat askush nuk mund t’ia mohojë. Zoti Fatos Nano mori drejtimin e Partisë së Punës dhe e shndërroi nga parti të një njeriu për 50 vjet, në një parti që zgjodhi kryetarin duke e pasur anëtar të thjeshtë, siç ishte rasti i tij. E anëtarësoi PS-në në Internacionalen Socialiste. Marrëveshjet që ka firmosur Nano i kanë shërbyer kauzës shqiptare. Dua të theksoj këtu se në vitin 2005, zoti Nano, me një qëndrim tërësisht civil, i qëndroi premtimit që u kishte dhënë anëtarëve të tij se në rast mosfitoreje do të jeote dorëheqjen, duke vendosur kështu një standard të qytetëruar në politikën shqiptare. Duke takuar Nanon kam shprehur respekt për të majtën shqiptare dhe kontributin e saj në të gjitha proceset e integrimit të vendit. E quaja për detyrë të bëja transparencën e këtij takimi, i cili zhvillohej në një darkë 20 vjet pas darkës së përbashkët në Trieste”, - është shprehur Berisha. I pyetur se ç’rol do të zërë Nano në zgjidhjen e krizës politike në vend, Berisha mohoi të ketë biseduar me ish-kryetarin e PS-së rreth kësaj çështjeje. “Nuk është se unë diskutova me zotin Nano për ndonjë ndërhyrje të tij në këtë problem, ndonëse ai e ka bërë të qartë qëndrimin e tij që është antibojkot”, - është shprehur Berisha. Po kështu, kreu i qeverisë ka mohuar të ketë nënshkruar ndonjë marrëveshje me ish-kundërshtarin e tij politik, duke i cilësuar këto krijesa mediatike. I pyetur për zgjedhjet presidenciale, Berisha gjeti mënyrën për të mos dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Opozita
Përsa i përket qëndrimit të opozitës jashtë Parlamentit, Berisha u shpreh se kjo çështje është diskutuar gjerësisht gjatë takimeve të zhvilluara në Bruksel. “E njoha komisionerin me veprimtarinë e Kuvendit dhe e sigurova se unë dhe maxhoranca do të bëjmë çdo përpjekje për bashkëpunim me opozitën dhe se Kushtetuta dhe institucionet e Shqipërisë disponojnë të gjitha procedurat e duhura për të bërë transparencë të çdo dokumenti. Nuk kërkohet asgjë tjetër veçse ndjekja dhe zbatimi i këtyre procedurave kushtetuese dhe ligjore”, - është shprehur Berisha, ndërsa e ftoi Ramën të shqyrtojë ofertën e tij që ka të bëjë me hartimin e të gjitha amendamenteve të OSBE-së dhe KE-së për Kodin Zgjedhor, pasi të ketë marrë një opinion nga strukturat ndërkombëtare. I pyetur për fjalimin e Ramës në Kongresin e PS-së, Berisha e cilësoi atë mjeran. “Të recitosh Fan Nolin me sloganet e Haxhi Qamilit është zgjedhje mjerane. Kaq mund të them”, - është shprehur Berisha. Ndërsa duke iu referuar programit të PS-së, që po ndërthuret me tezat e qendrës së djathtë, Berisha tha se programi i PD-së nuk mund të vidhet, pasi ka gjenuinitet. “Rama mund të më marrë ndonjë ish-anëtar, por kjo nuk është anormale. Përsa i përket programit, ai kërkon gjenuinitet. Ai nuk është letër, është frymë, është shpirt, është përkushtim. Programi i qendrës së djathtë ka gjetur shtratin e vet të palëkundur”, - është shprehur Berisha. Përsa u përket protestave të PS-së, Berisha tha se është e drejtë e opozitës që të protestojë kur të dojë, ndërsa shtoi se më 1 Maj PD-ja do të organizojë koncert festiv.

PD-ja kërkon nisjen e hetimeve ndaj kërcënimeve të kryetarit të PS-së, Rama

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar dje nisjen e hetimeve ndaj kërcënimeve të bëra nga kryetari i PS-së Edi Rama për rrëzimin e pushtetit me dhunë. Deputeti Edi Paloka është shprehur dje se Kongresi i PS-së dhe gjuha e përdorur në të ishte e turpshme. “Mirë është që të kihen parasysh nga kushdo këto thirrje dhe deklarime të Ramës, edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila nuk duhet të presë të ketë denoncime sepse e ka detyrë të saj ndjekjen e thirrjeve të tilla për konflikte. Rama tashmë është vijëzuar si njeriu i konfliktit të Shqipëri”, - tha Paloka. Por deputetët e maxhorancës nuk duken aspak të shqetësuar për rrezikun e përplasjes më 1 Maj për shkak të shtyrjes së protestës së socialistëve edhe me një ditë. “Në festa bëjmë ku të duam dhe kur të duam. Nuk na shqetëson fare se ku do të jetë Edi Rama në atë moment”, - tha Paloka. Një ditë më parë Edi Rama njoftoi se protesta e selisë rozë do të nisë më 30 prill dhe do të vazhdojë më 1 Maj, ditë kur demokratët kanë përcaktuar dhe mitingun e tyre festiv.

Topalli kërkon bashkëpunimin e opozitës për vizat

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi dje dhe ish-kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Georgi Pirinski. Gjatë këtij takimi, kryetarja e Kuvendit, duke folur për situatën në Shqipëri, tha se vendi po përjeton një dinamikë të re në historinë e tij të integrimit. “Në Parlament po vijojmë të punojmë fort për miratimin sa më shpejt të të gjitha ligjeve, detyrim për heqjen e vizave dhe përshpejtim të rrugës drejt BE-së.
Si kryetare e Kuvendit do të kisha dashur shumë që edhe opozita të bëhej pjesë e këtyre proceseve të mëdha. Janë kohëra kur opozita duhet të shohë përtej axhendës personale të dikujt e të marrë rolin e vet duke kontribuuar në realizimin e aspiratave të shqiptarëve.
Shqiptarët nuk kanë më kohë për të humbur dhe ne po bëjmë të gjitha përpjekjet përmes reformave, ligjeve dhe lobimit me vendet e BE-së për lëvizjen e lirë dhe ribashkimin në familjen europiane. Vlerësimin e përpjekjeve tona e kemi marrë gjithnjë e më të fortë nga vendet e BE-së, nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Këshilli i Europës e të tjerë faktorë të politikës ndërkombëtare. Ndaj dhe jemi optimistë se brenda vitit shqiptarët do të dalin nga izolimi e do të lëvizin pa viza në Europë, e po ashtu ata do të jenë së shpejti, ashtu siç janë anëtarë të NATO-s, edhe anëtarë të familjes me të cilën ndajnë vlera të përbashkëta, Bashkimit Europian”, - është shprehur Topalli.

20 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›