“Dekretoni ligjin e ‘dosjeve’, jepini fund avokaturës së turpshme që po i bëhet diktaturës komuniste”
Shoqatat e ish-të përndjekurve i kërkojnë presidentit Bamir Topit të dekretojë ligjin e “Dosjeve”
TIRANE -“Mjaft më. Toleranca dhe falja njerëzore, ka caqet e vet, po aq njerëzore. Nuk mund të lejohet më që në emër të demokracisë dhe vlerave të lirisë, për të cilën ne vuajtëm, u burgosëm dhe u ekzekutuam, të shohim sërish të njëjtët fytyra duke bërë ligjin, politikën, apo aq më dhimbshëm, duke dhënë drejtësi. Ne kërkojmë që ju t’i tërhiqni dekorimet, që i bëtë persekutorëve tanë komuniste, sepse historia po i dënon ata me përbuzje dhe asnjë dekoratë s’mund ti ndriçojë dhe të zbusë errësirën e shpirtit të tyre. Lavdia dhe nderimi i përket ndërgjegjes së burgosur për vlerat e njerëzimit, dhe jo persekutorëve të tij”
Shoqatat që mbrojnë dhe përfaqësojnë të drejtat e ish-të përndjekurve në Shqipëri, i dërguan dje një letër Presidentit të Republikës, ku i kërkojnë që të dekretojë ligjin për “Dosjet”.
Instituti i Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë, Shoqata “Musine Kokalari”, Shoqata Antikomuniste e ish-të persekutuarve politikë si dhe Shoqata e ish-të persekutuarve politikë, Vlorë, Lezhë, Shkodër, janë bashkuar në letrën ndaj Topit, duke vlerësuar se “disa ish-persekutorë”, vazhdojnë të nënshkruajnë në shkresat e institucioneve më të rëndësishme te shtetit”.
Shoqatat i kërkojnë Topit edhe që t’i tërheqë dekorimet, që u persekutorëve komuniste, sepse historia po i dënon ata me përbuzje dhe asnjë dekoratë s’mund t’i ndriçojë dhe të zbusë errësirën e shpirtit të tyre.
“Z. President, prej më se tri javësh Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin ‘Për pastërtinë e figurave zyrtare’. Ende ky ligj nuk po hyn në fuqi, pasi gjendet në selinë tuaj për dekretim. Zoti President, ne përfaqësuesit e shoqatave të ish të burgosurve dhe të persekutuarve politikë, ju bëjmë thirrje ta firmosni këtë ligj sa më parë, në mënyrë që ky ligj të mos mbesë në letër, dhe tek shqiptarët të rëndojnë përjetësisht hijet e mospendimit të ndërgjegjes”, thuhet në letrën e shoqatave të ish përndjekurve.
Në letrën e tyre theksohet më tej se ish presidenti çek Havel, i dënuar politik nga komunizmi, do të shprehej në një nga fjalimet e tij, se “e vërteta arrihet, kur ndërgjegjja dhe logjika bëhen një”.
“Logjika përmes këtij ligji, kërkon asgjë më shumë sesa pastrimin e administratës së shtetit, nga persekutorët dhe ekzekutorët tanë. Madje, ne nuk mund ti cilësojmë ata, as si ‘ish-persekutorë’, pasi firmat e tyre vazhdojnë nënshkruajnë në shkresat e institucioneve më të rëndësishme të shtetit. Në asnjë vend demokratik, Institucion nuk mbahet peng nga kriminelët,e së shkuarës apo të së tashmes. Dhe ndërgjegjja njerëzore me këtë ligj (dhe pse ne kemi rezervat tona për sanksionet e tij), kërkon qetësimin dhe kullimin e saj, ndarjen përfundimisht nga drejtuesit dhe mentaliteti i të kaluarës mizore të komunizmit”, vijojnë më tej në letrën e tyre ish-të përndjekurit politikë.
