E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimtarët myslimanë festojnë Fiter Bajramin

Presidenti Topi uron besimtarët myslimanë dhe vlerëson tolerancën fetare që karakterizon shqiptarët


Besimtarët myslimanë kanë festuar dje festën e Fiter Bajramit duke nisur që nga falja e mëngjesit. Besimtarët kanë mbushur të gjitha xhamitë e vendit duke falur namazin e festës. Për besimtarët myslimanë kjo është një festë shumë e rëndësishme pasi vjen pas muajit të shenjtë të ramazanit ku besimtaret agjëruan, duke iu përkushtuar më shume adhurimit dhe devotshmërisë ndaj Krijuesit të tyre, Zotit.


Zakoni kërkon që pas faljes së namazit të festës, besimtarët të shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet ne fenë islame ndarja e zekatit, për të varfrit dhe familjet në nevojë.


Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi vizitoi dje paradite Bashkësinë Myslimane Shqiptare për të shprehur urimet më të ngrohta e të mira me rastin e Festës së Fiter Bajramin. Në Hotel "Tirana International", Kreu i shtetit takoi dhe uroi Kryetarin e kësaj Bashkësie, Haxhi Ing.


Selim Muça dhe më pas vizitoi dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit përzemërsisht nga Kryegjyshi botëror i bektashinjve, Baba Reshat Bardhi.


"Uroj që Fiter Bajrami, kjo ditë e pastrimit dhe dlirësisë shpirtërore, që vjen pas muajit të shenjtë të agjërimit e përkushtimit, të na ketë gjetur më të mirë e më të ndershëm, plot dashuri për familjet e të afërmit e me më tepër patriotizëm për Shqipërinë",- u shpreh Kryetari i Shtetit në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, duke shtuar se harmonia dhe tolerance fetare, festimi i përbashkët i festave fetare përbëjnë disa nga tiparet e vyera të bashkëjetesës së kombit tonë, që ne i kemi trashëguar nga të parët tanë dhe me të cilat do të pasurojmë akoma edhe më shumë vlerat të familjes së përbashkët evropiane, pjesë e së cilës do të jemi edhe formalisht së shpejti.


Në qytetin e Shkodrës mijëra besimtarë myslimanë, dita e Bajramit ka mbledhur pothuajse të gjithë politikanët e djathtë. Kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Topalli, kanë zgjedhur pikërisht këtë qytet për të uruar besimtarët myslimanë. Festa është përshëndetur edhe nga krerët e komuniteteve të tjera fetare të Shkodrës.


Ndërkohë në Elbasan mbi 3500 besimtarë myslimanë të qytetit dhe zonave përreth u bashkuan në mëngjes në pallatin e sportit "Tomor Sinani" ku kryen ritin e faljes. Besimtarët u përshëndetën nga Myftiu Agim Duka dhe teologë të tjerë. Në fjalën e marrë para besimtarëve, Myftiu uroi për më shumë paqe dhe harmoni.


Më pas myftinia organizoi një pritje në të cilën merrnin pjesë besimtarë myslimanë, përfaqësues të klerit të besimeve të tjera fetare, pushtetarë lokalë etj. Surpriza e kësaj pritjeje ishte bashkimi i dy kaheve politikë të majtë e të djathtë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›