“Shqipëria është kulturë” emocione dhe spektakël në Apoloni
Rruga nacionale Tiranë-Fier prej më se një muaji është bërë pritëse e banderolave ku shkruhet “Shqipëria është Kulturë”. Ndoshta që këtu nis rrugën një aktivitet, i cili në mënyrë të natyrshme bëhet udhëtari i rëndësishëm i një komunikimi kulturor, i pari i këtij lloji në Shqipëri. Stacioni i dytë i mikpritjes merr emrin e qytetit të Fierit, i njohur për një ‘bujtëse’ mikpritëse të aktiviteteve kulturore dhe artistike jo vetëm në qark, por edhe të atyre me përmasa ndërkombëtare. Ekzistenca e një ngjarjeje kulturore ndihet që në hyrje të qytetit, tek organizatorët e aktivitetit “Shqipëria është Kulturë”, EUFT-ja, MTKRS-ja dhe Bashkia e Fierit, të cilët janë kujdesur për detajet dhe njëherësh për të patur një impakt të gjerë me publikun. Apolonia është skena e vjetër antike, që ndërlidh në mënyrë harmonike të sotmen dhe të shkuarën, traditën dhe kontemporanen. Rruga që të çon në qytetin e lashtë është e mbushur nga dhjetëra të rinj dhe të reja, qytetarë dhe dashamirës të artit dhe kulturës. Jo rastësisht kultura nis që nga komunikimi, informimi dhe vajzat dhe djemtë e rinj, që me banderola në duar shpërndajnë fletëpalosjet e shkruara “Të kujdesemi për trashëgiminë kulturore të Parkut të Apolonisë”. Shoqërohemi në udhëtimin tonë drejt Parkut të Apolonisë nga Rektori i UEFT-së, z. Salvatore Messina, ideja dhe energjia e të cilit ka qenë një nga shtyllat kryesore që ky aktivitet gjithëpërfshirës të meritojë këtë natë magjike të datës 9 maj, ku do të vazhdojnë garën e tyre të rinjtë finalistë në gjinitë: Aktrim, Muzikë, Instrument, Kërcim, Pikturë, Fotografi. Nga 1365 kandidatët e përzgjedhur, juria e kryesuar nga drejtori Agron Xoxa ka arritur që të seleksionojë rreth 376 prej tyre, që të gjithë talente nga rrethet Lezhë, Korçë, Tiranë, Elbasan, etj. Në qiellin e yjeve të natës së majit, në një skenografi fantastike, protagonistët e vërtetë janë ata, Ambasadorët e Kulturës Shqiptare, të rinjtë dhe të rejat që besojnë në kohën e ndryshimit, që besojnë në vlerat dhe traditën e Shqipërisë.
Një moment emocionant sjell në skenë të riun nga Kosova, Arbër Hoxha, i cili prek të pranishmit me një rrëfim të trishtë të jetës së tij. Dikur një interpretues i valles popullore, ai ka pësuar një aksident me makinë, në rrugëtimin e tij nga Kosova në Tiranë për të dhuruar gjak, në shenjë të solidaritetit me vëllezërit e tij të tragjedisë së Gërdecit. Drejtori i festivalit, Agron Xoxa, e përshëndet për pjesëmarrjen duke e konsideruar një nga rastet kur jeta është e rëndësishme dhe ka shpresë, edhe pse ka ndaluar për të riun nga Kosova, ngujuar në një karrocë me rrota. Pas këtij moment emocionues, në fjalët e tij që sjellin shpresën dhe dëshirën për jetë, spektakli ‘ndizet’ nga muzika dhe efektet e skenës ku performojnë këngëtaret: Anjeza Shahini, Eli Fara, Poni, Redon Makashi, Pirro Çako,Aleksandër Gjoka, Kejsi Tola. “Dikur unë isha si ju, në një ëndërr që quhej muzikë, këngë dhe skenë. Sot jam njëra prej përfaqësuesve të brezit tim, që mund ta quaj një ëndërr të realizuar. Uroj më të mirën për garuesit e këtij festivali”, - do të shprehej pak përpara interpretimit të saj, Kejsi Tola. Juria me përfaqësues ndër të tjerë, poetin e këngëve Agim Doçin dhe rektorin e Universitetit Europian të Turizmit, Prof. Dr. Salvatore Mesina, pohuan pjesëmarrjen e lartë të të rinjve jo vetëm nga Shqipëria,por edhe nga trojet. Fituesit kryesorë, në mënyrë simbolike, do të emërtohen "Ambasadorët e Kulturës Bashkëkohore Shqiptare". Iniciativa që gërsheton bashkëkohoren me antiken dhe vendos në qendër të kësaj vere turizmin kulturor i përket Universitetit Europian për Turizmin në bashkëpunim me rrjetin e Ministrive MKTRS, të Arsimit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, së toku me prefekturën dhe Bashkinë e Fierit dhe festivalin ndërkombëtar të Apolonisë.
11 Maj 2010