“Besimi që PD ka krijuar te qytetarët, garanton dhe një mandat tjetër 4 vjeçar për mazhorancën”

Deputeti i PD-së, Edi Paloka komenton situatën aktuale politike, si dhe nisjen tashmë të fushatës elektorale për vetë Partinë Demokratike
Deputeti Paloka shprehet se me nisjen e sesionit parlamentar, i cili do të jetë dhe i fundit për PD-në deri në zgjedhjet parlamentare do të synohet vijimi i reformës në drejtësi dhe vënia në zbatim e ligjeve të miratuara nga Parlamenti, gjë që sipas tij kërkon dhe konsensus nga ana e opozitës, ashtu sikurse ka vepruar deri më tani. Për sa i përket zgjedhjeve në strukturat e PD-së, Paloka shprehet se është bërë pothuajse pjesa më e madhe e zgjedhjeve në seksione, ndërsa sa u takon zgjedhjeve brenda strukturave, ai deklaron se ato do të bëhen para zgjedhjeve parlamentare.
TIRANE - Deputeti i PD-së Edi Paloka komenton në një intervistë për gazetën “55”, arritjet e mazhorancës aktuale të faktuara me përmbushjen e reformave të rëndësishme nga qeverisja aktuale. Deputeti Paloka shprehet se me nisjen e sesionit parlamentar, i cili do të jetë dhe i fundit për PD-në deri në zgjedhjet parlamentare do të synohet vijimi i reformës në drejtësi dhe vënia në zbatim e ligjeve të miratuara nga Parlamenti, gjë që sipas tij kërkon dhe konsensus nga ana e opozitës, ashtu sikurse ka vepruar deri më tani.
Për sa i përket zgjedhjeve në strukturat e PD-së, Paloka shprehet se është bërë pothuajse pjesa më e madhe e zgjedhjeve në seksione, ndërsa sa u takon zgjedhjeve brenda strukturave, ai deklaron se ato do të bëhen para zgjedhjeve parlamentare.
Deputeti Paloka shprehet i sigurt se arritjet e qeverisë aktuale në këto 4 vjet qeverisje, janë një tregues bindës dhe një garanci absolute që Partia Demokratike të marrë dhe një mandat të dytë qeverisës.
Si e vlerësoni përmbushjen e disa reformave të mëdha nga mazhoranca aktuale?
Unë mendoj që me fundin e vitit 2008 u mbyllën reformat kryesore që ne kishim marrë përsipër dhe në qoftë se do flasim për Parlamentin mendoj se pak punë do ketë këto muaj, në aspektin e reformave të mëdha pasi siç thashë reformat kryesore, mund të ketë disa plotësime për reformën në drejtësi, por mendoj se pjesa kryesore e reformave është kryer. Flas këtu për reformat që ne ishim angazhuar deri tani pasi reformat kurrë nuk do të ndalen, pasi siç e ka thënë dhe Kryeministri Berisha që Partia Demokratike dhe qeveria demokratike është parti dhe qeveri e reformave, pra reformat nuk do të ndalen kurrë. Ne kemi realizuar atë që kishim marrë përsipër për të realizuar në këtë mandat 4-vjeçar, ajo që i mbetet PD-së për të realizuar dhe për të përmbyllur një mandat krejtësisht të suksesshëm nga ana politike mendoj se janë vetëm zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pra një palë zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe unë jam i bindur se të tilla do të jenë, pasi këto 3 vjet e gjysmë ne e kemi treguar jo vetëm njëherë por disa herë pasi janë zhvilluar disa palë zgjedhje, më të mëdha kanë qenë ato lokale që kanë qenë të përgjithshme, janë zhvilluar dhe zgjedhje të tjera të pjesshme që janë zhvilluar për tre zona deputetësh në rrethe të ndryshme të Shqipërisë dhe fakti është se nuk ka pasur asnjë problem, nuk ka pasur asnjë ankesë, pra kanë qenë zgjedhje plotësisht të lira, të ndershme dhe të rregullta. Kështu që edhe njëherë e përsëris, ne e kemi treguar vullnetin tonë, pasi vullneti politik është kryesori dhe besoj se dhe zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tilla, të lira të ndershme, të rregullta dhe besoj pa asnjë kontestim nga askush.