Shoqatat e ish-të përndjekurve shtojnë se kanë kaluar 18 vjet dhe asnjeri prej xhelatëve tanë nuk ka kërkuar as të falur publikisht për krimet dhe makthet që rëndojnë mbi ndërgjegjen e tyre.
“Mjaft më. Toleranca dhe falja njerëzore, ka caqet e vet, po aq njerëzore. Nuk mund të lejohet më që në emër të demokracisë dhe vlerave të lirisë, për të cilën ne vuajtëm, u burgosëm dhe u ekzekutuam, të shohim sërish të njëjtët fytyra duke bërë ligjin, politikën, apo aq më dhimbshëm, duke dhënë drejtësi. Ne kërkojmë që ju t’i tërhiqni dekorimet, që i bëtë persekutorëve tanë komuniste, sepse historia po i dënon ata me përbuzje dhe asnjë dekoratë s’mund ti ndriçojë dhe të zbusë errësirën e shpirtit të tyre. Lavdia dhe nderimi i përket ndërgjegjes së burgosur për vlerat e njerëzimit, dhe jo persekutorëve të tij”, vijon më tej letra.
Ish-të përndjekurit i bëjnë thirrje gjithashtu kreut të shtetit që të dekretojë sa më parë ligjin e lustracionit, sepse Shqipëria këtë pranverë hyn në radhët e Aleancës më të madhe të lirisë, kryen zgjedhjet parlamentare, synon të konkurrojë sa më parë për statusin e vendit kandidat për në BE.
“Të gjithë ata që pretendojnë se gjoja cenohen të drejtat e njeriut dhe Kushtetutën, kërkojnë vetë që të lenë në harresë kalvarin e pafund 45 vjeçar, jo vetëm të shtresës sonë, por të gjithë shoqërisë shqiptare. Zoti President, ngrihuni dhe qëndroni mbi të gjitha interesat e vogla politike, dhe mbi avokaturën më të turpshme që po i bëhet diktaturës komuniste. Jepini më së fundi të drejtë, të drejtës së mohuar, të vërtetës dhe ndërgjegjes, për hir të lirisë dhe të ardhmes së sigurt të shqiptarëve”, përfundon letra e ish-të përndjekurve politikë për Presidentin Bamir Topi.
Ligji i “Dosjeve”, Presidentit i mbeten vetëm 5 ditë për dekretimin
Mazhoranca, e vendosur për rivotimin e ligjit, në rast kthimi nga Presidenti
Ligji “Për Pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë” i miratuar në Kuvend me vullnetin e mazhorancës në një nga seancat e fundit të sesionit të kaluar parlamentar, ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës.
Kreut të shtetit i mbeten dhe 5 ditë për dekretimin e këtij ligji të rëndësishëm, për pastrimin e administratës shtetërore dhe asaj politike nga ish eksponentë të regjimit komunist.
Ndërkohë, dy net më parë, në emisionin :Opinion”, Kryeministri Sali Berisha , u shpreh i vendosur, që “edhe në qoftë se Presidenti e kthen mbrapsht ligjin e dosjeve, që të nesërmen, mazhoranca parlamentare do e rivotojë atë”.
Ndërkohë, Presidenti Topi është shprehur pak kohë më parë në Postribë, në djepin e lëvizjes ati-komuniste plot 62-vjeçare, se me zbardhjen e krimeve të komunizmit, do të pastrohej dhe humanizohej më tej shoqëria.
Presidenti në shtator të vitit 2008, ia kërkoi këtë mazhorancës, pasi sikurse tha, dënimi i krimeve të komunizmit nuk mund të mbetet kurrsesi peng i retorikës politike.
Dy muaj më vonë, atëherë kur politika shënoi kulmin e debatit mbi këtë çështje vetëm pak orë nga miratimi i ligjit për lustracionin, Presidenti Topi, përmendi sërish, po aq i bindur se krimet e komunizmit duhen dënuar.