Kryeparlamentarja Topalli, e ftuar speciale e Kolegjit Evropian të Parmës
TIRANE - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ndodhet në Itali për të marrë pjesë si e ftuar speciale e Kolegjit Evropian të Parmës, në ceremoninë e inaugurimit të Vitit të Ri akademik. Në këtë ceremoni , e cila shënon një ngjarje të rëndësishme për Kolegjin evropian të Parmës, marrin pjesë personalitete të larta të botës akademike dhe politike të Evropës. Kolegji Evropian i Parmës është ndër më prestigjiozët në Evropë, në fushën e përgatitjes së eurokratëve.
Në tryezën e rrumbullakët me temë “Kujtesa është e ardhmja”, që do të mbahet në kuadrin e kësaj ceremonie, do të përshëndesë Presidenti i Italisë, Giorgio Napolitano dhe ish-Presidenti i Komunitetit Evropian në vitet 1985-1994, Jacques Delor.
Gjatë qëndrimit të saj në Itali, kryetarja Topalli pritet të zhvillojë një takim të veçantë me Presidentin italian, Napolitano, me personalitetin evropian Delor, si dhe me përfaqësues të lartë të qarqeve politike e akademike evropiane.