Parlamenti së shpejti nis sesionin e tij të fundit nën qeverisjen e PD-së. Cilat janë reformat më adekuate që qeveria Berisha mendon të realizojë në këto pak muaj që kanë mbetur?
Qeveria, siç e ka shprehur dhe kryeministri në këto muaj është përqendruar kryesisht në infrastrukturë, pra investime të mëdha janë llogaritur dhe priten, një pjesë e madhe e tyre janë tenderuar, dhe në këto muaj janë parashikuar të bëhen qindra e mijëra kilometra rrugë, dhe mendoj që dhe më një mandat tjetër të PD-së problemi i infrastrukturës rrugore në Shqipëri do të jetë përfundimisht i zgjidhur. Veç rrugës Durrës-Kukës-Morinë, e tërë infrastruktura rrugore në Shqipëri do të jetë e zgjidhur, sepse ka pasur zëra që rruga Durrës-Kukës ka hequr investime nga pjesë të tjera, gjë që nuk është e vërtetë, sigurisht që ai është një investim madhor dhe kërkonte një guxim të madh t`i hyje një investimi të tillë. Po ta shohësh nga ana elektorale ne do të kishim më tepër leverdi që të bënim investime të tjera në të gjithë Shqipërinë sesa të bënim atë rrugë, por sigurisht për njerëz me vizion si Berisha mendoj se ka bërë zgjidhjen më të drejtë dhe zgjidhjen më të duhur, pasi mendoj se po të mos ishte ai ajo rrugë nuk do të bëhej kurrë.
A mendoni se opozita do të vijojë të japë konsensusin e saj për thellimin e reformës në drejtësi, heqjen e imunitetit, si dhe zbatimin e ligjit të dosjeve , i cili tashmë është miratuar?
Për sa i përket ligjit të dosjeve ne i kemi kërkuar opozitës për një kohë të gjatë këtë lloj konsensusi, kjo ka qenë dhe arsyeja pse ky ligj u shty për një kohë të gjatë. Është mirë që tani që ky ligj është miratuar edhe opozita ta pranoi, justifikimet absurde që ka nxjerrë deri më tani le t`i lërë të bien vetvetiu, pasi janë thjesht justifikime të pabaza, dhe konsensusi i saj tashmë është thjesht konsensus moral. Konsensus duhet edhe për imunitetin, jo se ne nuk mund ta bëjmë vetë, por sepse është një ligj që u përket të gjithëve, dhe kur flas për imunitetin, nuk kam parasysh këtu vetëm deputetët, por për zhveshje nga mbrojtja e padrejtë që u bëhet shumë personazheve zyrtarëve, që këtë mbrojtje në disa raste e kanë përdorur për të mbuluar dhe shkelje ligjore. Ajo që synohet me heqjen e imunitetit është që atyre që shkelin ligjin mos t`u lihet mundësia që të mbrohen me këtë imunitet. Gjithsesi mendoj se opozita do të vazhdojë të japë konsensusin e saj edhe për projektligjet e tjera. Reformat janë të vazhdueshme dhe është e vërtetë që kemi bërë hapa të mëdha me ato reforma që kemi bërë deri tani. Reformat e realizuara deri më tani më shumë se sa ishin “kusht” nga ndërkombëtarët, ishin një detyrim ndaj shqiptarëve.
A mendoni se kjo është qeveria më e mirë që ka udhëhequr vendin në këto 18 vite demokraci?
Do të thosha se ne kemi pasur fatin e madh, jo vetëm tani por edhe nga viti 1992 - 1996 që kemi arritur sukseset më të madh në fushën ndërkombëtare. Ishte qeveria demokratike që 92-96 anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, ndërkohë që për 8 vjet socialistët nuk bënë asnjë hap përpara në asnjë nga këto aspekte, jemi prapë ne që morëm ftesën për në NATO, po ecim me hapa të shpejtë për t`u shpallur dhe kandidat për Bashkimin Evropian, dhe mund të them me bindje se janë tejkaluar ato që ne u kishim premtuar shqiptarëve në këto aspekte. Një tjetër arritje është dhe arritja ekonomike, një premtim që ua kishim bërë shqiptarëve por jo në këto nivele. Ne i kemi tejkaluar në çdo aspekt premtimet që u kemi bërë qytetarëve shqiptarë, dhe ky fakt na bën optimist se edhe në 4 vitet e ardhshme rruga tashmë është e shtruar dhe hapat do të jenë shumë të shpejtë në 4 vitet e ardhshme.
A ka nisur puna për përgatitjen e zgjedhjeve në strukturat e PD-së?
Është bërë pothuajse pjesa më e madhe e zgjedhjeve në seksione, që në fakt është dhe pjesa kryesore e zgjedhjeve, pasi seksionet janë baza e PD-së, janë bërë propozime për strukturat më të larta dhe në fund do të jenë aktive konferencat që do të jenë të rëndësishme, por për mua ajo që ka qenë më e rëndësishme kanë qenë zgjedhjet e seksioneve. Afatet nuk janë të prera, ka sigurisht afate të përafërta, por mund të them me siguri se zgjedhjet brenda strukturave do të bëhen para zgjedhjeve parlamentare. Pra siç e thash dhe më lart nuk mund të them një datë të saktë, pasi varet se si ecin dhe degët nëpër rrethe, Tirana për shembull është një degë e madhe, dhe në përgjithësi Tirana i zhvillon zgjedhjet në fund, kur kanë mbaruar gjithë degët e tjera. Zgjedhjet po ecin shumë mirë, në të gjitha degët e PD-së në Shqipëri, mendoj se po realizohet një nga qëllimet kryesore që kishin këto zgjedhje, përveçse janë zgjedhje normale që zhvillohen në një mandat të caktuar, një nga synimet kryesore që ne kishim vënë, ishte bërja e analizave brenda Partisë Demokratike, qoftë për rezultatet që kemi pasur, qoftë edhe për rastet kur kemi dështuar. Flas këtu për zgjedhjet e pushtetit lokal në ato vende ku ne nuk kemi marrë rezultatet që kemi dashur, pra është mirë që ka filluar me këtë formë që po bëhen analiza, pasi baza duhet dëgjuar. Një lloj shkëputje që unë e kam shprehur dhe herë të tjera, dhe nuk e kam konsideruar pozitive ka qenë që me këto zgjedhje tani mbulohet dhe ky problem dhe shpresoj që me riorganizimin e PD-së dhe me formën e re të strukturave do të mbyllen njëherë3 e mirë këto probleme.
A do të ketë prurje të reja në lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen brenda strukturave të PD-së?
Sigurisht, gjatë kësaj periudhe ka pasur mjaft anëtarësime të reja në PD, të gjitha strukturat, të gjitha degët dhe nëndegët e PD-së kanë pasur anëtarësime të reja. Kështu që rinovimi, pot a marrësh si term, duket sikur ndryshon partia por në fakt është krejt normale pasi një parti nuk mund të qëndroi me të njëjtit njerëz. Që në momentin që dikush bëhet anëtar i PD-së me statutin e PD-së, çokush ka të drejtë që të kandidojë për çdo gjë, pastaj është anëtarësia që jep vlerësimin e saj.
Cila do të jetë strategjia që PD do të përdorë për të fituar zgjedhjet parlamentare të 2009-ës?
Sigurisht që çdo parti përgatit strategjinë e saj, unë mendoj se ne këtë herë e kemi shumë më të lehtë pasi kemi pasur një 4-vjeçar të suksesshëm, ju kemi treguar shqiptarëve që ato që ne i premtojmë i mbajmë, gjithashtu u kemi treguar se jemi të pa krahasueshëm me kundërshtarët tanë politikë, në çdo aspekt në çdo fushë po të bësh krahasime duke llogaritur 8 vjet të atyre dhe 4 vjet tona, shifrat tona janë pozitivisht më të larta, kështu që ne strategjinë tona do ta bazojmë pikërisht në këtë përvojë, mjafton t`u tregojmë shqiptarëve atë që kemi arritur dhe t`i bindim se me këto hapa do të ecim dhe 4-vjeçarin tjetër.